Home KRYESORE Ish-kryetarja e Gjykatës së Durrësit: Dhashë dorëheqjen pas përplasjeve për Gjirin e...

Ish-kryetarja e Gjykatës së Durrësit: Dhashë dorëheqjen pas përplasjeve për Gjirin e Lalzit

Lajmi i dorëheqjes së kryetares së Gjykatës së Durrësit bëri mjaft bujë në media. Shumë e lidhën atë me vettingun, proces të cilit ende nuk i është nënshtruar, edhe pse hetimet për të kanë filluar thuajse një vit më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Dorëheqja lidhet me vettingun, por jo vetëm. Vetë gjyqtarja përmes një komunikimi konfidencial ka bërë të ditur se pronat në Gjirin e Lalzit kanë qenë një ndër çështjet më të ndërlikuara dhe që janë bërë objekt diskutimi edhe në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë, atje ku ajo ka dorëzuar një raport të plotë dhe me emra konkretë.

Madje në dosjet e saj në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë, më e diskutuar ka qenë edhe vendimi për njohjen e 75-vjeçarin Pal Seçuni si pronar të 45 mijë metra katrorë tokë e pemishte, më parë pronë e shtetit, në Gjirin e Lalzit. Dosja e plotë e këtij vendimi është tashmë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pas shkrirjes së KLD.

Por, vetë Qeleshi nuk ndihet aspak fajtore për dosjet e gjykuara dhe vendimeve që ka marrë. Përkundrazi thotë se ka respektuar vetëm ligjin, pavarësisht se janë prodhuar konflikte, mes personave që ishin edhe pjesë e atentatit të së premtes në Shkozet.

Por a ishin pronat e Gjirit të Lalzit, shkak për largimin e saj nga detyra?! Vetë Qeleshi nuk e pranon, por as nuk e mohon, teksa thotë se Lalzi është gangrenë e gjyqësorit në Durrës dhe ndoshta në të gjithë Shqipërinë.

Ndërsa lidhur me prokurorin Ndoj, Qeleshi thotë se ka pasur nën hetim dosje me pronat në Gjirin e Lalzit dhe se motiv për atentatin ndaj tij mund të kenë qenë pikërisht këto hetime, por shpreson se Krimet e Rënda do të mund të hedhin më shumë dritë.

Gjithsesi, Joana Qeleshi, që tashmë nuk është më pjesë e sistemit të Drejtësisë dhe ka deklaruar vijimin e karrierës në sektorin privat këmbëngul se çdo informacion për të cilin konflikti ka vijuar edhe pas vendimeve gjyqësore e ka dërguar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Share: