Home KRYESORE Gjykata Kushtetuese/Kuvendi voton sot për dy emra, kush pritet të zgjidhet

Gjykata Kushtetuese/Kuvendi voton sot për dy emra, kush pritet të zgjidhet

Kuvendi do të votojë sot për të zgjedhur dy anëtarë të ri të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakancat e Vladimir Kristos dhe Bashkim Dedjas.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka dërguar dy lista me kandidatë në Kuvend më 14 tetor 2019. Megjithatë procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese solli një përplasje mes institucionit të Presidentit dhe ligjvënësit.

Për 4 vendet vakante të cilat emërohen 2 nga Kuvendi dhe 2 nga Presidenti, janë në garë 6 persona: Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Besnik Muçi, Marsida Xhaferllari, dhe Regleta Panajoti. Katër personat e parë janë në të dyja listat.

Presidenti Meta zgjodhi më datë 15 tetor kandidatin Besnik Muçi nga lista e tij por nuk u shpreh për kandidatin e dytë duke argumentuar se sipas nenit 179 pika 2 dhe 12 të Kushtetutës “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë”. Ai shtoi se tani pret që Kuvendi të shprehet për të dekretuar anëtarin tjetër.

Në rast se presidenti nuk shprehet ligji për vetëqeverisjen e sistemit të drejtësisë ka parashikuar që të zgjidhë ngërçin, duke u emëruar automatikisht kandidatin e parë të renditur sipas pikëve nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Konkretisht Arta Vorpsi duhet emërohet automatikisht.

Por për vakancën e shpallur më 12 shkurt 2018, në listën që KED i ka cuar Kuvendit është renditur e para Arta Vorpsi, e dyta Elsa Toska dhe i treti Besnik Muçi i cili është tashmë i emëruar. Në qoftë se do të ndjekim logjikën e Kushtetutës atëherë për këtë vakancë Kuvendi nuk ka mundësi tjetër për të zgjedhur përveç kandidates Elsa Toska. Nga ana tjetër ligji kërkon që në garë duhet të jenë të paktën 3 kandidatë.

E njëjta situatë është edhe sa i përket vakancës së shpallur më 4 mars 2018. Në listën që i është dërguar Kuvendit renditet e para Arta Vorpsi, e dyta Fiona Papajorgji dhe e treta Elsa Toska. Ashtu si në rastin e mësipërm, sipas logjikës së Kushtetutës, Kuvendit i mbetet vetëm Fiona Papajorgji për tu zgjedhur pasi dy kandidatët e tjerë do të jenë të emëruar. /Opinion.al

Share: