Home KRYESORE “Lobimi rus”/ Gjykata pushon çështjen ndaj Bashës dhe zyrtarëve të PD-së

“Lobimi rus”/ Gjykata pushon çështjen ndaj Bashës dhe zyrtarëve të PD-së

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen e ashtuquajtur të “lobimit rus” në SHBA ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Basha, Ristani e Dervishi akuzoheshin për falsifikimin e formularëve për një kontratë lobimi prej 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një kompanie “Biniatta Trade”. Një pjesë e kësaj shume dyshohej se ishte paguar nga burime ruse. Basha dhe dy zyrtarët akuzoheshin për veprat penale “pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Megjithatë, gjyqtari Lazer Sallaku vendosi që çështja ndaj tre të akuzuarve të pushohet pasi nuk ekzistojnë prova.

Lulzim Basha dhe Ilir Dervishi nuk ishin të pranishëm në sallë kur u dha vendimi. Kreu i PD u përfaqësua nga dy avokatët e tij, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.

Gjithçka ishte akuzë e sajuar. Nga dy vite hetime nuk kishte asnjë lidhje PD-ja dhe zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në një vend tjetër. Vepra penale dhe fakti nuk ekzistonte. Vendimi i sotëm ishte një vendim drejtësie për t’u përshëndetur. Ne jemi avokatët. Ky ishte një vendim që rrëzoi të gjithë gjuetinë e shtrigave. U rrëzuan të gjitha akuzat ndaj PD-së. Është pushuar akuza, fakti nuk ekziston”, tha avokati Halimi në dalje të Gjykatës.

I vetmi nga tre të pandehurit që ishte i pranishëm në sallë ishte ish-kreu i KQZ-së, Arben Ristani i cili u shpreh gjithashtu se vendimi i gjykatës ishte i bazuar në mos pasjen e provave.

“Shumë interesante për të treguar se çfarë ndodh kur Prokuroria bëhet pre e fustrimit për shkak të presionit të politikës. Prokuroria është shembulli konkret. prokuroria u paraqit me dy qëndrime, një që kërkonte të kthehej çështja dhe të shkonte në gjyq, dhe pastaj vjen një urdhët i tretë që përjashton një nga prokurorët një organ i c’organizuar. Unë ju thashë është një akuzë e montuar politikisht që u provua, kanë qenë veprime ligjore nga ana e PD-së, dhe mesa duket se sado të ndikojnë tek drejtësia do ketë njerëz që do japin drejtësi. Kjo është ajo që i mungon kjo popullit shqiptar. Ka paguar para që rrjedhin ga buxheti i saj që i ka deklaruar. Le ti turpërojmë këta prokuror që falsifikim me mosveprim, si mund të ndodh kjo gjë. Nik Muzin s’ka pse kërkon garanci këtu, por shtetit të vetë. Po të kishte të dhëna shteti vet do e kishte marrë në shqyrtim”, tha Ristani.”, u shprej ai.

Që prej qershorit të vitit të kaluar kur kreu i PD u thirr në Prokurori në lidhje me këtë çështje ai kishte akuzuar se ajo ishte montuar politikisht dhe se nuk ekzistonte asnjë provë që lidhte atë ose ndonjë zyrtar të PD-së me kundravajtjet penale të pretenduara. /Opinion.al2       

Share: