Home KRYESORE SPAK-u përmbytet me dosjet e kriminelëve ordinerë. Korrupsionin e madh e merr...

SPAK-u përmbytet me dosjet e kriminelëve ordinerë. Korrupsionin e madh e merr përsipër Zonja Eni Çobani

Një varg ngjarjesh shumë të çuditshme, por edhe shumë të rëndësishme, kanë ndodhur dy ditët e fundit, me problemet e shumta të drejtësisë.

SPAK-ut, i përbërë vetëm nga një grusht prokurorësh, i kanë rënë përsipër të gjitha hallet e kriminelëve ordinerë, krimit të organizuar dhe kriminelëve të panumërt, të liruar rishtaz nga burgjet.

Kjo super-mbingarkesë që është derdhur mbi SPAK-un, kërkon një zgjidhje urgjente.

Vetë zoti Spartak Ngjela, i cili këshillon dhe amerikanët, është më i trishturi për këtë bllokim të SPAK-ut, me çështje banale dhe me gjithë mendjen e tij të ndriçuar, ende nuk ka kuptuar se si mund të zgjidhet ky ngërç i paparë.

Por,  siç e ka treguar eksperienca, në Shqipëri nuk ka problem, që nuk zgjidhet dhe në këtë rast, papritur e pakujtuar, erdhi një zgjidhje nga njeriu më i ëmbël mediatik i vendit, zotni Ardit Gjebrea.

Meqenëse SPAK-u u mbyt deri në grykë me hallet e kriminelëve, Arditi propozoi, që të gjitha problemet e korrupsionit, të politikës së madhe, PPP-të, koncesionet, tenderat (përveç atij të Unazës së Re), të mos shkojnë më tek SPAK-u, por të kalojnë drejtpërdrejt tek Eni Çobani dhe të gjykohen përpara popullit, çdo të diel, në emisionin “E diela shqiptare”.

Kjo zgjidhje, nëpërmjet drejtësisë alternative, çliroi të madh e të vogël dhe bëri që populli shqiptar, më në fund, të merrte frymë i lehtësuar.

Që të realizohet me sukses ky operacion, pra Eni Çobani, të marrë përsipër gjithë këtë operacion të madh, për shpëtimin e Shqipërisë, që sot e tutje, lind nevoja, që të gjitha gjyqet dhe ndërmjetësimet e deritanishme të Eni Çobanit, në mënyrë që ajo të jetë plotësisht e lirë, i kalojnë SPAK-ut.

Kur Eni Çobani të ulë në bankën e akuzës, politikanët e lartë, pra hajdutët e këtij vendi, Arditi në një kolltuk të zi, do të ulet në mes të grave të publikut dhe herë pas herë do të ndërhyjë, për të kuptuar më mirë korrupsionin e të akuzuarve në panel, duke bërë gjithmonë pyetjen shteruese “pse?” dhe “pse jo?”.

E shqetësuar nga ky ndryshim i beftë programi, Ambasadorja e sapoardhur e Amerikës, Yuri Kim, pyeti:

– Çfarë është ky Eni Çobani?

– Është zonjë, shkëlqesi ambasadore. Por, vetëm kjo mund ta shpëtojë Shqipërinë, -shpjegoi Ardit Gjebrea.
Në këto 30 vjet, asnjë organ i drejtësisë nuk ka funksionuar në këtë vend,  përveç Eni Çobanit tonë. Kjo tregon, që ky vend, ashtu siç po plotëson nevojat me mjekësi alternative, te emisioni i Arianit, ka nevojë vetëm për drejtësi alternative. Këtë gjë,  di ta bëjë vetëm zonja Eni, e cila nuk ka nevojë as për vetting, sepse ka me vete garancinë e popullit shqiptar, që ajo i ka bërë magji dhe populli ynë i ditur, e ka shpallur zonjën më të ndershme, në rajon dhe më gjerë.

– Po ne i kemi paguar paratë për SPAK-un, sa para do kjo grua? – pyeti ambasadorja.

– Kjo grua nuk ka shumë nevojë për paratë tuaja zonja ambasadore, sepse kemi para alternative. Paratë alternative në Shqipëri nuk mbarojnë kurrë. Me kalimin e kohës edhe ju do ta kuptoni, se nga vjen, ku shkon dhe si prishet kjo para alternative.

Pas këtyre sqarimeve, Arditi mori aprovimin e amerikanëve dhe të huajve të tjerë dhe menjëherë lajmëroi Eni Çobanin, për këtë fat të madh që po i hapej, jo vetëm atdheut por edhe emisionit të tyre me super audiencë.

Si fillim, u lajmërua salçiçeria Hako, për shumfishimin e fondeve, për programin e drejtësisë alternative, përfshirë këtu edhe shtimin e sasisë së salçiçeve të tymosura, që do të hajë Arditi dhe pjesëmarrësit e pandehur, gjatë gjyqit.

Mbi vijimin e mëtejshëm të këtij operacioni, do t’ju bëjmë me dije hap pas hapi…

/TPZ.al/ Tej e këtej/

Share: