Home KRYESORE Turqeta juj! Vakti i parë i muhabetit… Nga Adela Kolea

Turqeta juj! Vakti i parë i muhabetit… Nga Adela Kolea

“Tironë:
Meremja Monit – e qujtme alla fronga si, “Mery” – ene sebepi i granisë, 8 Marsi osht tu u qas….” 😉 🌾

[…] masanej, tepsinë me revaninë me sherbet e dijte vetë Moni se ku ta bubrrojte, mu aty ke cepi odës, mulu me kapak alumini e me nji mulesë buke pri pamuku o komriku, e qenisme n’gjergjef me germat “M&M”, që i përkthe terxhumoni: “Moni & Mereme”.

🔼(Vakti i parë i muhabetit)

Meremja Monit ose “Mery” alla fronga, ate dite qe nrejt herët qysh m’sabah.

Kishte ftillu punt e shpisë me themel, se kshu ishte puntorja e meraklija modhe ajo.

Kishte pastëru hasrat përtokë e mineret, kishte mor pluhnat, i kishte dhon nji shtupë çementes mrena e masanej kishte nërru pantoflat, kishte vesh nallonet e drunit e kishte dalë me mbledh lëveret bardh si bora m’aborrt, që i kishte pas la me hinin pri oxhakut.

Masi i kishte bo palë-palë e vu me sira lëveret e lame n’synyk, i kishte lon ke oda cipër t’shtrumeve, rrobet e pastra për Monin:
benevrekët, jelekun, kmishën, qeleshen e opingat, se masdite i vishte për me dalë m’pjacë ai zotnia, për me hik ke Kahvja pjacës me bo nji selom e dy pare muhabet me burrat e mëhalles a çirakt e mejhones.

Masanej Meremja i kishte dhon ene i mshesë aborrit e nji t’ujitme me nji zorrë uji për me lag lulet e me heq pluhnin e rrugës n’aborrt, se pluhun aty ke shpia tyne me qerpiç boheshe majaft, se shpia ishte buzë rruge e ca tromobila kalojshin e qitshin tym t’zi për me t’bo helaq.

Meremja kishte hik ene ke bahçja mrapa shpisë me mledh ca pemë e zarzavate.

I kishte shti pemët mrena ke nji kaçile kashte, se Moni i dojte t’freskta për drekë e darkë kur t’hajte bukë, aty cipër sofrës.
E s’muneshin t’mungojshin sidomos qept e njoma.

Masi kishte bo gati gjellën e ditës: nji tenxhere me turli me mish e zarzavate për Monin, nja dy byftekna – naj qepshe gjelle i teprojte për drekë e naj qetër, për darkë Monit, sa për me i nrof kishte n’sobët – i kishte lon veç ene nji broke me ujë t’ftofët, gastaren e ujit aty afër, nji shishe raki pri asajt që i bojte dermon rrylit t’fytit t’Monit.

Masanej, tepsinë me revaninë me sherbet e dijte vetë Moni se ku ta bubrrojte, mu aty ke cepi odës, mulu me kapak alumini e me nji mulesë buke pri pamuku o komriku, e qenisme n’gjergjef me germat “M&M”, që i përkthe terxhumoni: “Moni & Mereme”.

Atëhere Meremja, masi rehatoi Monin me t’hongme e me t’pime për vaktet, se kush e nigjojte ate tu u anku, filloi tu u mor içik me veten për me u bo e bukur për festën që e priste n’akshomt me graninë mëhalles për sebepin e 8 Marsit…!

Me u bo e bukur e alla fronga, Mery-t ju dojshin jo ca orë, po ca ditë mo…

(Turqeta juj!
Vakti i dytë i muhabetit, nesër…) 😆

(Adela Kolea)

*Dialektet, idiolektet, të folmet lokale janë pasuri që duhet ruajtur e kultivuar, sot më tepër se kurrë, ndërmjet modernizimit dhe traditës.

Share: