Home KRYESORE Shkencëtarja shqiptare në SHBA, letër të hapur për popullin shqiptar: Vetëkarantimi për...

Shkencëtarja shqiptare në SHBA, letër të hapur për popullin shqiptar: Vetëkarantimi për 14 ditë, ruajtja e distancës dhe evitimi i takimeve

Shkencëtarja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donjeta Gjuka i ka dërguar një letër të hapur të gjithë popullit shqiptar.

Gjuka ka adresuar një sërë rekomandimesh që sipas saj janë ndihmuese dhe thelbësore për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Shqipëri. Larja e duarve me ujë të nxehtë, vetë-karantimi për 14 ditë, ruajtja e distancës dhe evitimi i takimeve janë disa nga rekomandimet e Donjeta Gjukës.

Letra e plotë:

Si shkencëtare në prag të doktoraturës në Qelizë dhe Biologji Molekulare në Universitetin e Teksasit në Austin, që punoj shumë në fushën e imunologjisë dhe rregullisht po e diskutojmë koronavirusin në departament, po e ndiej përgjiegjësi t’ju drejtohem të gjithëve me disa rekomandime (sidomos pasi kultura jonë është më sociale):

1) Për masa mbrojtëse ndaj vetes dhe të tjerëve, ju lutem për momentin: evitoni tubimet. Qëndroni në shtëpitë tuaja jo në grumbuj të mëdhenj, meqë për momentin nuk dihet kush është i infektuar dhe kush jo. Periudha e inkubimit të virusit është 2-14 ditë.

Simptomat e para shihen mesatarisht pas 5 ditësh të infektimit, por mund të zgjasë deri në 14 ditë pa simptoma. Prandaj distancimi edhe prej njerëzve pa kurfarë simptomash e sidomos që kanë udhëtuar në vende jashtë shtetit, ku ka raste pozitive për koronavirus, është i nevojshëm tani.

2) Sa më pak kontakt direkt me të tjerët. Përshëndetuni me një tungjatjeta, pa nevojë të shtrëngoni duart me njëri-tjetrin apo të përqafoheni. Nuk është histeri ose paranojë, është vetëm mbrojtje për vetën dhe të tjerët.

3)Pastroni duart shpesh me ujë te nxehtë për 20 sekonda. Përdorni dezinfektues kur nuk ka sapun.

4) Virusi jeton edhe jashtë trupit të njeriut në sipërfaqe të forta ose të buta për një kohë ende te pacaktuar definitivisht (varësisht temperaturës dhe lagështisë). Prandaj kujdes çfare prekni dhe lani duart pasi të keni kontakt me gjëra që prekin edhe të tjerët. Kujdes edhe me telefonat mobil të cilët shpesh vendosen në sipërfaqe të ndryshme dhe i prekim me duar.

5) Kujdes të posaçëm për të moshuarit dhe njerëzit me imunitet më të dobët (pacientat me kancer ose sëmundje të imunitetit). Fatmirësisht, për momentin nuk ka shumë raste në fëmijë, por sidoqoftë kujdes gjithashtu edhe për fëmijët pasi që imuniteti i tyre është ende në zhvillim.

6)Të moshuarve u sugjeroj të qëndrojnë në shtëpi. Ecja në natyrë është e shëndetshme por qëndroni larg të tjerëve (së paku 2 metra).

7) Palestrat (gyms) dhe parqet me lodra te fëmijëve, janë vende ku viruset mund te përhapen shumë shpejt dhe lehtë, do t’i evitoja për momentin.

8) Nëse paraqitni simptomat e virusit, evitoni kontaktet me të tjerët dhe testohuni.

Këto të gjitha janë masa për mbrojtje dhe jo për panik. Sidoqoftë, mbrojtja është shumë e nevojshme për parandalimin e përhapjes së virusit deri sa të bëhen zhvillime më të mëdha në shkencë për trajtim dhe vaksinim. Përndryshe, pa i ndërmarrë masat e nevojshme, mund të tejngarkojmë sistemin shëndetësor.

g.kosovari

Share: