Aty ku e ka folenë Shqiponja, ku flet shqip toka dhe qielli, guri dhe druri.
Një komb-një histori.
Nga Azgan Haklaj
Plava dhe Gucia, 2 hirushet e trojeve tona etnike përkunden prej mijëra vjeçarësh në djepin e legjendave.Aty, Lahuta e lashtë iliriane me tingujt kumbues dhe vajtimtarë përjetëson simbolet e pavdekshme të historisë shqiptare, Teutën dhe Gentin, Gjergj Kastriotin e Oso Kukën, Ali Pashë Gucinë e Jakup Ferrin.Në këto troje kreshnikësh me dragoj e zana, me mite e legjenda që vijnë nga kohët e vjetra pellazgo-iliro- arbërore ora e shqiptarisë rrin zgjuar e shqipet krenare patrullojnë qiejt e maleve që ngrihen përmbi re.Plava e Gucia nuk janë vetëm vatra të qendresës kombëtare për liri.Ato janë dy perla të bukurive shqiptare e një trevë ku është kultivuar në shekuj një pasuri mahnitëse etnokulturore.
Folklori, kënga e vallja shqipe, koloriti i veshjeve popullore janë ruajtur si askund tjetër duke i rezistuar rrebeshit të shekujve dhe hordhive barbare të cilat erdhën në këtë tokë të bekuar si pushtues.Eshtë kjo arsyeja, ky detyrim sublim ndaj të parëve tanë, ndaj Atdheut, historisë e kulturës së tij, që i ka frymëzuar djemt e vajzat, burrat dhe gratë e Plavë- Gucisë të ruajnë, kultivojnë e promovojnë këtë thesar të çmuar të kulturës shqiptare, të cilën e trashëguan nga të parët e tyre si një Testament të Shenjtë.
Artistët virtuozë të Plavë-Gucisë ka tre dekada që kanë themeluar Shoqërinë Kulturore Maja e Karafilit, duke e kthyer në traditë të përvitshme shpalosjen e folkut të rrallë të këngës dhe valles shqipe përmes dy aktiviteteve në të cilat marrin pjesë qindra artistë nga trojet tona etnike me emërtimin kuptimplotë;”Mirë se vini në Alpe” për më shumë se dy dekada dhe Festivalin “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon” tre edicione.
Në ditët e këtyre aktiviteteve Plava e Gucia shnderrohen natyrshëm e me plot meritë në kryeqytet të kulturës tonë kombëtare.SHKA Maja e Karafilit ka marrë pjesë në të gjitha festivalet kombëtare, koncertet, tematiko- patriotike të organizuara në të gjitha trojet arbërore nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut” si dhe në shumë evenimente kombëtare në mbarë hapsirën etnike, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.
Në Plavë- Guci flet shqip toka dhe qielli, guri dhe druri.Në këtë Eden shqiptarë, jeton në shekuj legjenda e Gjon Bales, djaloshit me bukuri qiellore të dashuruar me zanat, të cilat i dhanë forcë për të ngritur një gur 1000 okësh në majë të shkëmbit, jetojnë trimëritë e Jakup Ferrit dhe Ali Pashë Gucisë, në gurrat e të cilit rrjedh uji i ftohtë e i pastër si kristali.Në betejat epike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit burrat dragoj të Plavë- Gucisë zbritën ashtu si Gjergj Kastrioti duke e shnderruar mejdanin në log zanash e varr për armikun siç shprehet aq bukur kënga popullore për kryetrimin Jakup Ferri:”Me t’kallzue ty nanë të vjen seri (çudi)30 krena i ka pre një njeriN’ja lypsh emnin Jakup Ferri”.
3000 vjet më parë Akili para se të nisej për në Luftën e Trojës u këshillua me nënën e tij.Ajo zbuloi profecinë se po të shkonte në betejë do të vritej, por do të mbulohej me lavdi të përjetshme.Ashtu si stërgjyshi i tyre legjendar djemt trima të kësaj treve kreshnikësh nuk u menduan dy herë, por fluturuan si dragoj në zjarrin e betejave për liri, ku i thirri zëri i Atdheut.Në kullat epike të Plavë- Gucisë rrinë krahas jatagani, lahuta, çiftelia dhe grykëholla (pushka).
Sot jetojmë në një kohë paqje e kjo falë NATOS, aleancës e njëherësh gardianes së lirisë dhe BE, Shtepisë sonë të përbashkët.Eshtë koha të demonstrojmë përpara botës vlerat tona të vjetra e të shquara kulturore e qytetare, e SHKA Maja e Karafilit ka treguar prej dekadash se e kryen më se miri këtë mision nën moton:”Një Komb- një kulturë, një gjuhë një flamur, një Atdhe”.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut” në logon e të cilit është flamuri i Gjergj Kastriotit e konsideron Shoqërinë Kulturore Maja e Karafilit sëbashku me Treven e Plavë-Gucisë si një krah të Shqipes Arbërore.Papa Françesku tha në vizitën e tij në Tiranë: “Shqiponja, simbol i Flamurit të Atdheut tuaj është shpend i lartësive por nuk e harron folenë.Fluturoni lart”.Sëbashku do të fluturojmë lart për të veshtruar nga qielli madhështinë e Tokës Arbnore.