Home Gjeo-Ekonomia Brukseli, firma për Izraelin mund të minojë shpresat e Kosovës dhe Serbisë...

Brukseli, firma për Izraelin mund të minojë shpresat e Kosovës dhe Serbisë për BE

Vendosja e ambasadave në Jeruzalem mund t’i kushtojë rëndë Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Europian ka paralajmëruar dy shtetet se me lëvizjen e  fundit mund të minojnë shpresat e tyre për anëtarësimit në BE. Të premten e javës së shkuar, nga zyra ovale e Shtëpisë së Bardhë, presidenti Donald Trump njoftoi dakordësinë mes shteteve, për caktimin e një ambasade nga Beogradi në Jeruzalem dhe njohjen diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës, si pjesë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA.

Shtetet europiane janë kapur në befasi nga kjo pikë e marrëveshjes së firmosur, pasi sa i takon statusit së Jeruzalemit, vendet e unionit kanë qënë të qëndrimit se kjo çështje duhet të zgjidhet mes Izraelit dhe Palestinës. Shumica e 27 vendeve të bllokut kanë mbajtur qëndrim neutral duke i vendosur ambasadat në Tel Aviv dhe janë të mendimit që si një vend kandidat për bashkimin me bllokun, Beogradi zyrtar duhet ta respektojë këtë qasje.


“Nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-së me një ambasadë në Jeruzalem,” tha zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano. “Çdo hap diplomatik që mund të vë në pikëpyetje qëndrimin e përbashkët të BE mbi Jeruzalemin është një çështje shqetësuese” shtoi ai.

Stano tha se Bashkimi Europian ishte njoftuar më parë, vetëm për sa i përket aspekteve ekonomike të takimit në Shtëpinë e Bardhë, jo për lëvizjen që përfshinte Jeruzalemit.

Administrata Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017 dhe e zhvendosi atje ambasadën e SHBA-së, në maj 2018.

Në Beograd, zyrtarët serbë duket se po tërhiqeshin nga zotimi i bërë në lidhje me ambasadën. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç ka thënë se vendimi përfundimtar do të duhet të diskutohet nga qeveria dhe do të varet nga “shumë faktorë” duke përfshirë këtu zhvillimin e ardhshëm të lidhjeve me Izraelin.

I pyetur në lidhje me lëvizjen, Vuçiç tha se Serbia nuk e ka hapur atë kapitull akoma, por se qeveria serbe do të bëj më të mirën për të qënë në unison me deklaratat dhe  rezolutat e BE, sa më shumë që të jetë e mundur. Megjithatë, ai nënvizoi se Serbia do të kujdeset për interesat e popullit të vet.

Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka komunikuar në telefon me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, duke u përpjekur të qetësonte frikën e Turqisë dhe grupit të vendeve të Ligës Arabe në lidhje me vendimin për të njohur Izraelin. Thaçi deklaroi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin nuk do të cënojë në asnjë mënyrë, partneritetin strategjik, miqësor dhe vëllazëror mes Kosovës dhe Turqinë.

IZRAELI MIRËPRET VENDIMET E MARRËVESHJES SË NDËRMJETËSUAR NGA SHBA

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu ka konfirmuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, si shteti i parë mysliman që hap një ambasadë në Jerusalem.

“Kosova do të jetë shteti i parë me shumicë myslimane që do të hapë ambasadë në Jerusalem. Siç jam shprehur edhe më parë ditët e fundit, cikli izraelit i paqes dhe pajtimit po zgjerohet dhe priten t’i bashkohen edhe shtete të tjera,” ka shkruar Netanjahu në profilin zyrtar Twitter.

TURQIA KUNDËRSHTON HAPJEN E AMBASADËS SË KOSOVËS NË JERUSALEM

Turqia i bëri të dielën thirrje udhëheqësve kosovarë që të rishikojnë zotimin për hapjen e një ambasade në Jerusalem, vendim që sipas tyre mund të rëndojë situatën e Palestinës dhe për rrjedhojë të parandalojë njohje të tjera të pavarësisë së Kosovës.

Përmes një deklarate për shtyp nga ministria e Jashtme e Turqisë, Ankaraja i kërkoi Prishtinës që të respektojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara, të cilat theksojnë se konflikti mes Izraelit dhe Palestinës mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur të Palestinës me kufijtë bazuar në marrëveshjet e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

PALESTINA ASHPËRSON TONET

Udhëheqja palestineze deklaroi se do të ndërpresë marrëdhëniet me vendet që hapin ambasadë në Jerusalem ose transferojnë ambasadën nga Tel-Avivi në Jerusalem. Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës në një deklaratë në Twitter, bëri thirrje të gjitha vendeve të respektojnë drejtësinë ndërkombëtare, duke përfshirë rezolutat e sigurisë 478 dhe 23/34 të këshillit të sigurisë së OKB.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 17 shkurt 2008 por Serbia refuzon të njohë shtetësinë e saj dhe tensionet kanë qënë të ndezuara mes dy vendeve, që nga ajo kohë. Negociatat e lehtësuara nga BE, kanë filluar në mars 2011 dhe kanë prodhuar më shumë se një duzinë marrëveshjesh, por shumica e tyre nuk janë respektuar. Bisedimet u bllokuan në nëntor 2018 dhe rifilluan vetëm në korrik, kohë kjo kur nisi një përpjekje paralele negociuese nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ndërsa u takuan përsëri të hënën, Vuçiç dhe Hoti janë angazhuar sërish në rrugën evropiane, duke thënë se i japin përparësinë më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga blloku europian.

Paola Serjanaj

Burimi: Associated Press

Share: