Nga Gladiola Jorbus
Termi Zodiak e ka zanafillën në Greqinë e Lashtë dhe sipas astrologjisë, ” janë fenomene qiellore që pasqyrojnë ose rregullojnë aktivitetet njerëzore”, duke mbajtur parasysh se secila nga 12 shenjat e Zodiakut përfaqëson 12 personalitete themelore.
Shenjat e zodiakut kanë të bëjnë me mitologjinë, meqenëse vijnë nga Greqia dhe lidhen me një personazh apo legjendë të caktuar.
Mosmarrëveshja fillon me fjalët “astronomi” dhe “astrologji”. E para lidhet me studimin e objekteve qiellore, natyrën e tyre, origjinën dhe proceset fiziko – kimike. Falë astronomisë, njeriu ka prekur hapësirën dhe ka zbuluar më shumë sesa mund të imagjinonim mbi origjinën e universit.
Ndërsa astrologjia është studimi i lëvizjes së yjeve dhe ndikimi që ata ushtrojnë në jetët tona. Historia mbi 4000 vjeçare tregon se për qytetërimet antike ishte tejet e rëndësishme të parashikonin ndryshimet e stinëve dhe ngjarjet klimatike, por yjet, gjithashtu ishin pjesë e shpirtshmërisë së tyre. Më tej, me evoluimin e kohës dhe nën ndikimin e revolucioneve shkencore, vërtetësia e astrologjisë është vendosur në pikëpyetje dhe mungesa e besueshmërisë shkencore e ka përmbytur me dyshime.
Astrologjia daton që nga qytetërimet më të hershme. Babilonasit ishin ndër të parët që figurojnë të regjistruar për studimet e tyre rreth yjeve. Ishin ata që rreth shekullit të 4 p.K. u dhanë njohuritë e tyre helenëve dhe kështu Platoni, Aristoteli e të tjerë ishin në gjendje të studionin këtë disiplinë më në thellësi, duke gjetur rendin midis kaosit. Besohet se studimi i shenjave të zodiakut filloi me egjiptianët, të cilët ua dhanë atë babilonasve dhe këta të fundit ua pasuan dijen helenëve.
Siç e përmendëm më lart,shenjat astrologjike, vërtet u kodifikuan nga Babilonasit, por që nga viti 3000 p.K., në Mesopotami parashikimet u bënë duke u bazuar në pozicionin e Diellit, Hënës dhe pesë planetëve më të afërt të Tokës.
Babilonasit e ndanë qiellin që rrethonte vëzhguesin (zodiakun) në dymbëdhjetë seksione. Në secilin syresh kishte një konstelacion ose yjësi. Çdo muaj Dielli, në lëvizjen e tij të dukshme rreth Tokës, kalon nga njëra te tjetra. Shenjat e zodiakut u emëruan sipas këtyre yjeve.
Fuqia e Luanit dhe qetësia e Peshores. Secilës shenjë i atribuoheshin karakteristika të lidhura si me simbolin e shenjës (për shembull: Luani = fuqia), ashtu edhe me evolucionin psikologjik të lidhur me ndryshimin e stinëve. Kështu që për shembull, Dashi përfaqëson zgjimin e vrullshëm të pranverës, Gaforrja – pjellorinë e verës, Peshorja – qetësinë e vjeshtës dhe Bricjapi – energjinë nëntokësore të dimrit.
Yjet e zodiakut janë grupuar në yjësi, të cilave që nga kohërat më të lashta u janë dhënë emra të qenieve të gjalla, reale apo fantastike. Kjo shpjegon etimologjinë e emrit, që rrjedh nga greqishtja ζῳδιακός, “zōdiakòs”, një fjalë nga ana tjetër e përbërë nga ζῷον, zòon, “kafshë, qenie e gjallë” dhe ὁδός, hodòs, “rrugë, shteg”.
Në fakt, për shkak të lëvizjes revolucionare të Tokës, Dielli duket se udhëton në zodiak. Një tjetër variant është se “Zodiac” vjen nga fjala greke “zoon” që do të thotë kafshë dhe “kyklos” që do të thotë rrotë.
Ai është një brez qiellor i gjerë 18 gradë që zhvendoset përmes ekliptikës, e cila është vija e lakuar ku toka kalon rreth diellit, ose të paktën siç mund të vëzhgohet nga toka. Brezi është i ndarë në 12 yjësitë e njohura të zodiakut që lidhen me progresionin e stinëve. Emrat e shenjave zodiakale në latinisht: Aries, Taurus, Gemini, Cancer, Leo, Virgo, Libraque, Scorpius, Arcitenens, Caper, Amphora, Pisces.
Nga ana tjetër, këto dymbëdhjetë yjësi i përkasin katër grupeve, sipas elementeve natyrore, si më poshtë:
Shenja zjarri: Dashi, Luani, Shigjetari
Shenja uji: Gaforrja, Akrepi, Peshqit
Shenja ajri: Binjakët, Peshorja, Ujori
Shenja toke: Demi, Virgjëresha, Bricjapi
- Dashi, gjithmonë përpiqet të arrijë të gjitha qëllimet e tij. Përfaqësuesit e kësaj shenje janë njerëz energjikë që kanë vrull të madh në jetë. Të lindurit nën këtë shenjë respektojnë ligjet e shoqërisë dhe kanë shumë vendosmëri për të bërë gjërat që nga fillimi derisa të shohin të realizuar një punë plot prosperitet. Në mitologjinë Greke, Bashka e Artë është qethja e dashit me lesh të artë, me krahë, Chrysomallos, e cila u mbajt në Colchis. Bashka është simbol i autoritetit dhe mbretërimit.
- Demi, të lindurit nën këtë shenjë janë njerëz që karakterizohen nga durimi dhe këmbëngulja e madhe në jetë. Ata janë njerëz të besueshëm, u pëlqen të tregojnë dashuri dhe t’u bëjnë mirë të tjerëve. Të lindurit në këtë shenjë vlerësojnë shumë reflektimin dhe ndarjen e momenteve të lumturisë. Vetë princesha e bukur Evropa ra në dashuri me Demin (perëndia Zeus mori formën e një Demi).
- Binjakët janë njerëz shumë ekspresivë në shoqëri dhe u pëlqen të mësojnë gjëra të reja në jetë. Ata aplikojnë mendjen në veprimet e tyre, por nuk duan të mbingarkohen me gjërat e vogla që ndodhin. Ata janë njerëz shumë të zgjuar që e vlerësojnë realitetin. Në mitologji i korrespondojnë dy binjakë të lindur (Kastori dhe Poluksi) nga një vezë e hedhur nga Princesha Leda e Spartës, pasi kishte bërë dashuri me Zeusin e shndërruar në një mjellmë.
- Gaforrja, të lindurit në yjësinë e gaforres janë njerëz që u pëlqen të ndihen të dashur dhe të respektuar nga të tjerët, por shumë herë kanë tendencë mosbesimi. Ata pëlqejnë të duan dhe t’i duan, por tregohen gjithmonë selektivë, kur bëhet fjalë për të ofruar zemrën apo miqësinë e tyre të madhe. Në mitologji, kjo shenjë përfaqëson gaforren që sulmoi dëshpërimisht Herakliun, më konkretisht gaforren Carcinos.
- Luani, kësaj shenje i pëlqen të jetë dominuese, të tërheqë çfarë është e mirë, edhe pse shpeshherë bie në gabimin e të qenit pak egocentrik. Edhe pse janë udhëheqës të një guximi të madh, ata shpesh janë shumë xhelozë, sepse gjithmonë u pëlqen të tërheqin vëmendjen e të tjerëve. Në mitologjinë Greke, Luani është i lidhur me Nemean, luani i cili lufton Herakliu, si pjesë e 12 bëmave që duhet të kryente ai (Herakliu). Lëkura e Luanit ishte e padepërtueshme, e mbrojtur nga shigjetat dhe shpatat, prandaj iu desh ta vriste me duar të zhveshura.
- Virgjëresha, një shenjë e inteligjencës dhe e modestisë. Të lindurit në këtë shenjë janë njerëz që duan të punojnë dhe e dashurojnë cilësinë. Virgjëreshat janë qenie me mençuri të madhe, ato janë shumë perfeksioniste, saqë kjo mund t’u kthehet në fiksim. Në mitologjinë Greke, Virgjëresha përfaqëson titanen Astrea, bijë e Zeusit dhe perëndeshë që mbante rrezet e Zeusit në krahët e saj.
- Peshorja është shenjë e harmonisë dhe ekuilibrit të mirë. Të lindurit e kësaj shenje janë qenie me hijeshi dhe tregojnë shumë durim, u shmangen kritikave, pasi gjithmonë u pëlqen të japin një imazh pozitiv. Përfaqësohet në mitologji nga peshoret e perëndeshës së drejtësisë, Themis. Besohet se ka ndikuar në astronominë që praktikohej në Babiloninë e lashtë.
- Akrepi, një shenjë e fuqishme dhe me të vërtetë e vendosur. Gjithmonë i pëlqen të veprojë me vërtetësi; duken si njerëz të qetë, por gjithnjë evoluojnë duke arritur në pikën, që ndonjëherë u pëlqen të manipulojnë të tjerët. Në mitologjinë greke asociohet me Orionin, i cili u verbua nga dashuria dhe duke ecur u thumbua nga një Akrep që i shkaktoi vdekjen.
- Shigjetari, të lindurit në këtë shenjë janë njerëz kuriozë dhe i përshtaten çdo situate sepse vlerësojnë diversitetin. Ata e pëlqejnë shumë lirinë, por nganjëherë ata mund të ndihen të kornizuar nga situatat që përjetojnë. Në mitologjinë greke, Shigjetari përfaqëson një centaur, një krijesë magjike, gjysmë njeri – gjysmë kalë.
- Bricjapi, të lindurit në këtë yjësi konsiderohen shumë bujarë me të tjerët, duke treguar një profesionalizëm të madh për të arritur suksesin. Ata shfaqin këmbëngulje të madhe, por shpesh janë të ndrojtur. Në mitologjinë greke i referohet dhisë Amaltea, që ushqeu me gji Zeusin. Ajo, gjithashtu e mbrojti dhe nga titanët. Zeusi në shenjë falenderimi, e shndërroi Amaltean në konstelacionin Bricjapi.
- Ujori, shenja e vizionarëve, vëzhguesve të mëdhenj, njerëzve që shquhen për aftësinë dhe talentin e tyre dhe që gjithmonë mund të arrijnë çdo sukses në jetë. Ujorit i pëlqen vëzhgimi dhe ka dëshirë t’u shërbejë të tjerëve. Në mitologji kjo shenjë lidhet me mbretin mitik të Itakës, Odiseun, i cili shfaqet në Luftën e Trojës.
- Peshqit, një shenjë që lidhet me butësinë dhe besnikërinë. Peshqit janë shumë të pavarur, u pëlqen të kënaqin të tjerët, sepse ata kanë një karakter shumë empatik. Peshqit janë shumë të adaptueshëm. Ajo për të cilën duhet të kujdesen më sës shumti është ndjekja në mënyrë të njëtrajtshme e proceseve që duhen ekzekutuar në jetë. Peshqit në mitologji asociohen me fillimin e krishtërimit si dy peshq të ndërthurur; duke parë prapa në kohë, miti i Peshqve derivon nga lufta e Titanëve, në të cilën ndërhyn Zeusi.