Nga Kastriot Çipi, Pjesa e Dyte
Të nesërmen në mëngjes, ditë e hënë, 10 dhjetor, shkova në ILA, si zakonisht. U takuam një grup studentësh, të fakulteteve të Arteve Skenike dhe Arteve Figurative, me të cilët kishim arritur më parë një sukses modest: kishim sabotuar, përmes kaosit, zgjedhjen e sekretarit të ri të organizatës së rinisë të ILA. Për herë të parë një konferencë e BRPSH kishte përfunduar pa zgjedhur sekretarin e organizatës. Nuk na u desh ndonjë punë e madhe të bidnim studentët tiranas se atë ditë duhej të bojkotohej mësimi. Shumica e konviktorëve nuk kishin ardhur fare. Shumë shpejt, shumica e tiranasve u nis drejt Qytetit Studenti. Para se të ndaheshim pyeta Blendi Gonxhen se ku ishte Edi (Rama). “Nuk është këtu” – më tha. “Ku është?” – ngula këmbë unë, duke qenë se deri të shtunën në darkë vonë kishte qenë në ILA, në mbrëmjen kushtuar John Lennon. Madje ata që kishin qenë në mbrëmje deri në fund kishin dëgjuar thirrjet e studentëve protestues. Blendi vetë kishte shkuar në Qytetin Studenti. Për mua ishte mister ku kishte shkuar Edi. Por Blendi ishte i vendosur të mos ma zbulonte atë mister…
Si ish-nxënës i Politeknikumit, kisha disa ish-shokë klase që studionin në inxhinieri elektrike dhe elektronike. Shkova i kërkova në auditoret e Universitetit dhe së bashku, përhapëm fjalën për grevën studentore, që po niste atë ditë. I kënaqur me reagimin, u hodha një vrap sërish në ILA, për të parë nëse kishim ndonjë grevëthyes në Fakultetin e Artit Skenik. Akush nuk thoshte se nuk pajtohej me grevën, por kishte ca pak, që thoshin se do të vinin më vonë dhe mendja ma donte se gënjenin. Duke dalë, hasa Shefin e Katedrës së Regjisë, Vangjush Furxhiun. E dinim të gjithë se nuk ishte komunist, por nganjëherë ai bëhej edhe më i rreptë se pedagogët komunistë, duke shkarkuar mbi ne trysninë, që ata ushtronin ndaj tij. Nuk e dija si do të reagonte dhe e vonova një sekondë përgjigjen ndaj pyetjes së tij, se ku ishin shokët e mi të kursit. “Po ja, profesor, kanë shkuar në Qytetin Studenti…” Ai pyeti menjëherë pse dhe unë i thashë “Grevë…” Pa më lënë kohë të sqarohesha më tej, Vangjushi i mirë, i çliruar nga frika dhe paranoja e persekutimit, shpërtheu: “Atje të shkoni të gjithë! Po ti ç’bën akoma këtu? Marsh!”. Qesha, i lehtësuar dhe i lumtur dhe i thashë se kisha ardhur të kontrolloja për grevëthyes dhe do të nisesha për atje. Duke ikur më ndoqi zëri i Vangjushit “Atje të gjithë! Do të vij edhe unë!”. Dhe erdhi vërtet! Ishte i pari pedagog që na u bashkua.
Sheshi para mensës së Qytetit Studenti, që sot quhet “Demokracia” ishte jo fort i mbushur. Ndonëse pothuajse të gjithë kishin braktisur mësimin, jo të gjithë kishin ardhur në shesh. Edhe dritaret e konvikteve ishin plot me kurreshtarë të trembur.
Sheshpushimi i shkallares, që të çonte te hyrja e mensës, krijonte një farë ballkoni mbi shesh dhe aty ishte vendosur një grup studentësh, mes të cilëve njihja vetëm Blendi Gonxhen e tani edhe Azem Hajdarin. Ai “ballkon” u bë tribuna e atyre dy ditëve protesta, fillimisht me megafon e më pas me një qendër të thjeshtë zëri. Folësit kërkonin llogari për dhunën e ushtruar ndaj studentëve, pas takimit me Ramiz Alinë, recitoheshin poezi atdhetare, tregoheshin episode protestash, të njohura përmes bisedave nën zë, të ndodhura nga Shkodër e Kavajë, por nuk mungonte autocensura. Askush nuk hidhte parulla haptazi antikomuniste. E vetmja gjë tërësisht e lirë ishte repertori muzikor, që luhej në pauzat mes fjalimeve, kur mund të dëgjoje “Give peace e chance”, “Talkin’bout a revolution”, “Let the Sun shine in” apo këngë të tjera nga Joen Baez e Bob Dylan.
Të gjithë folësit i mëshonin faktit se kërkonin takim me Presidentin (jo me Udhëheqësin, apo Sekretarin e Parë të PPSH) Ramiz Alia dhe se pa ndodhur ky takim, nuk bëhej fjalë të ktheheshim në universitete.
Ai shesh i ngjante një ene ku ndodh një reaksion kimik. Gradualisht, por gjithmonë në të njëjtin drejtim të vendosur. Folësit guxonin të thoshin një fjalë më shumë dhe turma i nxiste duke i brohoritur e miratuar. Nuk e mbaj mend kush dhe kur thirri i pari “Liri! Demokraci!”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “E duam Shqipërinë si Amerika!” por ato u bënë shpejt thirrjet tipike të asaj proteste.
Në shesh qarkullonin edhe thashetheme, për sulme nga policia apo sambistët, por atmosfera ishte përgjithësisht entusiazte. Folësit filluan të prezantohen, duke cituar edhe universitetin apo fakultetin ku studionin. Shpesh ata u drejtonin thirrje bashkëstudentëve dhe këta të fundit përgjigjeshin me brohorima, si për të thënë “Fakulteti ynë është këtu”.
Herë pas here, ndonjëri nga folësit u drejtohej konviktorëve që na shikonin nga dritaret e konvikteve, të vendosura në 270 gradë rreth sheshit dhe atëherë, ne që ishim në shesh, ktheheshim nga të na vinte për mbarë dhe thërrisnim në kor “Nuk duam spektatorë!”. Kjo pati efekt, sepse njerëzit në shesh nisën të shtohen, ndërsa ata nëpër dritare u pakësuan.
Të nesërmen, e martë 11 dhjetor, shkova drejt e në Qytetin Studenti. Nga moshat e të pranishmëve mund të kuptohej lehtë se tashmë nuk ishim vetëm ne, studentët, në protestë. Kishte edhe gjimnazistë dhe më të rritur se ne. Ishin shtuar edhe pedagogët.
Nga Fakulteti ynë kishte ardhur Arben Imami dhe Kastriot Çaushi. Ajo ditë nisi me lajmin se do të mblidhej Plenumi i KQ të PPSH (i barazvlershëm me mbledhjet e këshillave kombëtare të partive të sotme). Sipas thashethemeve shumë të përhapura, Byroja Politike (e barazvlershme me kryesitë e partive të sotme) ishte ndarë në dysh, mes përfaqësuesve të linjës së butë, pra reformatore, të udhëhequr nga Ramiz Alia dhe atyre të linjës së ashpër, pra dogmatikë, të udhëhequr nga Nexhmije Hoxha. Gjashtë muaj më parë, kur ia kisha thënë këtë R. B. ai më ishte kthyer, duke më thënë: “Si nuk e kupton mor Kaç, se ata janë një? Ramizi u ndan dy lloj zarfash dhe u thotë “Ju do të jeni me rrenën A, ndërsa ju të tjerët me rrenën B”. Kaq!” Sidoqoftë, atë ditë ne prisnim çfarë do të ndodhte në Plenum. E dinim se do të diskutohej për protestën tonë. Ndonëse në media nuk kishte dalë asnjë rresht, asnjë fjalë, asnjë sekondë video, nuk kishte mbetur njeri në Tiranë pa e marrë vesh atë që po ndodhte në Qytetin Studenti.
Rreth orës 10 paradite, ndoshta, erdhi lajmi se Ramizi pranonte të takonte një përfaqësi studentësh, në Pallatin e Brigadave. Kështu nisi debati mes folësve, nëse duhej ta pranonim ftesën dhe të dërgonim një përfaqësi të zgjedhur, apo të prisnim që Ramizi të vinte në Qytetin Studenti, siç kishte qenë kërkesa fillestare. Azem Hajdari thoshte se ne duhej ta pranonim ftesën e Presidentit, sepse dialogu kishte më shumë rëndësi se sa forma, vendi apo protokolli. Ndërsa Blendi Gonxhe ngulte këmbë se Ramizi duhej të vinte në shesh, të takonte studentët, ashtu siç takonte në vendet e tyre të punës, bujqit apo punëtorët. Nja dhjetë folës rresht mbështetën herë njërin, herë tjetrin. Edhe në shesh nisi debati.
Dikur vendosa të flas dhe u nisa drejt ballkonit të shkallares, duke çarë me vështirësi mes protestuesve, që vinin e bëheshin më të ngjeshur, duke iu afruar qendrës së zërit. Mbërrita dhe kërkova fjalën. “Dua të flas” i thashë Azem Hajdarit, i cili rrinte i kërrusur, me një këmbë të përthyer, mbi një vazo betoni a parmak dhe e mbante mikrofonin shtrënguar pas gjoksit. “Çfarë do të thuash, – më pyeti, – për çfarë je?” duke iu referuar debatit për vendin e takimit me Ramizin. Nuk më pëlqeu aspak pyetja e tij dhe mora zjarr “Pse ore, ty do të të marr leje unë se çfarë të them?”. Ndërkohë pas studentëve që rrethonin Azemin kishte ardhur Sali Berisha. Nisur nga një artikull që ai kishte botuar më herët, por edhe nga dëshira për të marrë mbështetjen e pedagogëve, disa studentë e nxitën, pothuaj e shtynë të fliste. Azemi i dha mikrofonin. Unë i ktheva shpinën “tribunës” dhe nisa të zbrisja sërish në shesh. Në fund të shkallares më erdhi përballë Arben Imami. “Pse u ktheve? Pse nuk fole?” – më pyeti. “Sepse aty është një bajraktar, – iu përgjigja, – që nuk ta jep mikrofonin, po nuk i tregove më parë çfarë ke ndërmend të thuash.”
Ndërkohë kishte filluar të fliste Berisha. Studentët nuk miratonin asnjë fjalë të thënë prej tij. Fjalimi i tij ishte tepër konfuz. Në vend që të shprehej pro takimit me Ramizin në Pallatin e Brigadave apo në Qytetin Studenti, po na thoshte “Presidenti është me ne” dhe “Mos harroni Kosovën”… shkurt, po na ftonte të pushonim protestën se të gjitha kërkesat tona do të zgjidheshin nga Presidenti. Ky fjalim nuk është i xhiruar dhe vazhdimisht ngatërrohet me një tjetër, të bërë dy ditë më vonë, pas themelimit të PD. Studentët filluan ta kundështojnë duke lëshuar “u” e “y” të gjata dhe fishkëllima.
“Pse nuk flet ti, profesor” – pyeta Imamin. “Po nuk më takon, – më tha, – Këtë po e bëni ju, studentët”. “Po as Sali Berisha nuk është student” – ia ktheva. Kjo siç duket e bindi Imamin që tha shkurt “Dakord”. I hapa rrugën deri tek mikrofoni, duke e prezantuar si pedagog të Arteve. ILA kishte fituar një nam të mirë mes studentëve dhe ata që ishin aty, përfshi Azemin, e pranuan menjëherë, megjithëse askush nuk e njohu, ashtu me kasketë e me duart në xhepat e xhupit.
Imamit i takoi të fliste menjëherë pas Berishës dhe ai e gjeti menjëherë “çelësin” muzikor të duhur. “Ka çaste në historinë e kombit, – filloi të fliste shtruar ai, – kur pozita e intelektualit duhet të përcaktohet qartë. Kur janë përballë njëri-tjetrit studentët dhe tanket, secili duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Unë e kam bërë zgjedhjen time.” Studentët e brohoritën me pathos dhe Imami vazhdoi, më i sigurtë në vete: “Ata që vijnë këtu të na sjellin zërin e Presidentit, bëjnë mirë të dëgjojnë zërin tuaj dhe ta çojnë te Presidenti”. Me një fjali të vetme e asgjësoi Berishën. Pastaj hyri në temën e debatit të ditës dhe e bindi shumicën se takimi me Presidentin duhej pranuar, kudo që të bëhej.
(VIJON)