Home KRYESORE Komisioni i Posaçëm/ Manja: Po shohim mundësinë e marrjes së dëshmisë nga...

Komisioni i Posaçëm/ Manja: Po shohim mundësinë e marrjes së dëshmisë nga Dick Marty

Komisioni i Posaçëm Parlamentar që po skanon veprimtarinë e institucioneve shtetërore për hetimet e krimeve të supozuara të UÇK në territorin shqiptar u ka nisur sot kërkesë për informacion disa institucioneve.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu tha se bëhet fjalë për informacionet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e institucioneve shqiptare fillimisht me misionin e OKB në Kosovë, UMNIK dhe më pas me EULEX.

Pra bëhet fjalë për atë që njihet si bashkëpunim mes shteteve, një bashkëpunim i ndërsjellë juridik, i cili vjen sipas marrëveshjeve të nënshkruara që ka vendi ynë me Kosovën apo me Serbinë.

Për këtë të fundit, komisionit të Posaçëm parlamentar i ka mbërritur një informacion se gjatë 15 viteve të fundit Serbia ka dërguar disa letër-porosi në adresë të ministrisë shqiptare të Drejtësisë për të marrë informacion për çështje që lidhen me UÇK.

Dhe ky informacion që ka mbërritur tashmë është duke u verifikuar, dhe një prej kërkesave ka të bëjë me atë se çfarë ka kërkuar Serbia, përmes këtyre letër porosive.

Po ashtu do të merret informacion nga SHISH, aq sa është e mundur, i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka patur informacione të cilat mund t’ia ketë vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme po ashtu edhe ministrisë së Drejtësisë.

Për sa i përket informacionit që kërkohet nga Prokuroria e Përgjithshme, tashmë informacioni që kërkon komisioni është identifikuar dhe bëhet fjalë për 6 fashikuj, të cilat i janë dërguar EULEX, në vitin 2014. Kjo bazuar në ligjin që miratoi parlamenti i Shqipërisë në vitin 2012 për bashkëpunimin me task forcën hetimore të EULEX.

Por a do të ketë seanca dëgjimore me persona në dijeni të këtyre hetimeve në Shqipëri?

Gazetari Muhamed Veliu tha se po. Besohet se përpara këtij komisioni do të kërkohet të dëshmojë prokurori Arben Dylaj, i cili ka mbatur funksionin e ish-prokurorit të Matit, për arsye se ai ka shoqëruar Hoze Bajrabar, kreun e njësisë për të zhdukurit në Kosovë, i cili erdhi në Shqipëri dhe kreu hetime në 2004 në shtëpinë e verdhe në Mat. Po ashtu pritet të thirret edhe ish prokurori i Kukësit, Shpëtim Kurti pasi në 1999, 5 hetues të tribunalit për krimet në ish Jugosllavi të shoqëruar nga dy përkthyes, Lulzim Basha dhe Jon Hogson, që u vunë në dispozicion të tyre për llogari të punës hetimore për krimet në ish Jugosllavi.

Ndërkohë në mbledhjen e shkuar të Komisionit, Myslim Murrizi kërkoi që dhe senatori Dick Marty, përmes një video konference të thirret për të dëshmuar në këtë komision.

Por se sa e mundur është kjo, e thotë Ulsi Manja i pyetur nga Top Channel:

Kemi parashikuar seanca dëgjimore dhe dje vendosëm ta lëmë të hapur këtë çështje lidhur me kërkesën e Murrizit. Nëse kuadri ligjor e lejon këtë mund të bëjmë seancë me Dick Marty por dhe të tjerë që Murrizi ka kërkuar për të dhënë dëshminë para Komisionit. Por gjithmonë është në varësi të dokumentacionit që do të administrojë komisioni, sepse do të duhet t’i referohemi strikt objektit të Komisionit.

Objekti i komisionit është vlerësimi i bashkëpunimit të institucioneve shtetërore lidhur me verifikimin e të dhënave të raportit Dick Marty dhe siç është përcaktuar dhe në rezolutën e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Shqipëria ka patur detyrimin që të bashkëpunojë me autoritetet e huaja për t’i zbardhur këto të dhëna

Deri në shkurt mendoni se është kohë e mjaftueshme për të administruar dokumentet?

Besoj që po dhe brenda sesionit të parë të 2021 ky komision do t’i përmbushë detyrat që burojnë nga vendimi i Kuvendit.

Top Channel

Share: