Home Gjeo-Ekonomia “Përplasje” BE-SHBA për Skavicën: Brukseli tërhiqet nga puna e deritanishme që kishte...

“Përplasje” BE-SHBA për Skavicën: Brukseli tërhiqet nga puna e deritanishme që kishte bërë për këtë projekt

Nënshkrimi i një marrëveshje nga qeveria shqiptare me atë amerikane fundvitin e shkuar për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, ka ngjallur xhelozi e pakënaqësi në Bashkimin Europian.

Këtë e konfirmon ky dokument i hartuar nga Fondi Investimeve të BE për Ballkanin perëndimor siguruar nga gazetari i  Top Channel, Muhamed Veliu.

Në dokument fillimisht renditet progresi i bërë nga ky fond në shumë komponentë studimor për Skavicën duke lënë të kuptohet interesi i kahershem europian për këtë vepër kolosale energjetike.

Por është drejtoria për zgjerimin ne BE e cila thekson heqjen dore nga puna e bere deri me tani per Skavicen, menjëherë pas përfshirjes te amerikaneve ne këtë projekt. Në këtë dokument thuhet se:

“Problemet dhe vonesat u shkaktuan nga ndërhyrja komerciale e një kompanie konstruksioni amerikane. Drejtoria e zgjerimit në BE  lëshoi në datë 12.01.2021 duke kontaktuar Bankën e Investimeve Europiane për të ndërprerë menjëherë çdo ndihmë në këtë projekt. Drejtoria e Zgjerimit, fuqimisht këshillon që në të ardhmen asnjë lloj bisedimi të mos zhvillohet me autoritetet shqiptare”.

Në 3 tetor 2020 në Tiranë u nënshkrua marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt gati 50 vjecar që ishte në pritje.

Në Tiranë ishte vetë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për rritjen ekonomike dhe mjedisin, Keith Krack i cili bashkë më ministren e ekonomisë dhe financave Anila Denaj hodhën firmat në një memorandum bashkëpunimi, i pari këtij lloji pas marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve në vitin 1992.

Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës dhe energjisë Belinda Ballaku nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me presidentin për Europën të kompanisë amerikane Bektel.

Pala amerikane është angazhuar në dhënien e një kredie me terma të buta prej rreth 500 milion dollar, dhe do të shlyhet nga vetë hidrocentrali kur të nisë prodhimin e energjisë. Kjo marrëveshje i dha fund përpjekjeve nga palët e interesuara përfshi, Kinën në ndërtimin e kësaj vepre madhe hidroenergjitike./TCH/

Share: