Home KRYESORE Pandemia la shqiptarët pa martuar, ja sa kanë rënë celebrimet…

Pandemia la shqiptarët pa martuar, ja sa kanë rënë celebrimet…

Pandemia, që ra papritur në gjithë botën e Shqipëri ka ndryshuar shumë plane, po ashtu dhe shumë tregues demografikë në vend.

Karantina që zgjati nga mesi i marsit deri nga fillimi i majit paralizoi tërësisht jetën në vend. Por dhe muajt në vijim nuk ishin më të njëjtë, me kujdesin e shtuar dhe lëvizjet e kufizuara.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i martesave është tkurrur ndjeshëm në 2020-n. Sipas statistikave që institucionet shqiptare raportojnë pranë Eurostat, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me vitin e mëparshëm, celebrimet ranë me 22%.

Sipas muajve, tkurrja filloi që në muajin mars, ku u lidhën vetëm 640 akte martese, nga gati 1,700 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në prill, në kulmin e karantinës u realizuan vetëm 71 akte martese, me tkurrje prej 96% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe në maj, ndonëse në rritje me prillin, numri i tyre ra me 76% me bazë vjetore.

Numri më i lartë i martesave u realizua në gusht, me gati 2300, po sërish në tkurrje me rreth 9% në krahasim me gushtin e kaluar, një tendencë kjo që është e lidhur me kthimin e emigrantëve për pushimeve. Edhe në muajt në vijim, ndonëse kufizimet ishin më të pakta, sërish numri i martesave vijoi të bjerë (-11.7% në shtator dhe -14.3% në tetor).

Vetëm në nëntor u shënua një nivel i ngjashëm me muajin e një viti më parë (-4.5%). Rikthimi i kufizimeve në dhjetor dhe stepja e emigrantëve për të ardhur si rrjedhojë e kërkesave të shtuara në shtetet ku ata jetojnë, bëri që në dhjetor sërish aktet e martesave të binin me rreth 13.4%.

Edhe përpara pandemisë, numri i martesave në vend po vinte në rënie, duke reflektuar plakjen e popullsisë, emigracionin e lartë, ndryshimin e stilit të jetesës, rritjen e moshës së martesave etj. Ato kanë rënë mesatarisht në 22-23 mijë vitet e fundit nga 30 mijë që ishin në fillim të viteve ’90.

Rënia e martesave, por mbi të gjitha ndalimi i organizimit të ceremonive të dasmave ka dëmtuar rëndë dhe industrinë e lidhur me të, që nga kompanitë e organizimit të eventeve, ato të veshjeve, muzikantëve, të makeup etj.

Humbjet monetare për bizneset e organizimit të dasmave në Shqipëri, për shkak të moslejimit të tyre, llogariten rreth 165 milionë euro, sipas një studimi të pionierit të sektorit, zotit Armand Peza. Në studimin e tij, drejtuesi i kompanisë “Geraldina Sposa”, thotë se janë 27 mijë njerëz në sektor të papunë, apo me paga të reduktuara, ose me më pak se 1/4 e stafit të 1,350 subjekteve të eventeve, duke përfshirë: sallonet e nusërisë, kameramanët, fotografët, muzikantët, DJ, ndriçimi profesional, punonjësit e fonisë, të makinave me qira etj. /Monitor

Share: