Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi i mjetit të prokurorit Arjan Muça, mbrëmjen e kaluar, te “Komuna e Parisit”. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës konfirmojnë faktin se një kamera sigurie ka filmuar personin, që ka montuar minën me celular në makinë.
Siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, bëhet fjalë për një person që udhëton me një motor, i veshur me rroba të zeza, i cili ka hyrë në parking, ka montuar minën dhe është larguar.
Burime të besuara pranë grupit të hetimit konfirmojnë për “News24” dhe “BalkanWeb” se pranë vendit të ngjarjes është gjetur një bateri celulari, që tregon se mina është shpërthyer me celular. Kjo është një provë e fortë për zbulimin e autorit.
Mësohet se autori e ka pasur të qartë mjetin, ku do ta vinte bombën, pasi nga filmimet rezulton se ai i është drejtuar direkt mjetit të prokurorit, sapo është futur në parkingun e qendrës tregtare.
Atentatorët nuk kanë pasur qëllim vrasjen e prokurorit apo bashkëshortes së tij, por vetëm që t’iu dërgonin një mesazh kërcënues, dhe kjo nisur nga sasia e vogël që kanë vënë në mjet.
Itinerari që ndoqi makina ditën e djeshme:
Sipas të dhënave, mjeti përdorej nga bashkëshortja e prokurorit. Ditën e ngjarjes ajo është ngritur në mëngjes, ka shoqëruar bashkëshortin për në punë, më pas është nisur drejt Gjykatës Administrative, ku ajo punon. Pas pune, ajo ka shkuar dhe ka marrë bashkëshortin, kanë shkuar te stadiumi “Dinamo” dhe më pas në shtëpi.
Më vonë, mjetin e tyre e ka marrë djali i çiftit, ku ka lëvizur për dy orë në kryeqytet, është ndalur te një bankë e nivelit të dytë, dhe më pas ka shkuar dhe e ka parkuar. Hetuesit theksojnë se atentatorët nuk kanë pasur qëllim djalin e çiftit, por pikërisht këta të fundit.
(BalkanWeb)