Home KRYESORE Myftinia Shkodër : Përse të mos i restaurojë e rregullojë vetë...

Myftinia Shkodër : Përse të mos i restaurojë e rregullojë vetë qeveria e vendit tim..?

Nga Imam Muhamed B. Sytari  

Kjo e shtunë ishte e mbushur me takime e vizita, bashkëbisedime e këshilla të vyera nga njerëz të urtë e të ditur, që e bënë të veçantë pasxhumanë e kësaj jave.

Së bashku me një grup studiuesish islamë vizituam disa nga stacionet e spikatura islame të qytetit të Shkodrës, duke u përqendruar tek Xhamia e Plumbit, me gjurmët shekullore islame përreth saj, si dhe Xhamia shumëshekullore e Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë Rozafa.

Xhamia e Plumbit, përtej kënaqësisë shpirtërore dhe prehjes që të dhuron, të frymëzon edhe një ndjesi pasigurie dhe mosbesimi tek shteti dhe qeveria (ngjyrat politike në këtë aspekt janë një ngjyrim!?), që sidomos në këto 25 vite ka toleruar që kjo zonë turistike dhe e trashëgimisë së veçantë shpirtërore islame të bëhet mishmash, të zaptohet, të tjetërsohet, të degjenerohet, të deformohet e thuaj sa të duash terma e fjalë që vërtetojnë katrahurën urbane në këto vende…

Të gjithë kemi ngelur me sy nga Turqia, Kuvajti, Arabia Saudite, Emiratet, Katari e ndonjë shtet tjetër me emër islam, që të vijë e të na sjellë milionat e eurove për restaurimin dhe rregullimin e kësaj xhamie dhe shumë të tjerave si Xhamia e Plumbit, se për xhaminë e kalasë nuk bëhet fjalë për momentin!?

received_10153869580777631Ne duhet të shprehim një mirënjohje të thellë për këto shtete dhe organizatat e ndryshme bamirëse të tyre, që e kanë mbajtur të gjallë atmosferën e rimëkëmbjes së infrastrukturës islame në këto dekada, me xhamitë, medresetë, shkollat e kopshtet, shtëpitë e të moshuarve e shumë e shumë projekte të dobishme të realizuara anëmbanë Shqipërisë! Madje, unë besoj se ne nuk jemi treguar mirënjohës sa duhet me ta! Por, nga ana tjetër, është e turpshme për qeverinë e vendit tim, (a të paktën kështu duhet të jetë), që në veçanti objektet e trashëgimisë së spikatur shpirtërore si: Xhamia e Plumbit, xhamitë e kalave, e Gjin-Aleksit, në Berat, në Elbasan e shumë e shumë të tjera, të ngelen në fatin e investimeve të qeverive të huaja, jo asaj shqiptare!

Përse të mos i restaurojë e rregullojë vetë qeveria e vendit tim, por të presim sadekatë e qeverive të tjera mirëbërëse? Jemi në vitin 2016 dhe çuditërisht, qeveritë shqiptare të këtyre dekadave të fundit, thuajse nuk kanë shpenzuar asnjë lek për objektet e trashëgimisë islame të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë? A nuk ju duket e habitshme dhe paradoksale kjo gjë?

Sepse një qeveri që nuk respekton shpirtin e masës së gjerë të një vendi, nuk e meriton të jetë drejtuese e tij! Moralisht, ajo qeveri, cilado qoftë ajo, ka rënë në sytë e besimtarëve, nuk ka asnjë vlerë, asnjë peshë, kur nuk vlerëson shpirtin dhe besimin, që është tabani i vlerave kombëtare!

Një qeveri që përdor maskën e laicizmit, kur është fjala për Islamin e përqindjes dominante të këtij vendi dhe, po atë maskë e heq dhe e zëvendëson me entuziazmin e investimeve pa fund në zonat joislame, madje edhe në objektet e kultit të komuniteteve minoritare, në fakt dëshmon hipokrizi dhe serviliziëm, racizëm dhe islamofobi, që kurrë nuk duhet toleruar!

Vizitat e kësaj dite na dhuruan kënaqësi pa fund, por edhe një keqardhje të madhe për pasivitetin tonë të theksuar në kërkimin e të drejtave legjitime, sidomos ato në hak të botës tonë shpirtërore…

received_10153869580677631Më dukej se herë pas here, në horizonte lexohej ajeti 11 i sures Err-Rrad: “All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre”….

Shkodër, më 19 mars 2016

Share: