Nga Gladiola Busulla
Lulëz e brishtë,
krenare, e qashtër.
Bukuroshe pelegrine,
me faqe të purpurta,
si agimi që zgjohet mbi liqen.
Drithërojnë zambakët
nga amëza erëmirë e kraharorit tënd.
Shikimi hesht…
mbi siluetën e qelibartë,
mbi nektarin hyjnor të buzëve të tua.
Vesa pikëzon puthjen e mëngjesit,
si margaritar që fshihet, në guaska butakësh.
Lermë të prehem në tokën e mbarsur,
me barbarozë, livandë e vetmi.
Nën murmurimën e një qielli të murrët,
ku perënditë përgjërohen, për pakëz dashuri.