Home KRYESORE Manaxherët: Profesionistë apo sharlatanë!

Manaxherët: Profesionistë apo sharlatanë!

Nga Dr. Enriko Ceko

Shpesh dëgjojmë për manaxherët, apo se dikush është manaxher e se dikush manaxhon diçka, etj si këto. Ka shumë individë që mburren se janë manaxherë subjektesh publike dhe private, bankash, rrjete dyqanesh, pronash, hotelesh, restorantesh, artistësh, etj, por në fakt fjala manaxher është pothuajse e pakuptueshme për shumicën e njerëzve.

Manaxherët janë administratorë të një organizate publike apo private, produkti, shërbimi, grupi njerëzish apo individësh, projektesh, etj. Menaxherët e biznesit drejtojnë punën në mënyrë që të përdorin në mënyrë sa më produktive burimet njerëzore, financiare dhe materiale. Për këtë ata duhet që të kenë njohuri për shumë fusha të ndryshme dhe të jenë specialistë në një apo disa nga fushat e tilla si manaxhimi i burimeve njerëzore, manaxhimi i projekteve, manaxhimi i produkteve dhe shërbimeve, manaxhimi marketing, manaxhimi financiar, etj dhe duhet që të kenë njohuri të forta në formën e ekspertizës edhe në fusha të tilla si e drejta e biznesit, teknologjia e informacionit, etj.

Përveç aftësive, njohurive dhe kompetencave teknike, manaxherët duhet që të kenë edhe aftësi e cilësi personale, që janë të nevojshme në kryerjen në mënyrë efikase dhe efektive të detyrave dhe përgjegjësive të caktuara.
Në disa subjekte, kryesisht në subjektet e mëdha publike dhr private, manaxherët zëvendësojnë pronarin apo grupin e pronarëve në drejtimin e këtyre subjekteve dhe japin llogari përpara pronarëve për rezultatet. Në rastin e shtetit, pronari është qeveria, të cilën e legjitimon populli me anë të votës për të manaxhuar buxhetin e shtetit, pra taksat që paguajnë qytetarët dhe në rastin e biznesit të madh, pronarë janë aksionerët.

Këta manaxherë të këtyre organizatave të kësaj natyre quhen drejtues ekzekutivë apo administrator, që manaxhojnë një organizatë të tërë. Këta kanë detyrë të maksimizojnë vlerën e biznesit, që lidhet me maksimizimin e çmimit të aksioneve, pjesës së tregut, të ardhurave, etj.

Në organizata ka edhe manaxherë që kanë për detyrë manaxhimin e elementeve të të ardhurave dhe kostove të bizneseve, të mbikëqyrin funksionet e marketingut dhe shitjeve të firmës, të manaxhojnë operacionet e përditshme të biznesit, etj.

Të tëra këto punë realizohen me anë të kryerjes së disa prej funksioneve manaxheriale të tilla si planifikimi, organizimi, drejtimi, buxhetimi, motivimi, delegimi, koordinimi, marrja e vendimeve, kontrolli, etj, në mënyrë që të mund të arrihen rezultatet e paracaktuara me anë të objektivave afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata, që në fund të fundit, nëse realizohen, bëjnë të mundur arritjen e misionit dhe vizionit të organizatës.

Në varësi të organizatës, përveç drejtuesit ekzekutiv, manaxherët mund të jenë zv drejtues, manaxher rajonal, manaxher reparti, manmaxher produkti dhe / ose shërbimi, manaxher projekti, manaxher shitjesh, manaxher klientësh, etj.
Në organizatat që merren me teknologji të ndryshme, manaxherëve të përgjithshëm shpesh u jepet titulli manaxher i produktit.

Në kompanitë e produkteve të konsumit, manaxherëve të përgjithshëm shpesh u jepet titulli manaxher i markës ose manaxher i kategorisë së produkteve. Në firmat e shërbimeve profesionale, manaxheri i përgjithshëm mund të mbajë tituj të tillë si partner biznesi, drejtor i përgjithshëm, etj.
Manaxheri i produktit dhe / ose shërbimit është një rol profesional që ka përgjegjësi për zhvillimin e produkteve dhe / ose shërbimeve të organizatës.

Manaxherët e projekteve janë profesionistë në fushën e manaxhimit të kohës, parave dhe burimeve për realizimin e projekteve. Ata janë përgjegjës për planifikimin, prokurimin dhe ekzekutimin e projekteve. Këta janë pika e parë e kontaktit për çdo çështje ose mospërputhje që lind përgjatë rrugës për realizimin e projektit.

Manaxherët e programeve janë individë përgjegjës për manaxhimin e disa veprimtarive të ndërthurura me anë të të cilave synohet përmirësimi i performancës së organizatës. Në praktikë, puna e manaxherëve të programeve lidhet ngushtë me inxhinieringun e sistemeve, inxhinieringun industrial, manaxhimin e ndryshimeve, transformimin e biznesit, etj.

Manaxheri i marketingut të produktit është përgjegjës për veprimtaritë e marketingut të produktit, të tilla si reklama, publiciteti, marrëdhëniet me publikun, promocioni, etj.
Manaxheri i pronave është një person i autorizuar për administrimin e pronave të paluajtshme përkundrejt tarifës, kur pronari nuk është në gjendje të marrë pjesë personalisht në detaje të tilla, ose nuk është i interesuar ta bëjë këtë veprimtari.

Manaxheri i artit dhe / ose i artistëve është një individ që drejton tregiun e produkteve dhe shërbimeve të fushës së artit dhe karrierën profesionale të artistëve. Këta janë përgjegjës edhe për këshillimin e këtyre subjekteve.

Pra, duket qartë se për të qenë manaxher, pavarësisht në cilën detyrë apo cilin pozicion, është e nevojshme për të patur aftësi, njohuri dhe kompetenca, pra për të qenë profesionist.

Profesionist është çdo person që fiton jetesën nga një veprimtari e caktuar profesionale dhe që është anëtar i një shoqate profesionistësh, dhe, për të qenë profesionist duhet që të plotësosh standardet e arsimimit dhe aftësimit për të qenë anëtar i një grupi njerëzish që janë profesionistë në një fushë të caktuar, në mënyrë që këta profesionistë të mund të arrijnë që të kryejnë rolin e tyre specifik brenda profesionit që kanë zgjedhur.

Nga ana tjetër të jesh profesionist në fusha të tilla siç është manaxhimi, është e nevojshme që të shërbesh edhe në aspekte speciale dhe të rëndësishme si interesit publik dhe e e mira e përgjithshme e shoqërisë. Në ditët tona, në perëndim, termi profesionist i atribuohet edhe një shtresë të veçantë shoqërore të individëve të mirëarsimuar që gëzojnë autonomi të konsiderueshme pune dhe që zakonisht merren me punë krijuese dhe sfiduese intelektuale, ku përfshihen edhe manaxherët.

Përveç kësaj, shumica e profesionistëve u nënshtrohen kodeve të rrepta të sjelljes, duke parashikuar detyrime rigoroze etike dhe morale. Standardet profesionale të praktikës dhe etikës për një fushë të caktuar zakonisht bien dakord dhe mirëmbahen përmes shoqatave profesionale të njohura gjerësisht.

Kodet e etikës dhe sjelljes, të dakordësuara dhe të mirëmbajtura përmes shoqatave profesionale, janë një element kryesor i asaj që përbën çdo profesion. Është e dukshme se edhe në Shqipëri tashmë ka ardhur koha që edhe profesioni i manaxherit të rregullohet me ligj, ashtu si profesioni i kontabilistit të miratuar, ekspertit kontabël, noterit, avokatit, veterinerit, dhe disa profesioneve të tjera.

Pra, nga sa parashtrova më lart, duket se sa larg jemi në Shqipëri në lidhje me profesionin e manaxherit, pasi është e dukshme se fare pak drejtues ekzekutivë janë në gjendje të përmbushin tërësisht apo qoftë edhe pjesërisht parametrat e të qenit manaxher dhe nëse ata që janë tashmë drejtues nuk janë manaxherë por kërkojnë të duket si të tillë, nuk janë gjë tjetër veçse sharlatanë.

Sharlatanët, apo ndryshe mashtruesit janë persona që, për të fituar para, famë apo avantazhe të tjera, praktikojnë mashtrimin. Fjala sharlatan vjen nga një fshati Cerreto di Spoleto, në Peruxhia, Umbria, Itali, që tashmë ka vetëm 200 banorë, të cilët pothuajse çdo ditë grinden me njëri tjetrin.

Më vonë, termi është përdorur në frengjisht, spanjisht dhe anglisht për të përshkruar ata që kërkojnë të mashtrojnë në lidhje me tregtimin e produkteve dhe / ose shërbimeve.
Sharlatanë klasikë në historinë botërore njihen për shembull (1) Alfredo Bowman, i cili pretendonte se mund të shëronte të tëra sëmundjet me barëra dhe një dietë unike vegane, me bazë alkaline, (2) Charles Ponzi, emrin e të cilit ka marrë edhe “skema Ponzi” një mashtrim që mbështetet në krijimin e piramidave të “investitorëve”, që kontribuojnë me para në një program mashtrues, (3) Bernard Madoff, që drejtoi skemën më të madhe Ponzi në botë, duke mashtruar investitorët me një shumë prej 18 miliardë dollarësh (skemë që ne shqiptarët e kemi provuar me piramidat në vitet 1997 – 1998), (4) Grigori Rasputin, një njeri i vetëshpallur i shenjtë dhe shëronjës, që fitoi ndikim të konsiderueshëm në familjen e Car Nikollës II në Rusi, që më vonë u përfshi edhe në trazirat politike që sollën rrëzimin e Carit, dhe daljen në skenë të komunistëve.

Në Shqipëri, nga mënyra se si po rrokullisen ngjarjet, duket se kemi të bëjmë me një shtresë manaxheriale jo profesionale në të tëra nivelet. Fakti se shumica e organizatave publike dhe private shfaqin shenja të dukshme vështirësish dhe mungesë aftësie për t’u përballur me gjendjen e krijuar nga pandemia e Covid – 19, tregojnë fare mirë se manaxherët janë më shumë të paaftë se sa profesionistë dhe paftësinë vetëm një hap ndan nga sharlatanizmi.

Shikojmë pothuajse çdo ditë individë arrogantë dhe mendjemëdhenj që dalin në publik, duke pretenduar se janë drejtues dhe që nuk kanë aftësi, njohuri dhe kompetenca për fushën për të cilën janë drejtues. Ka shumë prej këtyre tipave që nuk kanë asnjë lloj aftësie komunikimi dhe që në më të shumtën e rasteve edhe njohuritë gjuhësore dhe shprehëse i kanë të mangëta.

Përgjatë sezonit të verës që në Shqipëri përkon edhe me pikun e veprimtarisë së industrisë së hoteleri turizimit, në mediat e ndryshme audiovizive shfaqen individë që pretendojnë se janë manaxherë të resorteve, holeteve, bareve e restoranteve, që pretendojnë se janë drejtues të agjensive turistike dhe të shoqatave të hoteleri turizmit, etj, të kësaj natyre, apo se janë pedagogë manaxhimi dhe të fushës së hoteleri turizmit, që sapo artikulojnë tre a katër fjalë tregojnë menjëherë se janë sharlatanë dhe se nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me sektorin për të cilin guxojnë dhe flasin.

Për shembull, raste konkrete janë disa individë që pretendojnë se janë manaxherë resortesh të mëdha turistike, por që në fakt janë thjesht disa sharlatanë që bëjnë lidhjen midis resorteve dhe atyre që këndojnë me shalë e gjokse jashtë. Pra, janë indidivë që manaxhimin e lakuriqësisë e shesin si manaxhim resorti dhe manaxhim arti dhe artistësh.

Edhe në sektorë të tjerë rastet e sharlatanizmit janë të shumta. Për shembull, në ujësjellës kanalizime dhe energjinë elektrike, sharlatanizmi shfaqet në borxhin fiktiv që kanë këto organizata publike, në të cilat në mjaft apartamente faturohen për të njëjtin aparat matës uji dhe dritash disa fatura, aq sa herë është shitur apartamenti.

Kjo sepse edhe pasi apartamenti është shitur, ujësjellës kanalizime dhe operatori i shpërndarjes së energjisë, nuk mbyllin librezën, një veprim ky mjaft i thjeshtë, por që nxjerr me humbje këto korporata.
Sharlatanizmi shfaqet hapur nga fundi në majën e piramidës manaxheriale të shtetit, kur dogmat dhe demagogjia nuk kanë të mbaruar.

Po ky lloj sharlatanizmi shfaqet hapur edhe në prokurimet publike, edhe në koncesione edhe në partneritetet publike dhe private, në dogana, hipoteka, etj.

Fakti që çmimi i shitjes së apartamenteve në Shqipëri është ndër më të lartët në botë dhe se një shqiptari të thjeshtë dhe të pakorruptuar i duhen më shumë se 45 vite për blerë një apartament të thjeshtë, kur homologut të tij në Evropë i duhen vetëm 8 – 10 vite, nuk tregon vetëm se në vend ka korrupsion dhe se apartamentet blihen kryesisht me para të pista dhe kryesisht para droge, trafikimi substancash ilegale dhe qeniesh njerëzore, por tregon se manaxherët në pushtetin qendror dhe vendor që lidhen me lejet e ndërtimit nuk janë profesionistë, dhe se ata që pretendojnë se janë manaxherë pronash nuk kanë dhe nuk respektojnë kodet e etikës dhe biznesit dhe se niveli i sharlatanizmit ndër ta është në kulm.

Në Shqipëri është investuar shumë në ngritjen e një shtrese manaxheriale. Investimi është si publik ashtu dhe privat. Në fillim të viteve 1990, shkolla e lartë shqiptare pësoi një transformim të thellë në riorganizimin e programeve ekonomike, kryesisht për formimin e profesionistëve në fushën e manaxhimit, pasi në fushën e financës, ekonomiksit, etj, ishte më e thjeshtë. Në sektorin privat të arsimit të lartë, pothajse çdo institucion i arsimit të lartë, ndër programet e studimit ka edhe programe në nivelet bachelor dhe mastër në manaxhim, pa lënë mënjanë nivelin e mësimnxënies dhe mitdhënien dhe mitmarrjen në këtë segment, duhet thënë se shkolla shqiptare e manaxhimit ka dhënë kontribut në formimin e një shtrese manaxheriale, por tashmë është koha që shtresën manaxheriale që kemi krijuar dhe brezat e ardhshëm të manaxhimit që do dalin nga kjo shkollë të jenë më të aftë, të kenë më shumë njohuri dhe të jenë të pajisur edhe më shumë me kompetenca dhe sidomos me kode etike dhe biznesi, në mënyrë që profesionalizmi të fitojë mbi sharlatanizmin.

Nga ana tjetër për këtë shtresë manaheriale është shumë e nevojshme trainimi pas përfundimit të shkollës përgjatë tërë jetës, si për ata që janë të punësuar në sektorin public, ashtu dhe atë në sektorin privat, në mënyrë që sejcili prej këtyre manaxherëve të mbetet i përditësuar më të rejat e fushës së manaxhimit dhe të aplikojë në praktikë në vendin e punës aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e përditësuara, gjë që rrit mundësinë që sharlatanizimi të mos zerë vendin e profesionalizmit.

Share: