Home KRYESORE Shkrimet e mediave greke, Meta: Presidenti nuk jep llogari para asnjë ambasade

Shkrimet e mediave greke, Meta: Presidenti nuk jep llogari para asnjë ambasade

Presidenti, Ilir Meta ka reaguar pas shkrimit të publikuar mëngjesin e sotëm në mediat greke të cilat e cilësonin një ekspozitë të zhvilluar në ambientet e jashtme të Presidencës për Çamërinë si provokuese dhe theksonin se ambasada greke në Tiranë do të kërkonte shpjegime për këtë.

Për “News 24”, zëdhënësi i Presidentit të Republikës Tedi Blushi sqaron se Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Më tej në reagim theksohet se çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.

Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan”./Opinion.al

Share: