Home Gjeo-Ekonomia “KONFERENCA E LONDRËS, NJË KAZINO POLITIKE” libri më i ri dr. Koço...

“KONFERENCA E LONDRËS, NJË KAZINO POLITIKE” libri më i ri dr. Koço DANAJT

Ngq Demir Reshiti

Në prag të festave të nëntorit, pa dritën e botimit Vëllimi i tretë i Platformës SHQIPËRIA NATYRALE, me titull “Konferenca e Londrës, një kazino politike – The London Conference, a political casino” i autorit Koço DANAJ.

Libri u botua në edicion të Shtëpisë Botuese “Thesari” me redaktor Demir Reshitin, dhe recensues Pano Hallkon.
“Konferenca e Londrës, një kazino politike  – The London Conference, a political casino” është shtypur paralelisht në gjashtë gjuhë (shqipe, angleze, gjermane, franceze, ruse dhe italiane).

Libri hapet me një “Ftesë për ta lexuar” që autori ua drejton: Ministrave të jashtëm të Britanisë së Madhe, Rusisë, të Francës, të Gjermanisë, të Italisë dhe Austrisë, dhe ia ven për dijeni Sekretarit Amerikan te Shtetit.

Autori në “Ftesë…”, rreshton një varg arsyetimesh të nxjerra nga studimi dhe analiza që ia ka bërë të ashtuquajturës Konferenca e Londrës, e viteve 1912-1913, e cila copëtoi në Pesë pjesë kombin shqiptar.
Danaj nënvizon se duke studiuar në vazhdimësi diskutimet në këtë Konferencë që nga 16 dhjetori i vitit 1912, deri në 29 korrik 1913; duke studiuar thelbin e kësaj konference dhe qëllimin për të cilin ajo u mblodh; duke studiuar lidhjen e saj me konferencat e mëvonshme në të cilat dhe për të cilat u fol dhe diskutua për kombin shqiptar; duke u bazuar në gjendjen aktuale të kombit shqiptar, si dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; Mund të konkludohet se: Takimet e ambasadorëve të 6 fuqive të mëdha, Italisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë, nën drejtimin e ministrit të jashtëm britanik Edwuards Grey, nuk përbëjnë bazën e mjaftueshme për të qenë një konferencë.

“Për më tepër, nuk përbëjnë bazën për të qenë një konferencë zyrtare” konstaton autori duke afruar një serë argumentesh që sillen në favor të tezës së lartpërmendur.

“Ajo që quhet Konferencë e Londrës, është më së shumti një seri takimesh të ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha, gjatë periudhës 16 dhjetor 1912 deri në 29 korrik 1913. Më shumë ajo i përngjan një ‘kazinoje politike’, konstaton dr. Danaj dhe ofron disa fakte të nxjerra nga “Kujtimet” e vetë drejtuesit të Konferencës, ish-ministrit të jashtëm britanik Edwuards Grey.

Një parathënie të gjatë të titulluar “E VËRTETA, SHËTIT PA VIZË” e ka shkruar recensuesei i librit, studiuesi Pano Hallko, i cili për librin thekson se është i një lloji të veçantë. “Nuk ngjan me librat që ata kanë në bibliotekat e tyre, sepse ka disa veçantësi. Është një libër i madh e i rëndë, po jo nga përmasat fizike. Është edhe libër, edhe Akt. Më mirë të themi, është një Akt i botuar në libër”, nënvizon Hallko duke theksuar se për vite të tëra, autori i këtij libri, me nivel të lartë njohjeje dhe analizë të mprehtë, ka përcjellë zhvillimet politike në Ballkan e më gjerë, zhvillime të cilat, të paktën brenda Ballkanit, “ngado të rrotullohesh”, nxjerrin në pah çështjen ende të hapur e të pazgjidhur shqiptare…


“Koço Danaj u drejton një ftesë të gjithë drejtuesve të shteteve dhe të qeverive Evropiane. I fton si një fisnik i vërtetë, i fton për të lexuar, e jo për duel. I fton për të biseduar, e jo në front. I fton për të reaguar, e jo për t`u uthulluar. Madje, ai shkon dhe pi kafe në zyrat e tyre, përmes librit që u dhuron, duke ua nisur me postë, me shpenzimet e tij, të cilat i mbulon “më së miri” me pensionin që merr.

Në këtë kuptim, e vërteta e tij nuk ka nevojë për vizë konsullore dhe as për afate kohëqëndrimi në kryeqytetet e Evropës”, nënvizon studiuesi Hallko.

“Koço Danaj ua vendos Shkëlqesive të tyre në tryezat e punës, të shkruar Fjalën e tij. Fjala i përket përgjysmë atij që e shkruan dhe përgjysmë atij që e lexon. Tani, mbetet që Shkëlqesitë e tyre të marrin gjysmën e Fjalës, gjysmën që u përket atyre…”, thekson ndër të tjera recensuesi i librit.


Në 307 faqe të librit është përfshirë bazamenti i Platformës që përmban:

  • Londra 1912, një Kazino Politike
  • Pohimet e drejtuesve dhe pjesëmarrësve të Mbledhjes së Londrës
  • Pse tani kjo Platformë?
  • Cili është tabani historik mbështetës?
  • Cilat janë mjetet e realizimit të Shqipërisë Natyrale?
  • Marrëdhëniet me fqinjët
  • Përtej bindjeve politike është vetëm Shqipëria Natyrale
  • Çfarë synon Shqipëria Natyrale?
  • Shqipëria natyrale ka nevojë për një Londër-2
  • Cilat janë Marrëveshjet Artificiale që shpërbënë dhe mbajnë pezull

Shqipërinë Natyrale?

  • Marrëveshja e Londrës 1913
  • Kujtimet e Greyt
  • Kujtimet e Pol Kambon
  • Kujtimet e Kontit Bechendorf
  • Kujtimet e Imperiali
  • Marrëveshja e Versajës 1919
  • Marrëveshja e Jaltës 1945
  • Marrëveshja e Potsdamit 1945
  • Marrëveshja e Dejtonit 1995
  • Marrëveshja e Rambujesë 1999
  • Marrëveshja e Kumanovës 1999
  • Marrëveshja e Konçulit 2001
  • Marrëveshja e Ohrit 2001
  • Mësimi që vjen nga historia.
Share: