Nga Arbri Fortuzi
-Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan këtë të hënë regjistron vizitën e dytë në vendin tonë. Për herë të parë tokën shqiptare, Erdogan e ka vizituar në maj të vitit 2015. Në atë vizitë të shtatë viteve më pare, Erdogan nënvizoi rëndësinë strategjike të marrëdhnies mes Shqipërisë dhe Turqisë. Asokohe, ai theksoi se Turqia i jep stabilitet Ballkanit dhe se në vendin tonë, turqit ndjehen si në shtëpinë e tyre. Një mesazh që shumë shpejt u faktua me investime të shumta. Fillimisht u investuan 30 milionë euro për xhaminë e madhe. Mandej mbështetja u shtri edhe në fusha të tjera. Tashmë rindërtimi, spitali memorial i Fierit…etj.
Në pak vite, Turqia pra u kthye në një nga invistetorët e huaj më të mëdhenj. Turqia investoi mbi 3.5 miliardë dollarë në Shqipëri, duke përfshirë shërbimet kontraktuese. Në Shqipëri operojnë rreth 600 kompani turke të regjistruara dhe këto kompani jo vetëm që kontribuojnë në prodhim, por ofrojnë edhe punësim për rreth 15 mijë persona. Lidhur me këtë influencë të Turqisë në vendin tonë, edhe Bashkimi Europian nuk është kursyer në kritika, duke i tërhequr veshin kryeministrit Edi Rama, që t’i japi më shumë rëndësi investimeve nga BE, sesa atyre nga Lindja.
Sakaq, kujtojmë që kjo vizitë vjen një vit pas vizitës së 9-të të Kryeministrit Edi Rama në Turqi, ku u prit në Ankara në mënyrë madhështore nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Protokolli me reminishencat e perandorisë otomane ishte preludi i asaj që do të pasonte në kuadrin e firmosjes së disa marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Mesazhi ishte i qartë se do të kishte diçka me rëndësi të veçantë. Dhe kjo ndodhi, u firmos Marrëveshja e Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë (MPS), krahas një sërë marrëveshjesh në fushën e arsimit, të shëndetësisë etj. Po ashtu, gjatë asaj vizite erdhi dhe premtimi se do ndërtohej spitali memorial i Fierit brenda tre muajve dhe ashtu ndodhi.
Vizita e dytë e Erdogan në vendin tonë konfirmon trendin pozitiv dhe marrëdhëniet e ngushta dhe besnike me Turqinë. Aq besnike, sa Kryeministri Edi Rama, pranoi që vizita të realizohej në këtë ditë të shënuar për historinë e Shqipërisë. Në një ditë ku shqiptarët kujtojnë 554 vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili ka hyrë në histori si kolosi që ndaloi avancimin e otomanzimit në Perëndim. Gjithësesi kohët kanë ndryshuar, por mbërritja e Erdogan në një ditë kaq të shënuar për shqiptarët, ngre shumë pikëpyetje nëse ka apo jo një prapavijë politike historike në këtë drejtim.
Për ironi udhëtimi në Shqipëri i Erdogan kalon nga Laçi, një nga zonat më katolike të vendit, ku Turqia vendosi të investojë në kuadër të proçesit të rindërtimit, pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit 2019. E po ashtu Laçi, do t’i gëzohet tashmë dhe një sheshi, që do të ketë emrin e Presidentit Turk, Erdogan. Ndërkohë, në këtë udhëtim do të inaugurohet edhe xhamia ‘Et’hem Beut’ dhe së fundmi, që miku ynë, vëllau nga Turqia, të mos ketë asnjë dyshim që Shqipëria është shtëpia e tij, do të ketë nderin t’i japi dritën jeshile punimeve në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2022, institucionit politik më të lartë të vendit tonë, referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.