Home KRYESORE Hapja e negociatave, Veliaj:Tani trajtohemi me respekt, jo si në kohën e...

Hapja e negociatave, Veliaj:Tani trajtohemi me respekt, jo si në kohën e Berishës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se Shqipëria me hapjen e negociatave mori atë që meritonte falë PS dhe kryeministrit Edi Rama.

Nga Njësisë 14 në Kashar ku dëgjoi platformat e kandidatëve për kryetar të PS dhe prezantoi Plarent Ndrecën si drejtuesin politik të PS për këtë njësi, Veliaj tha se me hapjen e negociatave Shqipëria trajtohet me respekt dhe jo si në kohën e qeverisë “Berisha”.

 “Historia e hapjes së negociatave me BE-në duhet të merrte fund dhe Kryeministri, me mundin e tij prej lideri, e çoi dinjitetin e Shqipëri si kurrë më parë. Ne jemi vërtet një vend modest, por historia e negociatave duhet të merrte fund, edhe falë lidershipit të Edit dhe presionit pozitiv, për të treguar se ne ndoshta nuk jemi vendi më i pasur, por kemi dinjitet; ne ndoshta nuk jemi popull i madh në numër, por kemi personalitet; ndoshta nuk jemi më të mirët në botë, por detyrat e shtëpisë i kemi bërë më mirë se askush tjetër. Ne kemi pasur histori kur shumica e botës e shmangte Saliun, se u vinte ndot. Sot jemi në situatën kur Shqipëria, është vërtet një vend i vogël, por drejtoi OSBE-në, kishte presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB, është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Sot nuk ka personalitet në botë që, kur bëhet fjalë për Edi Ramën dhe Shqipërinë, të mos tregojë respekt dhe na trajton me dinjitet, çka nuk ka ekzistuar më përpara. Kjo është e vërteta”,-tha Veliaj.

Kryebashkikaku i Tiranës u ndal dhe tek protestat e opozitës  për projektin e Unazës së Madhe, duke i cilësuar si minorancë e zhurmshme.

“Ai investim na u bllokua për tre vjet dhe njerëzit mendonin se bllokuesit ishin shumica. Por, shumica është e heshtur dhe flet në ditën e votimit. Në ditën e votimeve “Astiri” foli dhe fitoren ia dha Partisë Socialiste, ku njerëzit punojnë. E gjithë Shqipëria mendonte se tek “Astiri” jetojnë vetëm njerëz që djegin goma, por nuk është kështu! Ata ishin një përqindje shumë e vogël. Ja ku jemi sot! Të jesh demokrat do të thotë ta respektosh tjetrin. Pavarësisht nëse ishin të legalizuar apo të palegalizuar, ata u paguan. Kush e kishte ndërtimin buzë autostradës, me koeficientin që ka marrë dhe pallatet që janë ngritur aty, sot jo vetëm që nuk i ka rënë belaja, por sot i ka rënë llotaria”,shtoi Veliaj./ Opinion.al

Share: