Qytetarë, fëmijë dhe Shoqëria Civile të mbështetur nga opozita protestuan për të dytën herë për shkarkimin e dy ministrave, pas tragjedisë së ndodhur një javë më parë në Potam.
Organizatorët thanë se do të ndërmarrin një peticion në të gjithë Shqipërinë për shkarkimin e ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Sipas tyre, ata do ta bëjnë për Jonadat e tjera të Shqipërisë.
Organizatorët: Ne do të ndërmarrim një peticion në gjithë shqipërinë, duke i kërkuar Kryeministrit të vendit të shkarkojë Kumbaron dhe Çuçin. Këtë do ta bëjmë për Jonadat e tjera të Shqipërisë.
Mes protestuesve të shumtë që kërkojnë drejtësi për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia në plazhin e Himarës nga një gomone, ishin edhe bashkëmoshatarët e saj.
Me pankarta në duar me thirrje “Drejtësi maksimale për Jonadën që të pushojë në paqe”, ata janë ulur para godinës së Kryeministrisë.
Protesta nisi me marshim nga Ministria e Drejtësisë në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa një pjesë e protestuesve u ulën para godinës.
Disa prej protestuesve kanë hedhur bojë të kuqe në muret e Ministrisë në Brendshme, në shenjë të gjakut të derdhur të Jonadës së vogël pas goditjes së gomones në Potam.
Kjo protestë vjen pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.
Jonada kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetojnë në Angli.
Arjan Tase doli para Gjykatës së Vlorës më 4 gusht dhe u la në burg nën akuzën e vrasjes me dashje indirekte.
Komisari nuk kishte zgjedhur avokat personal dhe ndaj gjyqtarja i caktoi një avokat nga shteti.
Burimet e Top Channel që ishin të pranishme brenda në seancë treguan se mbrojtësi dhe i akuzuari kërkuan falje publike për tragjedinë.