Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka një apel për qytetarët: kursim të energjisë elektrike.
Me anë të një postimi në mediat sociale, KESH u bën thirrje shqiptarëve të kursejnë, pasi “çdo vat i kursyer sot, është vat i fituar për muajt në vazhdim”.
“E vërteta është që çmimet e energjisë janë rritur shumë në tregjet ku ne importojmë. Shifrat e rritjes së çmimit janë shtatë herë më të larta se një vit më parë”.
Sipas KESH, kjo bën që energjia të jetë gjithnjë e më e kushtueshme për t’u blerë.
Siç tashmë është bërë e ditur, çmimet e energjisë elektrike në Evropë janë rritur, për shkak të një kombinimi faktorësh, ku më së shumti ka ndikuar lufta e Rusisë në Ukrainë dhe kufizimi i furnizimeve me gaz natyror.
Raportet e fundit treguan se ndërsa çmimet me shumicë të gazit dhe energjisë elektrike rriten, miliona njerëz në Evropë tani po shpenzojnë një sasi rekord të të ardhurave të tyre për energji.
“Bloomberg” vetëm disa ditë më parë shkruante se çmimet e energjisë me shumicë janë rritur në më shumë se 10 herë krahasuar me mesataren e tyre sezonale gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas saj, kjo po godet prodhimin ekonomik në të gjithë kontinentin, me industrinë e rëndë nën presion.
Kështu, shtetet të ndryshme kanë marrë masa të ndryshme.
Në Kosovë, u vendos fillimisht që rryma të fiket çdo gjashtë orë, duke u bërë kështu vendi i parë evropian që pësoi ndërprerje të vazhdueshme ndërsa kriza e energjisë po përshkallëzohet.
Në përpjekje për të shmangur këtë fat, evropianët po bëjnë dushe më të ftohta, zyrat po reduktojnë termostatet dhe dyqanet po errësojnë dritat e tyre.
Nga ana tjetër, në Shqipëri është njoftuar se duke nisur nga 1 tetori konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat-orë energji elektrike në muaj, do të faturohen me vlerën e tregut.
Lajmi u dha nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila shtoi se do të ngrihet një taskforcë e energjisë për të shmangur çdo abuzim me përdorimin e energjisë elektrike.
360grade.al