Home KRYESORE Vagonat e zbrazur të LSDM-së dhe stacionet e pushtetit

Vagonat e zbrazur të LSDM-së dhe stacionet e pushtetit

Maqedonia do të shkojë në zgjedhje pa LSDM-në, kurse 6 qershori do të jetë lajmi më kontradiktor që do të përshkoj këtë proces. Por, kësaj radhe më kontradiktore e bën situatën një opozitë e papërgjegjshme e cila i lë qytetarët në pritje të vagonave  të zbrazur, ndërkohë që treni i pushtetit mund të duket paksa i çmendur në shpejtësinë  e tij, po ama  ai po shkon sipas një kursi normal që ia caktojnë itineraret demokratike

Nga Emin AZEMI

Pas lajmit për shpërndarjen e Parlamneti , kisha një dilemë, që po e ndaj me ju miqë të dashur: më pak do të jetë demokratike Maqedonia pa LSDM-në në zgjedhjet e 5 qershorit, apo sikur ato të shtyheshin në afatin e rregullt, në pranverën e 2018-tës, ku askush pastaj nuk do të mund të parashihte se çka do të mund të ndodhte brenda kësaj periudhe kohore prej 2 vitesh.

24 prilli dështoi për shkak se opozita maqedone (LSDM), me të drejtë, këmbëngulte se nuk janë pjekur kushtet e nevojshme për zgjedhje të lira e demokratike. Pastaj ato u shtynë dhe u vendos 5 qershori si afat optimal që do të nxirrte nga përdorimi të gjitha adutet dhe alibitë për ndonjë mundësi obstruimi nga ana e pushtetit (VMRO e BDI).

Tash nuk e kam të qartë një gjë: kush po bën obstruksion – ata që kërkojnë zgjedhje e ikin nga to, apo ata që kishin  mund të kishin disa motive  ti shtyejnë zgjedhjet (që do të pasonte me shuarjen e Prokurorisë Speciale psh.), por megjithatë iu përmbajtën afatit të paraparë më 5 qershor.

Se pushteti nuk bën, ka 1001 argumente që e dëshmojnë këtë, por askush deri më tani nuk po e thotë hapur se çfarë faji kanë gjithë qytetarët e Maqedonisë për mosgatishmërinë e LSDM-së që të shkojë në zgjedhje më 5 qershor. Qytetari i thjeshtë i Krivogashtanit, i Berovës, e Kriva Pallankës etj. e ka vështirë ta lexoj këtë fiskulturë politike të LSDM-së, aq më tepër kur të gjithë ata që e mbështesin  Zoran Zaevin duan një ditë e më pare ta heqin qafe Nikolla Gruevskin. Por si? Duke ikur nga zgjedhjet? Apo, duke shpikur ndonjë skenar rezervë, i cili do të ishte në kundërshtim me rregullat demokratike për rotacion paqësor të pushtetit. Fatkeqësisht LSDM nuk është  Vetëvendosje e Kosovës, dhe nëse mendon se pushteti rrëzohet duke mrizu para ndërtesës së qeverisë me tenda e fusha të improvizuara tenisi, ky është një autogol fatal për të dhe një favor shumë i fuqishëm për pushtetin e Gruevskit.

Po të isha qytetar me prejardhje etnike maqedonase do ta pyesja publikisht Zoran Zaevin se kur është afati më i përshtatshëm që Maqedonia të shkojë në zgjedhje? Atëherë kur vërtetë do të pastrohen të gjitha anomalitë administrative, burokratike e teknike që përcjellin çdo proces zgjedhor (që është e pamundur të ndodhë edhe në shtetet Skandinave), apo atëherë kur anketat dhe hulumtimet e ndryshme do të ngrejnë moralin politik të Zaevit në kuotat e besueshmërisë maksimale të qytetarëve. Nëse kjo e fundit, hë për hë, nuk po ndodhë, atëherë vetë opozita maqedone duhet të gjej një zgjidhje që do të ishte adekuate për situatën: ose të kthejë Zaevin në Strumicë që të vazhdojë të merret vetëm me drejtimin e  komunës dhe me ndonjë brazdë të lënë përgjysmë në arë , ose të formojë një ekip të ri që do ti jepte LSDM-së fytyrë të re, jo vetëm menaxhimi, por edhe një lidership që kauzat e veta opozitare nuk i projekton krykëput mbi afera, bomba, skandale etj, por edhe mbi një ofertë konkurruese që do ta bënte qytetarin e thjeshtë maqedonas të mendojë gjatë kohë kur do të ndodhet para kutisë së votimit.

Mosgatishmëria e LSDM për të shkruar në zgjedhje, gjithsesi  që është një lajm  që nuk do të pritet mire në Bruksel, por në anën tjetër selia e BE-së dhe NATO-s nuk do të mundet të penalizoj një proces të paralajmrëuar zgjedhor, kur dihet që pikërisht diplomatët europianë e amerikanë ishin ata që insistonin në tejkalimin e ngërçit politik përmes marrëveshjeve pozitë-opozitë dhe përmes një rruge normale që do t’i shpiente palët e konfrontuara në zgjedhje. Sepse, cili do të ishte treguesi tjetër që do ti jepte dikujt të drejt të udhëheq vendin pas gjithë këtyre skandaleve, aferave e bombave, nëse këtë nuk mund ta bëjnë zgjedhjet dhe cila opozitë normale në botë nuk do ti përgjigjej pozitivisht ofertës për zgjedhej të parakonshme.

Zoran Zaev dhe ekipi i këshilltarëve që e këshillojnë keq atë, si duket nuk kanë arritur ti kuptojnë dy gjëra brenda kësaj periudhe kohore, prej Marrëveshjes së Përzhinos e këtej: e para –  skema mentale e maqedonasit të thjeshtë nuk ka gjasa të ndryshojë nëse nuk ndryshon vetë qasja e kësaj partie opozitare ndaj problematikave që prek jetën e përditshme të njerëzve dhe e dyta – diskursi anti-Gruevski nuk mundet të përkthehet në doktrinë politike, përderisa LSDM nuk krijon strategji konkrete e cila do të operacionalizonte një plan afatgjatë veprimi, me çështje e kuadro që do të jenë shumë më të avancuar se partia oponente në pushtet.

Maqedonia do të shkojë në zgjedhje pa LSDM-në, kurse 6 qershori do të jetë lajmi më kontradiktor që do të përshkoj këtë proces. Por, kësaj radhe më kontradiktore e bën situatën një opozitë e papërgjegjshme e cila i lë qytetarët në pritje të vagonave  të zbrazur, ndërkohë që treni i pushtetit mund të duket paksa i çmendur në shpejtësinë  etij, po ama  ai po shkon sipas një kursi normal që ia caktojnë itineraret demokratike.

Sa keq për ardhmërinë e një vendi kur stacionet e demokracisë ende i cakton pushteti (pa fajin e tij)  e jo opozita dhe intelektualët e pavarur.

Marre nga Gazeta Fakt

Share: