Home KRYESORE Sa nga paratë tona rikuperojmë prej parajsave fiskale?

Sa nga paratë tona rikuperojmë prej parajsave fiskale?

Nga Fatos Çoçoli

Disa përllogaritje jo zyrtare japin një shifër mbi 600 milionë dollarë të përfunduar në parajsat fiskale, me origjinë të dyshimtë për pronarin e tyre nga para koncesionesh dhe sipërmarrjesh të turbullta në Shqipëri, të gjitha në kurriz të qytetarëve tanë.

Janë mbi 200 milionë dollarë(gjetje e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një nga auditimet e tij në vitin 2015) që ju larguan naftës shqiptare në vitet 2009-2012, në formën e taksave të papaguara, duke manipuluar me Faktorin “R” dhe fryrë krahun e shpenzimeve prodhuese.

Shumica e këtyre parave përfunduan në ishujt Virxhin, një parajsë fiskale, ku ishte rregjistruar kompania e huaj që shfrytëzoi 97 përqind të fushës naftëmbajtëse Patos-Marinzë për periudhën 2008-2015.

Kjo kompani la nga pas puse të shteruar në një shfrytëzim barbar dhe pa asnjë kriter shkencor të naftës sonë. Administrata jonë tatimore, me shumë vështirësi arriti t’i shkëpusë vitit të kaluar dhe në këtë fillim viti koncesionarit të Patos-Marinzës 37 milionë euro si taksë e pambledhur, për shkak se në vitin 2011 faktori ”R”(raporti të ardhura-shpenzime nga nxjerrja e naftës) ishte më i madh se 1, ndryshe nga sa e kishte manipuluar koncesionari. Ngelen edhe 156 milionë dollarë për t’u marrë.

Janë në ishullin Anguila, ku është rregjistruar koncesionari që pak ditë më parë e “hoqi qafe” pataten e nxehtë të quajtur koncesion për shfrytëzimin e naftës në Shqipëri, duke ia shitur një kompanie kineze. Përtej konsideratave politike kush fshihet si pronar i vërtetë pas kompanive fantazmë në parajsat fiskale, detyra e qeverisë sonë është të gjejë mënyra për t’i risjellë në Shqipëri në Buxhetin e Shtetit këto para të marra padrejtësisht nga fondet për pensionistët, shkollat dhe shëndetësinë publike.

Përveç 156 milionë dollarëve të naftës, 35 milionë eurot e shenjimit të karburanteve për vitet 2013-2015 nuk riatdhesohen dot, pse kontrata koncesionare nuk të lejon. Por janë me dhjetra dhe qindra milionë euro para të tjera të shqiptarëve, kryesisht në Qipro, ishull që për mbi 14 vjet rresht (nga viti 1999) ka qenë parajsa fiskale ku paratë që s’mund t’i tregojnë në Shqipëri, pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm i kanë vendosur në formën e kompanive fantazma.

Aty është “Gjiri i Lalzit”  financiar i tyre. Aty janë “vilat” e tyre luksoze, në formën e kompanive të ndërtimit apo të investimit dhe të depozitave bankare gjoja në emër të biznesit të këtyre kompanive. Tek “Dokumentat e Panamasë(Panama Papers)” nuk janë vetëm emrat e pushtetarëve nga e gjithë bota që kanë dalë publikisht si të lidhur me parajsat fiskale,, por edhe transfertat në para të thata në 30 vitet e fundit, datat e themelimit të ndërmarrjeve dhe kompanive fantazmë menjëherë pas sjelljes së parave të trafikuara në bankat e ishujve-parajsa fiskale, lidhjet ndërmjet kompanive dhe individëve të bërë sa hap e mbyll sytë pasunarë, caktimin e drejtorëve ekzekutivë të kompanive fantazmë, shpesh pikërisht nga “mirëbërësit” e familjarëve të shtetarëve që bënin korrupsion.

Kuptohet se këta “mirëbërës” ishin fituesit e tenderave miliona, dhjetra miliona e nganjëherë edhe qindra miliona euro. Fatkeqësisht për ne dhe moralin e të qeverisurit në Shqipëri, ende nuk janë zbuluar “banorët” shqiptare te parajsës fiskale të quajtur Qipro. Në Qipro “zbarkuan” shumë pushtetarë tanë të 10 viteve të fundit, të yshtur nga sekserë serbë, zviceranë e amerikanë, të dehur nga pushteti, që nuk menduan se këto “rregullime” do t’u zbuloheshin ndonjëherë.

Më të kujdesshmit dërguan përfaqësues të mandatuar prej tyre. Gjurmët e këtij “zbarkimi” mund të gjenden qartë. Janë në emrat e themelimit të kompanive fantazmë, në transfertat bankare, në depozitat pranë bankave qipriote. I tronditur nga skandali me sistemin e vet bankar dhe nga zbulimi i pranisë së shumë oligarkëve dhe mandatëve rusë në parajsën e vet fiskale, ky shtet ishullor paraqitet sot mjaft i hapur, për të merituar mbështetjen miliarda eurosh që i jep Bashkimi Evropian.

Mjafton që një ose dy gazetarë investigativë e kurajozë shqiptarë, të financuar edhe nga donatore si USAID apo Ambasada Amerikane, të shkojnë në këtë ishull, të paraqiten pranë autoriteteve, dhe nuk do të dalin pa gjë. Për më tepër që tani, pas krizës bankare në Qipro, bankat në këtë vend kanë ulur kufirin e sekretit bankar për depozituesit e tyre, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe mekanizmave të tij të shpëtimit nga kriza, njëlloj sikurse ka bërë Zvicra deri diku, si dhe Luksemburgu.

Mjafton që ndoshta me një kërkesë zyrtare nga ndonjë projekt donatorësh apo gazetë e jona dhe me një dërgim një ose dy gazetarësh në Qipro, bankat aty të mund të japin detaje interesante për depozitat dhe bizneset e shumë ish-pushtetarëve, pushtetarëve të sotëm apo familjarëve të tyre në Shqipëri.

Qytetarët shqiptarë jo vetëm duhet ta dinë të vërtetën se ku kanë vajtur paratë, me dhjetra milionë euro që duhet të futeshin ndryshe në rritjen e pensioneve apo investimet publike ne shendetesi dhe arsim, por edhe është detyrë e qeverisë dhe institucioneve tona të tjera shtetërore të provojnë të rekuperojnë sa të jetë e mundur më shumë nga këto para.

Share: