Home Gjeo-Ekonomia “Goditen qeraxhinjtë”, Caka: Taksa e re do të shtojë kostot e familjeve...

“Goditen qeraxhinjtë”, Caka: Taksa e re do të shtojë kostot e familjeve që s’kanë shtëpi

Silva Caka ka deklaruar se taksa e re e referencës e vendosur nga qeveria do të godasë qiraxhinjtë dhe shtojë kostot e familjeve që s’kanë shtëpi.

E ftuar në “Top Story”, Caka e konsideroi atë ligj kundër qytetarit, duke shtuar se në këtë lloj forme operatorët e vegjël do të shkojnë drejt tërheqjes dhe do të monopolizohet edhe tregu i ndërtimeve.

“Po harrojmë që në Shqipëri nuk ekzistojnë vetëm pronarë apartamentesh dhe biznesesh, por ka edhe qiraxhinj. Në momentin që një njeri jeton me qira në një apartament të caktuar dhe i vjen fatura e ujit, atë do ta paguaj.

Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm që çdo pronar apartamenti nuk do ta zbresë këtë diferencë, por përkundrazi do t’ia shtojë qiraxhiut. Pra rriten qiratë e shtëpive, rriten çmimet e apartamenteve.

Aktualisht ne jemi në një fazë ku një familje që ka paga normale dhe punon me punë të ndershme, i duhen 64 vite të blejë një apartament me këto çmime të rritura. Tani çfarë do të sjellë kjo?

Kjo do sjellë që çdo çift i ri do të largohet nga Shqipëria. Ikën sepse shkon në një vend ku me një pagë paguan apartamentin me qira. Me qira në Tiranë, me qira në Berlin. Por të paktën aty i del për të jetuar, për të punuar, për të bërë pushime dhe shumë gjëra të tjera që ka të nevojshme një familje. 

U bë vite që në Shqipëri bëhen ligje apersona dhe ky është një ndër ta. Të gjithë operatorët e vegjël ose mesatar të ndërtimeve, që në bashki do të paguajn për vëllim dhe çmim reference, detyrimisht do të rriten. Çfarë do të ndodhë?

Të gjithë operatorët e vegjël do të shkojnë drejt tërheqjes dhe do të monopolizohet edhe tregu i ndërtimeve. Do të mbizotërojnë vetëm ata që kanë aftësi paguese të taksave shumë të larta vetëm në bashki, dhe që ne praktikisht e dimë të gjithë kush janë. Dhe sidomos në zonat e shtrenjta si Blloku, Liqeni etj.”-tha Caka.

Top Channel

Share: