Shkrimtari i njohur, Besnik Mustafaj, feston 65-vjetorin e lindjes.
Në këtë ditë të shënuar për shkrimtarin do të promovohet dhe romani i tij më i ri, ‘Fati i Marrë’.
Eventi do të organizohet në ambientet e Hotel Tirana International më 25 shtator 2023 ora 18:00.
Besnik Mustafaj ka lindur në Bajram Curr, më 23 shtator 1958. Ai është një politikan, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur shqiptar.
Ka studiuar gjuhën frënge në fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.
Më 1991 i ofrohet nga Fatos Nano posti i ministrit të Kulturës që ai refuzon. Më 1992 i ofrohet posti i ministrit të Punëve të Jashtme që ai gjithashtu refuzon, por pranon postin e ambasadorit të Shqipërisë në Francë, ku shërbeu nga 1992 deri në 1997.
Si ambasador ai arriti firmosjen e traktatit të miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë, traktat i parë miqësie i Shqipërisë me një vend perëndimor që nga paktet e Tiranës të viteve 1930.
Ai gjithashtu qe negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Më 1997 ai jep dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe rikthehet në Shqipëri, ku ai do të pranojë postin e drejtorit për marrëdhëniet me jashtë të Partisë Demokratike.
Veprat e tij janë të botuara në shumë gjuhë si shqip, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht etj. Ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi me librin e tij “Daullja prej letre” më 1997./ CNA