Home Gjeo-Ekonomia Eksperienca e vitit 2023 dhe disa ekuilibra të reja gjeopolitike

Eksperienca e vitit 2023 dhe disa ekuilibra të reja gjeopolitike

Nga Artur Nura

Periudha post pandemike parimisht do duhej të ishte më çlirimtare për ekonominë globale, por konflikti Ruso – Ukrainas ka turbulluar komunitetin ndërkombëtar. Çmimet e energjisë u rritën dhe inflacioni u rrit në qiell, ndërkohë që globalizimi dukej se po shpërbëhej.

Ndërsa ky zhvillim që mund ta quajmë në metafore “stuhi” ishte, është, ende e furishëm mbi globin, nuk kanë munguar rastet kur retë turbulluese rralloheshin në horizont. Konflikti në Ukrainë duket se ka arritur në një ngërç. Evropa rezervon furnizime me gaz të mjaftueshëm për të kaluar dimrin. Iniciativa për drithërat e Detit të Zi dhe rënia e çmimeve të grurit shmangën një herë një krizë globale ushqimore.

Por, shumë papritur në horizont u shfaq më I ashpër se kurrë konflikti Izraelito-palestinez i cili turbulloi përsëri globin mbarë. Sistemi i sigurisë izraelite që cilësohej nga më eficentët u thye papritmas dhe, Hamasi kreu raprezalie duke sjell kundërsulm shumë agresiv të ushtrisë izraelite kundër Hamasit e cila nuk po kursen as popullsi civile palestineze!

Në vitin 2024 do të ketë pikëpyetje të shumta për të cilat bota do të përpiqet të gjejë përgjigje. A do të shkojë lufta në Ukrainë më në fund drejt një negocimi paqeje apo do të marrë formën e një “konflikti të ngrirë”? Po konflikti i ri ushtarak a do të negociohet nga Izraeli me Palestinën për zgjidhjen me dy shtete?

Ngjarjet kryesore të vitit 2024 do të karakterizohen gjithashtu nga pasiguria? Këtu për të mos përmendur edhe fusha të tjera të tensionit gjeopolitik mund të themi se shmangia e konflikteve mund të realizohet kryesisht nga aktorët e mëdhenj të cilët duhet fillimisht të sheshojnë sa më shumë divergjencat dhe zbusin konkurrencën mes tyre.

Për shembull do refleksion dhe kujdes të shtuar konkurrenca në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për udhëheqje teknologjike, ndërsa Bashkimi Evropian po përpiqet të arrijë të marrë një rol më domethënës gjeopolitik global.

Një erë e re në marrëdhëniet Kinë – Bashkimi Europian

Dhe meqë jemi te roli i ri më dinamik gjeopolitik që po kërkon të marrë Bashkimi Europian mund të kujtojmë që së fundi patëm një “Marrëveshja për sfidat e ardhshme globale” në takimin Kinë-BE, ku u ra parishmisht dakort nga të dy palët se duhet të punojnë së bashku “për besimin politik”.

Duke vënë në dukje se viti 2023 shënoi 20-vjetorin e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës Kinë-BE, presidenti kinez Xi Jinping, në takimin para Samitit Kinë – BE me Ursula Van Der Lyen dhe Charles Michel respektivisht presidentë të Komisionit Europian dhe Këshillit, foli për një “pikë të re fillestare të marrëdhënieve”, e cila duhet “të orientohet në trendin e botës, të veprojë me mençuri dhe ndjenjë përgjegjësie dhe të mbështesë përshtatshmërinë e marrëdhënies si një partneritet strategjik global.”

Sipas shumë eksperteve të gjeopolitikës marrëdhëniet Kinë-BE gëzojnë një moment të mirë konsolidimi dhe rritjeje në shërbim të interesave të të dyja palëve dhe pritshmërive të popujve të tyre, por sugjerojnë punë dypalëshe për të mbështetur momentin e rritjes së këtyre marrëdhënieve.

Europa që dëshiron qartazi tashmë një rol ndërmjetues më domethënës në glob përtej interesave ekonomike me gjigandin Kinez, sigurisht që ka nevojë për influencën e këtij partneri në zgjidhjen e krizave globale veçanërisht në ato zona ku ka luftëra të cilat kanë trazuar ekonominë globale, siç e përmendëm edhe më sipër dhe, ku influenza kineze është demonstruar vitale e konstruktive.

Charles Michel tha se BE-ja po kërkon një marrëdhënie “të qëndrueshme dhe reciprokisht të dobishme” me Kinën. Në fjalën hyrëse të takimit me presidentin kinez, Michel siguroi se “ne jemi të bashkuar në angazhimin tonë për të ndjekur një marrëdhënie të qëndrueshme dhe reciproke të dobishme me Kinën”, duke shtuar se Brukseli dëshiron lidhje të bazuara në “parimet e transparencës, parashikueshmërisë dhe reciprocitetit”.

Edhe pse më vonë se Shtetet e Bashkuara, vitet e fundit Evropa gjithashtu duket qartazi ka filluar t’i bëjë vetes pyetjen se si t’i rishikojë marrëdhëniet e saj me Kinën, në një kuadër të përgjithshëm të rikonfigurimit të zinxhirëve të vlerës globale.

Që nga Perspektiva Strategjike e publikuar në mars 2019, Republika Popullore është konsideruar si partnere, konkurrente dhe rivale sistematike për Bashkimin Evropian. Por, për një rrymë politike europiane që do ta përkufizoje veten si “gjeopolitike”, strategjitë ndaj Pekinit nuk duket se kanë mbajtur ritmin me atë që mund të pritej.

Në këtë kontekst, drejtuesit e institucioneve evropiane para dhe pas Samitit Kine – BE, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për çështjet kryesore globale, por njohën edhe asimetrinë aktuale të marrëdhënieve ekonomike – me një deficit tregtar vjetor prej 400 miliardë eurosh për BE-në – dhe nevojën për të vazhduar me një reduktim i varësive strategjike evropiane nga Pekini.

Marrëdhëniet KINË – USA themelore

Midis fundit të vitit 2022 dhe pjesës së parë të 2023, administrata Biden përshkroi strategjinë e saj për të trajtuar “konkurrencën e fuqisë së madhe” me Kinën. Konsolidimi i aleancave politiko-ushtarake, rinisja e bazës teknologjike dhe industriale amerikane dhe politikat që synojnë kufizimin e aksesit kinez në teknologjitë më të avancuara.

Kjo strategji përfshin gjithashtu përpjekjen për të negociuar kufizime në konkurrencë me Pekinin dhe ruajtjen e formave të bashkëpunimit në fusha të tilla si ndryshimet klimatike dhe qeverisja financiare. Kohët e fundit ka pasur disa episode që kanë ndikuar në marrëdhëniet dypalëshe mes dy superfuqive. Në disa raste ato kanë shkaktuar kriza të përkohshme, ndërsa në raste të tjera ka pasur evoluime strukturore.

Shkurtimisht mund te përmendim; përpjekjen dypalëshe për zbutjen e tensionit të nisur pas G20 në nëntor 2022; pasojat e zgjedhjeve afatmesme në Shtetet e Bashkuara, kriza e “balonave”; pasojat e vizitave të Xi Jinping në Rusi dhe Tsai Ing-wen në Shtetet e Bashkuara dhe legjislacioni i fundit amerikan për konkurrencën teknologjike.

Por ndërkohë themelore ka qenë takimi më 15 nëntor, i presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit kinez Xi Jinping pranë San Franciskos, në Shtetet e Bashkuara, ku u rivendos dialogu që ishte pezulluar për një vit.

Organizuar në margjinat e samitit të bashkëpunimit ekonomik Azi-Paqësor (Apec), takimi bëri të mundur rivendosjen e komunikimeve ushtarake të nivelit të lartë, të cilat ishin pezulluar për më shumë se një vit dhe, sipas Biden takimi ishte “konstruktiv dhe produktiv”.

Presidenti 80-vjeçar i SHBA-së ka siguruar se në rast krize dy liderët do të mund të marrin telefonin dhe të flasin me njëri-tjetrin. Cka do të thotë se në USA pranohet reciprociteti global me Kinën dhe kjo nuk është pak për një ekuilibër të nevojshëm gjeopolitik.

BRICS një aktor gjeopolitik në rritje 2023 – 2024

Bota tashme ka dinamizem gjeopoltik i cili po kërkon angazhime të reja dhe një ekuilibër të ri gjeopolitik ku imponon vëmendje të shtuar edhe akronimi “BRICS” (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) që nënkupton grupimin e këtyre shteteve, me synim rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimin e tregtisë mes tyre.

Kujtojmë që mes kërkimit për një botë shumëpolare, Kina, India, Brazili dhe Rusia hodhën themelet e BRICS në vitin 2009, me Afrikën e Jugut që iu bashkua katërshes në vitin 2010. Por tashmë grupimi BRICS përfaqëson më shumë se 42 përqind të popullsisë së botës, 30 përqind të territorit të saj, 23% të PBB-së botërore dhe 18 përqind të tregtisë botërore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon se deri në vitin 2028, BRICS mund të përfaqësojë një të tretën e ekonomisë botërore, ndaj kujtojmë se Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut zhvilluan në datat 22-24 gusht 2023, në Johanesburg të Afrikës së Jugut, samitin (takimin e nivelit më të lartë) e tyre vjetor, duke e quajtur takimin si “Samit historik”.

Pesë vendet anëtare te BRICS synuan në takim vendosjen e ekuilibrave mes zhvillimit të vendeve dhe rajoneve të ndryshme, për të parë përtej mbizotërimit të vendeve perëndimore të veriut të botës dhe supermacisë së dollarit amerikan.

Për më tepër Samiti i Johanesburgut solli diçka të re thelbësore në raportet gjeopolitike për botën. Nga 1 janari 2024, parimisht përveç Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, gjashtë vende të tjera do t’i bashkohen grupimit BRICS.

Nëse programi i anëtarësimit konfirmohet, Arabia Saudite, Argjentina, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Irani do të jenë pjesë e BRICS+.  Një zgjerim që duket se mbyll një epokë dhe shënon fillimin e një faze të re. Ajo që ishte Bota e Tretë sot është një “Jug i botës”, i cili ndihet më i fortë, me agjenda më të gjera dhe që bashkon lojtarë gjithnjë e më të rëndësishëm në politikën dhe ekonominë botërore qe raportete globale nuk mund ta injorojnë.

Samiti u konsiderua me të drejtë nga shumë analistë të ekonomisë si një nga ngjarjet më të mëdha me natyrë gjeo-ekonomike në nivel botëror, pasi vendimet e Johanesburgut mund të kenë ndikime të rëndësishme në ekonominë botërore duke e bërë këtë zhvillim qartazi gjeopolitik. Viti 2024 do të jetë dëshmitar i rëndësishëm i këtyre dinamikave…/CRI.CN

Share: