Home Approccio Italo Albanese Santino de Bartolo, përfaqësues italo shqiptar, konkuron në Festivalin e 62-të të...

Santino de Bartolo, përfaqësues italo shqiptar, konkuron në Festivalin e 62-të të Radio Televizionit Shqiptar

Nga Ambrogio Bellizzi – Përkthimi Arsela Gjonaj

Santino De Bartolo, këngëtari arbëresh nga Firmo, në ditët në vijim do të marrë pjesë në një event të rëndësishëm këndimi në Tiranë, përkatësisht në Festivalin e 62-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili do të mbahet nga data 19 deri më 22 dhjetor 2023. Performanca e tij është e planifikuar gjatë mbrëmjes së parë me një këngë të pa publikuar me titull “Dua të rri me ty / Voglio stare con te”, një këngë e bukur dhe intensive që rrëfen dashurinë dhe të qenit pranë me njeriun e zemrës. 

Gjithsësesi, në mbrëmjen e datës 21, ai do të angazhohet në një duet me këngëtarin e njohur kosovar, Luan Durmishi dhe do të këndojnë një këngë të Toto Cutugno të titulluar “INSIEME”, fitues i një edicioni të shumë kohë më parë të EuroVision. 
Më 23 dhjetor ai do të jetë i ftuar në Koncertin e Krishtlindjeve të Ilir Shaqirit, këngëtarit të njohur në Shqipëri, të planifikuar në sheshin Skënderbej. Gjatë mbrëmjes ata do të performojnë së bashku këngën “Rrënjët e lisit tim”. 

Santino De Bartolo, i lindur në Firmo (CS), ku filloi të luante kitarë dhe të gëzonte mbrëmjet me miqtë si djalosh, shumë shpejt u vlerësua për aftësinë dhe origjinalitetin e tij në koncertet e shumta në të cilat mori pjesë vetëm ose në shoqërinë e grupeve që ishin shumë aktive në atë zonë në atë kohë. 

Një takim i rëndësishëm në jetën e tij si muzikant ishte takimi me famullitarin e qytetit të tij, Don Domenico Bellizzi, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, një poet i madh dhe njeri me kulturë të pamasë, i cili arriti të identifikojë menjëherë dhuntinë vokale të artistit premtues, këngëtarit te shquar dhe kompozitorit te talentuar. Santino ka krijuar muzikën dhe inçizuar disa nga poezitë e poetit të madh Vorea Ujko, ndër të cilat: “Jan Pallak” dhe “Jeta e re” të cilat gjenden në repertorin e pasur të këngëve të tij. 

Në fakt, ai ka publikuar deri tani shtatë CD dhe një i ri është në rrugë e sipër dhe që së shpejti do të publikohet. Ai do të përmbajë vetëm tekste në gjuhën arbëreshe. 

Në gjuhën e tij amtare ai tashmë ka kompozuar dhe publikuar këngë të shumta duke përfshirë: “Motra ime nuse” shumë e njohur dhe e vlerësuar si dhe “Kur na arbëreshë” me tekst të Papas Pietro Lanza, një këngë që tashmë është kthyer një njëfarë himni i gjithë Arbërisë. 

Prej shumë vitesh ai jeton në Gjermani ku ka vazhduar të shkruajë dhe kompozojë muzikë duke pasur sukses të konsiderueshëm dhe ku është protagonist i koncerteve të shumta të mbajtura gjithashtu së bashku me shumë artistë të njohur ndërkombëtarisht të cilët kanë shkruar faqe të historisë muzikore të lavdishme dhe të paharrueshme si: JEHTRO TULL, FAIRPORT CONVENTION, DONOVAN. PHIL BEER (Multi instrumentist në turneun botëror të MIKE OLDFIELD ROLLING STONES), RANDY HANSEN, RALPH MCTELL ( STREET OF LONDON) KRIS KRISTOFFERSON ( Me and Bobby McGee), MARTIN ALLCOCK muzikant i madh që aranzhoi shumë disqe të tjera nga ROBERT PLANT (Led Zeppelin), CAT STEVENS, RICHIE HAVENS, autor i FREEDOM, kënduar në WOODSTOCK; ndërsa me ANGELO BRANDUARDI, kantautor italian, ka bashkëpunuar në disa Session. 

Ndër bashkëpunimet ndërkombëtare bie në sy sigurisht ai me kantautorin anglez ALLAN TAYLOR i cili përktheu dhe regjistroi një këngë të Santinos në gjuhën e tij me titullin: “Like a cloud”. 

Daljet e tij në televizionet shqiptare dhe kosovare dhe marrëdhëniet e tij me personalitete të botës së kinematografisë, kulturës dhe këngës në ato vende tashmë janë të panumërta. Ndër shumë bashkëpunimet kujtojmë atë të nëntorit të vitit 2022 në Prishtinë ku e pa të këndonte këngën “Rrënjet e lisit tim” së bashku me të mirënjohurin ILIR SHAQIRI. 

Për të u interesua edhe poeti, publicisti dhe kritiku letrar Bexhet Asani, i cili në librin “Zjarri i pashuar Arbëror II” ka gjurmuar disa shënime të rëndësishme për jetën dhe repertorin e këngës së kantautorit arbëresh, status me të cilin krenohet Santino, të cilit, i pëlqen të përkufizohet: “arbëresh kalabrez, krenar për rrënjët dhe kulturën e tij.” Shpesh në këngët e tij, që ndonjëherë janë tekste të vërteta poetike, ai pikturon ngjyrat e tokës së tij të Italisë së Jugut dhe me vargjet e tij ai e çon dëgjuesin në një botë plot poezi dhe magji. Dëshirat dhe dashuria për peizazhin, fshatrat dhe njerëzit që takoi përgjatë rrugës së jetës së tij pasqyrohen në tekstet e tij, të cilat shpesh arrijnë të magjepsin dhe ta bëjnë të ëndërrojë dëgjuesin. 

Mendoj se Festivali në vendin e shqiponjave mund të shërbejë si një vitrinë muzikore e mëtejshme për këngëtarin e vlerësuar tanimë italo-shqiptar dhe se mund të jetë edhe një pikënisje në tokën shqiptare ku edhe aty të njihen aftësitë e tij muzikore. 

Përgjatë atyre mbrëmjeve do të jemi para televizorit për të parë Festivalin prestigjioz të këngës në RTSH dhe për të përkrahur krenarinë që ndjejmë dhe flamurin arbëresh në botë, të sigurtë se Santino De Bartolo do të mund të na dhurojë emocione të mëdha dhe ndjesi të ëmbla siç është në stilin e tij. 

I uroj suksese dhe ta mbajë lart prestigjin e Arbërisë!!! 

Share: