Nga Lorenc Vangjeli
Nuk ka një përgjigje të gatshme për pyetjen sesa mund të kushtojë një “sherr” në rrugë, që pasohet me një rrahje barbare në rrugë. Ka një sërë detajesh tek dhembja e mishit dhe shkelja e shpirtit që është e pamundur të llogariten me ftohtësinë e shifrave. Por duke nisur nga një “skedë teknike”, mund të thuhet se rrahja e një biznesmeni ka kushtuar gati gjysëm miliard dollarë ndërtim i munguar. Nja 1200 vende pune më pak. Një hotel, një aquapark për fëmijët, një zonë e tërë e urbanizuar, infrastrukturë e re dhe e përmirësuar dhe një pasaportë më shumë për turizmin shqiptar, të gjitha këto janë pjesë e strukturës së çmimit që i duhet paguar sherrit në rrugë. Premtimet në letër dhe aventura në terren e nisur nga kompania Omnix Albania që prej gati tetë vjetësh më parë, në mandatin e parë të një qeverie, u mbyllën në fund të mandatit të parë të një qeverie tjetër që kërkon me ngulm të mos ngjajë askënd me paraardhësen e saj.
Nuk ka pikën e vlerës tentativa për të gjetur fajtorë në këtë histori. Pësimet bëhen mësime vetëm në proverba dhe nesër nuk është se ka shumë gjasë që të ndryshojnë rrethanat.
Fajtorë nuk janë madje as ata tre apo katër vetë që zbritën nga një makinë me targa falso dhe masakruan me shkop beisbolli biznesmenin e huaj, administrator i kompanisë për ndërtimin në Shqipëri. Fakti që një gjë e tillë ka ndodhur në mënyrën më barbare të mundshme në sy të vajzës së mitur të viktimës, edhe pse e bën ngjarjen nga këndvështrimi më minimal njerëzor, edhe më shtazarake, gjithashtu nuk mund ta bëjë atë më të rëndë sesa është. Një tjetër personazh i njohur, në një histori të ngjashme konflikti për tokën në bregdet, gjykatësi Konomi, është hedhur në erë dhe djegur i gjallë në makinën e tij, në mes të Vlorës, dëshmon se e keqja e individit nuk ka kurrë fund. Përpara, pas apo dhe përballë çdo lloj të keqeje, mund të vihet një tjetër e tillë, edhe më sterë se e para, edhe më e rëndë se e para, edhe më e dhembshme se e para. Ndaj për këtë arsye, e liga nuk ka kurrë konkurencë dhe varësisht prej saj, sado cinike mund të ngjajë, biznesmeni i rrahur duhet të jetë i kënaqur; mund të kishte shkuar edhe shumë më keq për të dhe familjarët e tij.
Arrestimi dhe ndëshkimi ligjor i autorëve të krimit ndaj biznesmenit të huaj mund të sjellin një “kompesim” për të drejtën që vihet në vend, mund t’i hapin krahun Perëndisë që thonë se nuk le hak pa marrë e borxh pa larë, por edhe kjo nuk shkakton barazim për një sërë dramash që përjetojnë të gjithë personazhet e përfshira në këtë histori apo që do të mund të përfshiheshin në një histori suksesi e dështimi të mundshëm të resortit në bregdet.
Nuk do të ngushëllonte askënd as kryqëzimi me faj apo pa faj i gjykatëses që dha një vendim për çështjen e pronësisë në tokën ku do të ndërtohej resorti sepse kjo nuk do të ishte e drejtë sa kohë që nuk do të përmendej emër për emër edhe një armatë e tërë me nëpunës civilë dhe politikë që kanë kaluar nëpër duar premtimin në letër dhe kanë menduar sesi në një mënyrë apo një tjetër, gozhda që ata kishin në dorë për të vënë në lëvizje sistemin, të shpresonin se do të shndërrohej në para bakshishi.
Rrahja në mes të rrugës ndryshoi në fakt shumë fate njerëzore. Duke nisur që me ata që do të shërbenin aty si kamarierë apo si kopshtarë dhe nuk do të mbaronin me turistët me rroba banjoje e turistet topless apo dhe me fqinjët fermerë që do të shisnin aty qumështin e lopëve dhe domatet e tyre. Po ata fermerë të cilët për shkak të zhvillimit të zonës, do ta ndjenin veten gjithmonë e më shumë qytetarë në vendin e tyre dhe më të pasur me pronën që e kanë fituar duke bërë gardh edhe detin.
Në vend të gjitha këtyre, ajo rrahje solli një ikje. Kompania vendosi zyrtarisht që të ndërpresë çdo aktivitet në Shqipëri. Njëlloj siç kishte ndodhur vite më parë në Kakome, në jug të vendit. Kjo ikje mund të kishte ndodhur në çdo ditë të viteve që kompania erdhi të investojë në Shqipëri. Sepse të gjithë e rrahin pak nga pak shpresën për të jetuar më mirë “me para turizmi” duke nisur me nervozimin në trafik e deri në trafikun e pabesueshëm të nervave në parlament, që shpesh shndërrohet në arenën e një sherri rruge të cilin e paguajnë të gjithë.
Investimi i munguar është vetëm një detaj në të tërën që kujton sesi njerëzit ju sulën pronës së përbashkët, e bënë gardh me tel me gjëmba; është kapitulli që dëshmon sesi bashkë me politikën e bënë bregdetin lesh arapi tek të cilat janë ngatërruar të gjithë. Pothuaj pakthim! Sherri në rrugë vetëm kujtoi se çmimi për t’ju paguar kaosit nuk mund të llogaritet më nga askush. Kaosit i detyrohet gjithkush, por nesër kaosi mund të detyrojë gjithkënd të kërcejë sipas ritmit të tij, por atëherë do të jetë vonë për ta rifutur në kornizë. Vonë është edhe sot, madje./java news/