Home KRYESORE Kontrollet tatimorë dhe pasojat e tyre në biznes

Kontrollet tatimorë dhe pasojat e tyre në biznes

Nga Kasem Seferi, Ekonomist

William A. Drennan, Asistent Profesor në Southern Illinois University School of Law; anëtar i American Law Institute; avokat në Husch & Eppenberger LLC, etj në punimin e tij “Teoria e Të Tatuarit të Anshtajnit Shpjegon Rregullat e Pacilësuara të Kompensimit të Shtyrë – Einstein’s Theory Taxation Explains The Nonqualified Deferred Compensation Rules!”, e nis me thënien: “Opera më solli ndër mend kontrollin tatimor. Ishte në një gjuhë që unë nuk e kuptova dhe mbaroi në tragjedi.”.

Albert Einstein ka thënë se “gjëja më e vështirë në botë për ta kuptuar është tatimi mbi të ardhurat” dhe “përgatitja e deklaratës time tatimore është tejet e vështirë për një matematikan. Duhet një filozof.”.

Duke marrë shkas nga kjo thënie e Ajnshtajnit një analizë e thellë e proçesit të kontrollit tatimor (nga përvoja e huaj dhe vendase) tregon se sistemi i tatimit mbi të ardhurat vendos barrë hutuese administrative mbi bizneset dhe individët.

Kësisoj, qytetarët e zakonshëm dhe bizneset shpenzojnë kot milionë lekë në vit duke u përpjekur ta zbatojnë ligjin, për t’iu shmangur plotësimit të kërkesave të ligjit të tatimit mbi të ardhurat. Madje, më shqetësues është fakti i kompleksitetit të ligjit të tatimit mbi të ardhurat (veçanërisht boshllëqeve dhe hapësirave që përmban udhëzimi përkatës i këtij ligji) që ndikon në erozionin e plotësimit me mirëkuptim të kërkesave të legjislacionit tatimor, i cili i paraprirë nga ligji për TVSH – në përbëjnë, në thelb, themelet e sistemit tatimor në Shqipëri.

Kompleksiteti i legjislacionit tatimor është ndikuesi parësor në krijimin e konfuzionit të tatimpaguesit dhe në padrejtësinë reale, ose në atë të perceptuar nga tatimpaguesit në lidhje me sistemin tatimor, gjë e cila, së fundi, është treguar qartë nga rezultatet e anketës së kryer nga Revista Monitor ku jepen dëshmi se tatimpaguesit ka pak të ngjarë të jenë plotësues të zellshëm (me mirëkuptim) të kërkesave të legjislacionit tatimor, sidomos kur ata kanë perceptuar se sistemi tatimor është i padrejtë dhe i pabarabartë.

Në vazhdën e argumenteve, është edhe fakti se legjislacioni tatimor po ndryshon në mënyrë konstante dhe një gjë e tillë vjen si rezultat se përfaqësuesit e zgjedhur (deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, më saktë ata që përfaqësojnë pushtetin) kërkojnë mënyra të reja për të siguruar para shtesë për buxhetin e qeverisë.

Ndërkohë, legjislacioni tatimor është bërë kaq kompleks dhe kaq i shëmtuar, si të jetë një grumbull shkurresh, ose si një lëndinë që nuk korret kurrë. K Duket qartë se ka diçka të gabuar me sistemin tatimor, veçanërisht, kur vetëm një shtresë të vogël njerëzish arrin ta kuptojë se si funksionon ky legjislacion.

Kompleksiteti nuk mund të hyjë kaq shumë thellë në brendinë e legjislacionit tatimor nga keqdashja se sa nëpërmjet përpjekjeve të një reforme të keqdrejtuar. Si rezultat, legjislacioni tatimor favorizon ato tatimpagues që kanë kontabilistët më të mirë në lidhje me shmangien e pagimit të detyrimeve tatimore sipas ligjit. Por, të gjithë kontabilistët dhe këshilltarët tatimorë, madje edhe një kuvend i tërë mjeshtrash nuk mund të tregojnë me siguri se çfarë thotë ligji i tatimit mbi të ardhurat.

Një gjendje të tillë William A. Drennan e përshkruan si vijon: “Unë kam diçka që doktori im e quan “narkotaxes”. Brenda 20 sekondave të dëgjuarit dikë që hedh një shpjegim në lidhje me legjislacionin tatimor, sytë e mi bëhen të verbër, trupi im humbet të gjitha ndjenjat dhe unë shkoj në një komë të lehtë.”. Në vetvete, kompleksiteti i legjislacionit tatimor është një lloj tatimi.

Kompleksiteti i panevojshëm i legjislacionit tatimor promovon kaos dhe konfuzion. Një nga shkaqet e krizës greke ishte dhe mbetet evazioni tatimor, si një trashëgim nga e kaluara. Analistë të ndryshëm vendas dhe të huaj kanë veçuar tiparet e mëposhtme në lidhje me krizën greke: mosdeklarimin e çdo të ardhure të tatueshme; moslëshimin e faturave tatimore; përdorimin e faturave tatimore false; mosmbajtjen dhe mospagimin e tatimit të mbajtur në burim; mosdeklarimin dhe mospagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore; në disa raste këmbimin e mallrave dhe shërbimeve në natyrë.

E njëjta dukuri shpaloset edhe në Shqipëri ku dallimi ndërmjet evazionit tatimor dhe shmangies tatimore, është proçesi i zvogëlimit të barrës tatimore, bazuar në boshllëqet e legjislacionit tatimor dhe në nxitësit tatimorë. Brookings Institute i Washingtonit, në lidhje me arsyet e rënies ekonomike të Greqisë, dështimin fiskal e llogarit si rezultat të: kalbjes së kontrolleve tatimore; legjislacionit tatimor të paqartë; zakonit të keq të individëve dhe firmave për t’i dhënë rryshfet zyrtarëve tatimorë; perceptimit të shumë qytetarëve se, moralisht, është e pranueshme ta zhvatësh arkën e shtetit. Dhe kjo zhvatje bëhet edhe më e pranueshme moralisht kur politikanët në pushtet abuzojnë dhe shpërdorojnë paratë e tatimpaguesve.

Qeveria vetë nuk ka para. Paratë janë vetëm të tatimpaguesve.”. Studjuesi amerikan Charles Adams thotë: “Kur tatojmë ne luajmë me zjarrin dhe pa kontrollet e duhura ne, lehtësisht, mund të djegim çdo gjë që kemi ndërtuar:”. “ … por si tatojmë dhe si shpenzojmë ne, në një shkallë të madhe, përcakton nëse ne jemi të lulëzuar ose të varfër, të lirë ose të skllavëruar dhe, më e rëndësishmja, të mirë ose djaj.”.

Share: