Home KRYESORE Drejt hapjes së negociatave për antarësim në Bashkimit Evropian

Drejt hapjes së negociatave për antarësim në Bashkimit Evropian

Nga Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Në fund të tetorit 2016 u shpërnda lajmi që Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka ftuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për një vizitë zyrtare në Berlin me 28 nëntor 2016. Komentet në media janë nga më të ndryshmet, e shpesh nga më kontradiktoret. Por, një mëndje e shëndoshë e kupton qartë se vizita te liderja më e fuqishme e Bashkimit Evropian, Merkel, lidhet parasëgjithash me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Vizita bëhet një një kohë kur Shqipëria po adopton reforma të forta në zbatim të pesë prioriteteve që Komisioni i Bashkimit Evropian i ka rekomanduar, që vëndit t’i hapen negociatat për antarësim të plotë në BE. Gjithashtu, vizita e kryeministrit Rama në Berlin bëhet në një kohë kur hije të errëta kanë rënë mbi Ballkanin Perëndimorë, si pasojë e krizës financiare të BE, krizës së emigrantëve nga Lindja e Mesme, krizës së Brexit-t mbi politikat e zgjerimit të BE drejt këtij Rajoni dhe rritjes së tensioneve Perëndim-Rusi.

Progres të dukshëm brënda vëndit

Në qershor 2014, Shqipëria mori statusin e vëndit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ky hap i rëndësishëm integrues për vëndin, u pasua me avancime të kërkesave të BE për rrugën drejt hapjes së negociatave për antarësim. Prandaj, mbas marrjes së statusit të vëndit kandidat për në Bashkimin Evropian, Komisioni i BE i vendosi Shqipërisë pesë priorite themelore, si kushte për hapjen e negociatave për antarësim në BE.

Hapja e negociatave për pranimin në BE, kushtëzohet nga përmbushja e plotë e 5 prioriteteve të mbetura sivc janë krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar, forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Në përpjekje për të avancuar integrimin e vëndit drejt BE, qeveria e re ka hedhur hapat e saj për marrjen e masave konkrete.

Lidhur me prioritetin e parë, reforma në administratën publike ka hedhur hapa të rëndesishëm me reformën administrative-territoriale, me zbatimin e ligjit të nëpunësit civil dhe të akteve nën ligjore të tij. Lidhur me forcimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria ka rishikuar strategjinë ne këtë fushe, duke miratuar një sërë projekt-ligjesh te rëndësishme në këtë drejtim. Hapi më i madh ishte miratimi i reformës në drejtësi në 21-22 korrik 2016, që gradualisht do të sigurojë pavarësinë, integritetin dhe profesionalitetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Reforma në drejtësi i hap rrugë edhe prioritetit të tretë, luftës kundër korrupsionit në vënd. Për luftën kundër korrupsionit është hartuar strategjia e re që forcon, thellon dhe konsolidon strukturat koordinuese që mundësojnë realizimin e këtij prioriteti. Ne një hark kohor afatshkurtër do te sigurohen statistika te harmonizuara dhe Track Record, mbi rastet e hetuara për vepra korruptive, në të gjitha nivelet, përfshire procedimet penale dhe rastet e dënuara. Përqasja proaktive e strukturave ligj zbatuese ndaj hetimit të rasteve korruptive si dhe forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional, do të jete gjithashtu ne fokusin e punës se strukturave ligj zbatuese.

Lidhur me prioritetin e katërt, luftën kundër krimit të organizuar, janë riparë eficienca e strukturave ekzistuese të ngarkuara me luftën kundër krimit të organizuar si dhe po merren masa të dukshme për përmirësime specifike. Për periudhën ne vijim do te përmirësohen statistikat e harmonizuara dhe Track Record për rastet e hetuara, për të ndjekur një qasje më proaktive të strukturave ligjzbatuese, në hetimin e veprave penale të krimit të organizuar, dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Vëmendje më të lartë kërkon në këtë drejtim lufta kundër drogave dhe trafiqeve të paligjshme që lidhen me to.

Prioriteti i pestë ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerable, Qeveria Shqiptare është mjaft e angazhuar për një legjislacion modern Evropian në mbrojtje të kësaj kategorie. Në këtë linjë zbatimi i “Planit të Veprimit për Romët” përmban hapa konkret për strehimin e familjeve rome, si një prioritet afatshkurtër. Ndërsa për të drejtën e pronësisë, qeveria ka rishikuar Strategjinë Ndërsektoriale në Fushën e të Drejtave të Pronësisë dhe ka përcaktuar hapat konkretë dhe prioritarë. Gjithashtu po ndërmerret ristrukturimi i sistemit të menaxhimit të pronës në Shqipëri. Në zbatim të kësaj strategjie ka nisur ka riorganizimi i gjitha agjencive që merren me administrimin, regjistrimin dhe dokumentimin e pronave.

Politikë konstruktive dhe aktive në Ballkanin Tradicionalisht si dhe gjatë tranzicionit demokratik, Shqipëria ka luajtur rol pozitiv për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimorë. Edhe në këtë periudhë, mbas pranimit në NATO (2008) si dhe marrjes së statusit të vëndit kandidat për në BE (2014), Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë kanë qënë mjaft aktiv për ruajtjen e politikës së fqinjësisë së mirë, bazuar në parimet e politikës së jashtme dhe diplomacisë së saj.

Në mënyrë të vecantë në tre vitet e fundit, Shqipëria është bërë vënd promotor i iniciativave dhe projekteve Rajonale, si ato të inicuara nga procesi i Vjenës dhe i Berlinit. Shqipëria, ndonëse me kapacitetete të limituara i ka kontribuar shumë pozitivisht bashkëpunimin Rajonal, duke mbështetur politikat zhvillimore dhe projektet e BE në një kontekst shumë të gjërë.

Politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare, qeveritare dhe parlamentare kanë qënë active dhe konstruktive lidhur me mbështetjen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi, në Lugina e Preshevës. Shqipëria ka rritur interesimin, kujdesin dhe mbështetjen për faktorin shqiptar kudo në Rajon pa cënuar normat juridike ndërkombëtare si dhe parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shqipëria, gjithashtu, ka rritur ndjeshëm veprimin e saj diplomatik për zgjidhjen e problemeve shqiptare të trashëgimisë historike si është qështja e Camërisë me Greqinë si dhe ato të respektimit të të drejtave të pakicave shqiptare kudo në shtetet përreth Shqipërisë si në Maqedoni, Mali i Zi e deri në Preshevë, Medvexhë e Bujanovc në Serbi. Këto hapa kurrajoz janë ndërmarrë në respekt të normave e parimeve juridike e të marrëdhenieve ndërkombëtare si dhe në frymën e politikës së jashtme dhe diplomacisë së BE. Politika e jashtme dhe diplomacia e Shqipërisë nuk ka rrëshqitur në nacionalizmat tradicionalë Ballkanik.

Një politikë e tillë e jashtme e ka bërë Shqipërinë një hapsirë shumë të rëndësishme politike, diplomatike dhe strategjike për NATO dhe për vetë Bashkimin Evropian. Janë këto arsye të rëndësishme, gjithashtu, që po krijojnë mendimin gjithnjë e më shumë në Bruksel se cdo hap i Shqipërise drejt Bashkimit Evropian është rritje e kapacitetit të saj për t’i kontribuar paqe dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimorë.

Partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e NATO dhe BE

Shqipëria po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga institucionet e Brukselit (NATO dhe BE) si partnere e besueshme dhe e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Ky pozicion i avancuar i Shqipërisë me Aleatët Perëndimorë ka fituar peshë dhe rëndësi akoma më të madhe për NATO dhe BE në kushtet e rritjes së elementëve të paqëndrueshmërisë politike dhe të sigurisë në Ballknin Perëndimorë.

Aktualisht, disa shtete të Ballkanit Perëndimorë po shfaqin dukshëm shënja destabiliteti politik dhe të sigurisë. Ballkani Perëndimorë ka disa kategori shtetesh të paqëndrushme. Ka shtete jo funksionale si Bosnie&Hercegovina, shtete në spirale të gjatë krize si Maqedonia, shtete në dilema delikate orientimesh gjeopolitike si Mali i Zi dhe shtete të reja e për rrjedhojë të dobëta si Kosova.

Këto kategori shtetesh ballafaqohen me situata politike e ndër-etnike të përafërta të paqëndrueshme. Këtë paqëndrueshmëri në këtë konstelacion shtetesh në Ballkanin Perëndimorë e kanë shkaktuar faktorë politikë dhe ndëretnikë si dhe shkaqe social-ekonomike të brëndshme. Gjithashtu, këtyre faktorëve dhe shkaqeve të brëndshme i janë shtuar kohët e fundit edhe rritja e ndikimit të faktorëve dhe shkaqeve të jashtme.

Posaqërisht, mbas krizës së Ukrainës (Nëntor, 2013), ndër faktorët dhe shkaqet e jashtme me ndikim në rritje në Ballkanin Perëndimorë është Rusia. Rritja e interesave dhe veprimit politik, diplomatik, ekspansionit ekonomik dhe agresivitetit strategjik të Rusisë ka pasur dhe vijon të ketë impaktin më të dukshëm të jashtëm në paqëndrueshmërinë politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimorë si nën-Rajon në tërësi dhe në shtetet individuale si Bosnie&hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova, në vecanti.

Në këtë mjedis politik e sigurie në Ballkanin Perëndimorë dhe në konstelacionin e shteteve të lart-përmendura të këtij nën-Rajoni, Shqipëria është një shtet konstant pro-Perëndimorë në situatën e brëndshme dhe në politikën e vet të jashtme. Kjo reflektohet edhe në Rajon e më gjërë. Si antare e NATO dhe si kandidat për në BE, Shqipëria po konsiderohet gjithnjë e më pozitivisht si partneri më i besueshëm dhe më i qëndrueshëm gjeostrategjik pro Perëndimorë në Ballkanin Perëndimorë.

Për gjithë këto arsye, pra të reformave të brëndshme, të politikës së fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit aktiv dhe konstruktiv Rajonal si dhe për mbështetjen konsistente të politikave dhe interesave të Perëndimit, NATO dhe BE, në Ballkanin Perëndimore, Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për antarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Vizita e Kryeministrit Rama në Berlin dhe takimi me Kancelaren Gjermane, Angela Merkel, me 28 nëntor 2016, do i shërbeje këtij qëllimi.

Share: