Nga Nikollaq Neranxi
Sot, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë drejtuar nga Nikollaq Neranxi, organizoi një takim me përfaqësues shoqatash dhe këshilltarë të Bashkisë Tiranë, për të paraqitur kërkesat tona në prag të miratimit të paketës fiskale 2017 nga ana e Keshillit Bashkiak.
Ne si organizatorë, u dërguam ftesë të gjithë këshilltarëve, por na u bashkuan vetëm këshilltarët e djathtë. Më poshtë fjala ime mbajtur në këtë takim;
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, ka organizuar sot këtë takim, meqenëse biznesi i kryeqytetit po mbyll vitin me një bilanc shumë negativ dhe arsyet kryesore të kolapsit të sipërmarrjes së kryeqytetit, janë politikat e gabuara fiskale qendrore dhe lokale, të cilat kanë qenë represive dhe kanë shkuar kundër inciativës së sipërmarrjes së lirë dhe rregullave të ekonomisë të tregut.
Nuk do të donim të përsëritet në vitin 2017, eksperienca e shëmtuar e vitit 2016, ku tregtarët u detyruan të protestojnë me ditë të tëra para Bashkisë së Tiranës, sepse u gjendën papritur, pa u lajmëruar, në befasi të plotë, si një thikë pas shpine, para taksave të reja vendore të cilat në shumicën e rasteve ishin disafishuar.
Pse ishin disafishuar? Kishte ndonjë studim që biznesi po ecte mirë në kryeqytet? Bilancet tona ishin me fitime më të larta? Jo, nuk kishte asnjë studim të kësaj natyre, as edhe konsultime me grupet e interesit, kishte vetëm fuqi kartoni të maxhorancës për të grumbulluar sa më shumë lekë, pa marrë parasysh që do të falimentonin biznesin në mënyrë masive.
Siç e dini, ne, në atë kohë dërguam kërkesat tona si Shoqatë në Bashkinë e Tiranës, për të ulur në nivelet ekzistuese, 7 nga taksat vendore të cilat rëndonin shumë mbi biznesin, por ato kërkesa nuk u morën parasysh, madje pati edhe një gjuhë ironike dhe tallëse nga ana e Kryetarit të Bashkisë, Veliaj, fraza të tipit “Punë e madhe, falimentoni!
Siç e dini edhe ju, vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2016, në Tiranë kanë bërë kërkesë për çregjistrim në QKR, 3000 biznese nga të cilët 82% janë biznes i vogël, 13% biznes i vogël me TVSh dhe 5% biznes i madh.
Në një sondazh të bërë nga revista Monitor për këtë problem, 62% e bizneseve që kanë kërkuar të çregjistrojnë aktivitetin në 8 muajt e parë të vitit, kishin si faktor kryesor krizën, gjobat, apo taksat e larta. Edhe të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit konfirmojnë se nga këto subjekte, rreth 2000 janë çregjistruar përfundimisht në Tiranë, një shifër kjo që është dy herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nuk ka nevoje të themi këtu që qeverisja aktuale, si qendrore edhe ajo vendore, është sjellë me biznesin sikur ta kishte armik. Ka patur edhe momente reflektimi tek tuk, por e vërteta është se situata mbetet shumë e rëndë dhe marrdhënia shtet-biznes është akoma shumë e keqe dhe jo produktive.
Dua t’ju kujtoj këtu, që në paketën fiskale të vitit 2016, parashikoheshin gjoba stratosferike për biznesin, në disporpocion me një gabim apo shkelje të mundshme nga ana e biznesit, ligj të cilin e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese pasi Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve e çoi për shfuqizim.
Në paketën fiskale të vitit 2017 janë parashikuar gjoba edhe më të ulëta se ato që la në fuqi Gjykata Kushtetuese dhe kjo do të thotë që qeveria e pranoi gabimin, por edhe reflektoi.
Ndërkohë taksat vendore u rritën deri në 10 fish, janë 11 taksa, të cilat jo vetëm u rritën, por filluan t’i vjelin 45 ditë para se ligji të niste efektin. Përsëri Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve e çoi ligjin për taksat vendore në Kushtetuese, dhe Kushtetuesja pavarësisht se nuk e pranoi të gjithë padinë, ra dakord me faktin se taksat u volën 45 ditë para afatit dhe ato para duhet t’i kthehen mbrapsht biznesit, sepse i janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme.
Çfarë tregojnë gjithë këto veprime? Tregojnë se njerëzit që ne kemi zgjedhur për të na drejtuar, janë jashtë realitetit dhe nuk arrijnë të kuptojnë problematikat e biznesit ose nuk duan t’i kuptojnë. Ata në vend që të bëhen zgjidhja, në fakt janë bërë problemi jonë kryesor, ndërkohë që nuk duhet harruar se po jetojmë në një moment krize edhe ndërkombëtare, si dhe fuqia blerëse ka rënë shumë. Në një shtet normal, shteti ndërhyn me mekanizmat e tij që të ruajë bizneset nga falimentimi në këto raste, por ky nuk është rasti i shtetit tonë.
Sepse ne themi, u rrëzuan gjobat apo ndonjë nen tjetër i ligjit të taksave vendore, por ndërkohë dëmi u bë, sepse kanë falimentuar shumë biznese për fajin e drejtuesve dhe ligjbërësve. Çfarë do të thotë kjo? Ju e dini që shumica janë biznese të vogla, familjare, janë të vetmet burime të ardhurash për ta. Me ato para ushqehen mosha e tretë e familjes, sepse pensioni i tyre vetëm për ilaçe mjafton, ushqehet mosha e mesme, dhe ushqehen, vishen dhe dërgohen në shkollë fëmijët. Një qepen i mbyllur i një biznesi, është minimalisht një familje pa bukë.
Kjo është arsyeja që shqiptarët sot kanë marrë rrugët e botës, kërkojnë azil, emigrojnë njësoj si në 91-in kur ndërroheshin sistemet apo si në 97-ën kur kishte luftë civile.
Ndërsa sot emigrojnë sa sirianët, por ndërsa sirianët ikin nga lufta, shqiptarët po ikin prej varfërisë. Prandaj sot, ato investime publike (sidomos ato që nuk janë jetike), në Tiranë apo dhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, të realizuara duke mbledhur taksat tona që shkojnë deri në 40% të xhiros së biznesit, janë veçse një shfrytëzim, janë një pirje gjaku për t’i marrë tregtarit atë që nuk ka mundësi të ta japë, sepse nuk e fiton dot dhe kështu e detyron të falimentojë, të lërë jetën e tij këtu dhe të marrë rrugët e botës, pa përmendur edhe raste kur ndonjë familje ka patur përfundim tragjik, vetëm nga varfëria.
Prandaj ne jemi mbledhur sot, që Bashkia e Tiranës të mos luajë më teatro, por të na dëgjojë dhe të reflektojë mbi kërkesat tona për vitin 2017.
Ju do flisni të gjithë mbi problematikat që keni hasur gjatë këtij viti dhe më pas ne do përpilojmë një listë me sugjerime të cilat do ia çojmë Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Kryetarit. Ju faleminderit!