Home KRYESORE Rinovimi i sanksioneve ndaj Iranit, ligj edhe pa nënshkrimin e Obamës

Rinovimi i sanksioneve ndaj Iranit, ligj edhe pa nënshkrimin e Obamës

Në një ndryshim të papritur, presidenti amerikan Barack Obama refuzoi të nënshkruante rinovimin e sanksioneve kundër Iranit, por gjithsesi e la atë të kthehej në ligj, në një përpjekje të dukshme për të lehtësuar disi shqetësimet e Teheranit se Shtetet e Bashkuara po rebelohen ndaj marrëveshjes bërthamore.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se Obama pritej ta nënshkruante rinovimin 10-vjeçar të sanksioneve, afati përfundimtar i mesnatës së të enjtes për ta bërë këtë gjë kaloi pa miratimin e presidentit.

Në vend të nënshkrimit, ai vendosi ta linte projektligjin të kthehej në ligj pa firmën e tij, një lëvizje e rrallë që Obama nuk e ka bërë kurrë më parë gjatë 8 viteve në krye të Amerikës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se vendimi i presidentit synonte të dërgonte një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj ligjvënësve, të cilët kaluan rinovimin e sanksioneve pavarësisht kundërshtimit të tij.

“Nëse Kongresi vendos ta hedhë në erë marrëveshjen që parandalon Iranin nga sigurimi i armës bërthamore, atëherë ata do të duhet të përballen me pasojat, dhe pasojat janë tepër të rënda”, tha Earnest. Ai theksoi se administrata “Obama” mundet dhe do të vazhdojë qëndrojë larg sanksioneve të hequra si pjesë e marrëveshjes bërthamore.

Bazuar në Kushtetutën, presidenti amerikan ka 10 ditë kohë pas miratimit nga Kongresi për të nënshkruar një ligj, për të vendosur veton, apo për të mos bërë asgjë. Nëse Kongresi është me pushime të përkohshme dhe nuk e firmos projektligjin, ky është një lloj “vetoje” që e pengon atë të kthehet në ligj.

Por nëse Kongresi është ende në sesion, projektligji bëhet ligj edhe pa firmën e presidentit. Edhe pse ligjvënësit janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre për pushime, Kongresi është ende në sesion teknikisht dhe do të mbajë një seancë gjatë kësaj jave.

Edhe pse lëvizja e Obamës nuk e parandalon dot rinovimin e sanksioneve nga hyrja në fuqi, ajo shënoi një përpjekje simbolike për distancimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë nga “shuplaka” më e fundit e kongresmenëve ndaj Teheranit.

Irani, nga ana e tij, ka premtuar se do të kundërpërgjigjej nëse sanksionet rinovoheshin, duke argumentuar se një lëvizje e tillë është në shkelje të hapur të marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe fuqive të mëdha botërore, që ka për qëllim heqjen e sanksioneve në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të Iranit.

Përveçse është ankuar në Kombet e Bashkuara për rinovimin e tyre, të martën presidenti iranian urdhëroi planet për të ndërtuar anijet luftarake bërthamore dhe akuzoi formalisht SHBA-të për shkeljen e kushteve të marrëveshjes./dita.al

Share: