Home KRYESORE “SUDDEUTSCHE ZEITUNG” – Merkeli akuzon Rusinë dhe Iranin për krime lufte në...

“SUDDEUTSCHE ZEITUNG” – Merkeli akuzon Rusinë dhe Iranin për krime lufte në Siri

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Rusia dhe Irani janë fajtorë për vuajtjet në Alepo. “Ne bëjmë përgjegjës Rusinë dhe Iranin, së bashku me regjimin sirian, që në shënjestër të sulmeve janë vënë civilët dhe spitalet. Këto janë krime”, tha Merkeli.

Kancelarja tha se në takimin e Këshillit Evropian foli edhe kryebashkiaku i pjesës lindore të Alepos. Fjalimi i tij ishte “shumë i dëshpëruar”, tha kalcelarja, sepse të gjithë po shohim në shekullin e 21-të diçka që na turpëron, na thyen zemrën, që tregon se nuk mund të veprojmë politikisht, ashtu si do të donim të vepronim.

Kancelarja e bëri të qartë se ku e sheh shkakun për gjendjen katastrofike të civilëve në qytetin sirian: “Nuk ka mungesë vullneti, kemi të bëjmë me dështim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Merkeli falënderoi posaçërisht Turqinë, për “përgjegjësinë e pabesueshme” për refugjatët nga Siria. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e akuzoi sërish qeverinë siriane se po saboton ndihmat për civilët e bllokuar në Alepo. “Fakti që para syve tanë po ndodh një tragjedi, është turp për njerëzimin,” tha Erdogani.

Ndërkaq, helmetat e bardha siriane, një organizatë humanitare shpëtimi që ndihmon viktimat e bombardimeve, thotë se Rusia ka kryer krime lufte në Alepo ose është përfshirë në to. Nga sulmet ajrore të avionëve rusë janë vrarë 1207 civilë, duke përfshirë 380 fëmijë, thuhet në një letër me 39 faqe drejtuar nga ky grupim një komisioni të Kombeve të Bashkuara.

Shifrat janë bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, pamjet video, regjistrime audio e përgjime. Misioni rus në Kombet e Bashkuara nuk ka qenë i disponueshëm për asnjë koment pas këtij fakti.

Share: