Home KRYESORE LSI përgatit lëvizje të tjera në qeveri?

LSI përgatit lëvizje të tjera në qeveri?

Kryesia e Kuvendit dhe zyra e Ilir Metës ka qenë pika takimit mes dy bashkëkryetarëve të koalicionit qeverisës.

Pas takimit të së hënës, kur Rama dhe Metën u dakordësuan për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, Edi Rama u rikthye sërish në zyrën e partnerit të tij në qeveri, për të biseduar kokë më kokë për 45 minuta.

Por teksa mediat prisnin mbërritjen e kryeministrit, ministri Koka doli nga zyra e kryetarit Meta, ku kishte qëndruar për disa minuta, për t’u larguar pak minuta përpara mbërritjes së kryeministrit.

Ky ishte takimi i parë mes tyre pas deklaratave të forta të ministrit Koka, me akuza të drejtpërdrejta për Policinë e Shtetit dhe krerët e saj sikurse edhe kundërshtisë së hapur për vijimësinë e koalicionit PS-LSI.

Pas largimit të ministrit të LSI-së, në zyrën e kryetarit Meta mbërriti Edi Rama, në një takim që vjen pas “llogaritjes së numrave që dy selitë e partive bënë përgjatë 24 orëve të fundit në qëndrimet e tyre pas shkarkimit dhe “bombave” të Manjanit.

Por në selinë e kryesisë ishin sot edhe Petrit Vasili, ministri i emëruar i Drejtësisë dhe një nga deputetët kritikë të LSI, Vangjel Tavo, i cili u rreshtua të shtunën e kaluar në krah të Kokës me akuzat për policinë dhe kanabizimin e vendit.

Dy aleatët, përveç dakordësisë për shkarkimin e Manjanit, orët e fundit kanë patur dakordësi edhe mbi numrin “71”.

Përpara gazetarëve një ditë më parë, Ilir Meta deklaroi se nëse PS-ja do të kishte 71 vota, LSI-ja do ishte në opozitë.

Por i njëjti numër është artikuluar nga kryesocialisti Rama edhe në mbledhjen e kryesisë së PS, ku burime nga brenda mbledhjes i cituan Top Channel thënien e kryeministrit, sipas së cilës, Partia Socialiste, PDIU dhe FRD e Bamir Topit, me votat e vitit 2013 dhe pa LSI, i kalojnë edhe sot 71 mandatet.

Burime nga LSI thonë për Top Channel se brenda partisë ka sërish lëvizje. “Por a do të përkthehet kjo në ndryshime të tjera në qeveri, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të qershorit?” – pyet Lapsi.al

Share: