Home KRYESORE Nikollë Lesi: Lufta Lu-Llalla dhe pse nuk do të ketë më paqe

Nikollë Lesi: Lufta Lu-Llalla dhe pse nuk do të ketë më paqe

Përballja e fundit, publike dhe aspak diplomatike mes ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla ka hapur letrat në shesh, bile në Bulevard.

Lufta nisi, nuk ka më paqe.

I pari që filloi sulmin frontal, me të gjitha armët luftarake, ishte ambasadori Lu. Në një semiar apo diçka të tillë me shoqerinë civile ai lëshoi akuza shumë të rënda kundrejt kreut të akuzës shqiptare Adriatik Llalla. Lu tha se Llalla po pengon reformën në drejtësi, se po shkel Kushtetutën e Shqipërisë, etj etj akuza të cilat mund t’i ngrejë vetëm një Prokurori e Posaçme ose Parlamenti dhe në fund Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Ambasadori Lu ka kohë që është duke u marrë me ndihmën ndaj vendit tonë në fushën e reformës në drejtësi. Kjo është e vertetë. Por nxitimi, shpallja e personave të pa dëshirueshëm në ambasadë për vizë siç ndodhi me prokurorin e përgjithshëm, që zotëron edhe pasaportë diplomatike, presioni siç thotë prokuroria ndaj deputetëve për të votuar me symbyllur, shantazhi ndaj prokorurëve të veçantë, kërkesa-shantazh edhe me shkresë ndaj organit të akuzës për kompaninë “Bankers”, e cila po bën realisht masakër në zonën e Fierit, etj, etj tregojnë se ambasadori amerikan e ka kaluar “vijën e kuqe”. Me dashje apo pa e kuptuar ambasadori ka marrë pozën e një “Guvernatori” në shtetin shqiptar, ndërkohë që juridikisht ai është përfaqësues i një shteti tjetër, ndonëse mik, aleat strategjik dhe supërshteti i botës. Nuk hamëndësojmë në rolin e tij për të kontribuar në reformim të drejtësisë në Shqipëri, porse shtohen dyshimet, siç akuzon në deklaratën e tij zyra e prokurorit të përgjithshëm se Donald Lu po punon për të kaluar drejtësinë nga një palë kthetra, të kohës së Berishës në putrën e Edi Ramës. Që ka një përpjekje fine edhe të ambasadores së BE në Tiranës zonjës Vlahutin për të punuar që emrat e rinjë në kupolën e drejtësisë të jenë njërëz pro kryeministrit Rama, kjo nuk ka asnjë hezitim për të dyshuar. Por kjo prish imazhin e ndërkombëtarëve, tek te cilët ka besim shumica e shqiptarëve, sikurse shkatërron gjithçka thuhet për një drejtësi të reformuar, pas miratimit të ligjeve kryesore me 140 deputetë, gjë e cila u arrit falë një pune titanike të një pjesë të politikës shqiptare.

Akuzat e ambasadorit amerikan Lu dhe kundërakuzat e forta të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kanë krijuar një pasiguri te publiku për mënyrën se si u bë reforma në drejtësi, për imazhin e palës amerikane në Tiranë, për të ardhmen e vendit ku të gjithë kërkojnë drejtësi dhe në ditën finale të miratimit të reformës, publiku pyet: Mos po na manipulojnë? Nëse ambasadorët Lu dhe Vlahutin punojnë për interesin e kryeministrit Rama kjo e rrëzon krejt reformën. Shqiptarët duan drejtësi dhe jo kalimin nga Saliu te Edi!

Për të vazhduar me tej kjo që ka ndodhur ditën e enjte mes Lu dhe Llallës ka një zgjidhje: Njeri duhet të ikë!

Cili?

Adriatik Llallën e shkarkon presidenti, parlamenti dhe nëse duhet gjykata kushtetuese, por deri tani nuk ka patur akuza konkrete për shkelje kushtetute ndaj tij.

Donald Lu ikën nëse Presidenti Trump e gjykon se ka shkelur ligjet amerikane dhe ligjin shqiptar për statusin diplomatik.

Por duket se, të dy, do ti kemi këtu, prapë në Tiranë, ndonëse për homologun e Lu në Shkup ka filluar procedura e shkarkimit nga Kongresi Amerikan.

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar përplasjen e sotme mes kryeprokurorit Llalla dhe ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, duke e cilësuar ndërhyrjen e këtij të fundit si të gabuar.

“Këto ndërhyrje të një ambasadori nuk ndodhin në një shtet normal. Kjo është përgjegjësia e një klase politike që është përpjekur të fitojë legjitimitet përmes ambasadorëve, e që kthehet në krahun tjetër në raste si sot. Mendoj se e gjithë reforma në drejtësi është gjë e dështuar. Edhe këto janë shenja dështimi. Nuk mund të rregullohet një vend vetëm me drejtësi, por duhet të ketë media, politikë dhe ekonomi të fortë. Amerikanët kanë gabuar në këtë rast, siç kanë gabuar edhe në herë të tjera. E shoh si një akt mbrojtës të prokurorisë që është kapur te ligji, për një ndërhyrje flagrante, në qoftë se çështja lidhet me ‘Bankers Petrolium’ siç thotë dhe ambasadori.”

Deri dje nuk kam dyshuar te Donald Lu. Nga sot mendoj se duhet shikuar çdo veprim me dylbi. Se për politikanët shqiptarët ka kohë që nuk besojmë më./Koha Jone

Share: