Home KRYESORE Zgjedhje apo zgjidhje në vitin 2017

Zgjedhje apo zgjidhje në vitin 2017

Nga Kasem Seferi

James Madison, një prej 45 presidentëve të SHBA ka lënë trashëgim: “Demokracitë kanë qenë gjithnjë spektakle të turbullirës dhe grindjes; kanë qenë gjithnjë të papërputhshme me sigurinë personale ose të drejtat e pronësisë; dhe në përgjithësi janë të shkurtra në jetët e tyre aq sa ato janë të dhunshme në vdekjen e tyre.”. Thomas Jefferson le pas thënien: “Në çështjet e pushtetit, mos lejoni të dëgjohet më në lidhje me besimin te njeriu por lidheni atë mirë nga të këqiat me anë të zinxhirëve të kushtetutës.”. Ndërsa Horatio Seymour konstaton: Merita e Kushtetutës tonë ishte jo se ajo promovon demokracinë, por se e kontrollon atë.”.

E thënë troç, pas një analize në dorë të parë, rezulton se mekanizmi drejtues i një ekonomie në tranzicion drejt tregut të lirë, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse shpallja e të drejtave, e detyruar nga një gjyqësor i paanshëm.

Ligjet bëjnë të mundur që të kemi një drejtësi të barabartë për të gjithë. Por, nuk mund të thuhet e njëjta për sitemin gjyqësor. VETTINGU?! Një pyetje dhe një dyshim i arsyeshëm nëse është një gur themeli, apo zgjidhja për të pasur një drejtësi të barabartë për të gjithë. Të thuash po, është utopi shqiptare (dhe jo prej atyre europiane). Të thuash jo, do të thotë të mos kemi shpresë për të ardhmen.

Në mënyrë të papritur, nga viti 1000 e këtej, Perëndimi ose, Europa në veri të Mesdheut dhe në perëndim të Ortodoksisë Greke, u bë një shoqëri me një civilizim të ri, ndryshe nga i mëparshmi që, shumë më vonë, mori emrin feudalizëm.

Në feudalizëm, ishte kalorësi ai që ushtronte kontroll të plotë politik, ekonomik dhe shoqëror mbi tërë sipërmarrjen kalorësiake.

Pra, prej vitit 1066, kohë kur fitorja e William Pushtuesit solli feudalizmin në Angli, Perëndimi ishte bërë pothuajse tërësisht pluralist dhe, çdo grup shoqëror, u përpoq të fitonte më shumë pavarësi, si dhe më shumë pushtet.

Më saktë bëhej fjalë (sikundër shihet edhe sot) për kontrollin politik dhe ekonomik të anëtarëve të tij, si dhe për të drejtën e hyrjes në privilegjet e dhëna të anëtarësisë, sistemin e vet gjyqësor, forcën e vet luftarake, pa harruar të drejtën për paranë dhe monedhën e vet, e kështu me radhë.

Prej vitit 1200 këto “interesa të veçanta” duhej t’i merrnin përsipër të gjithë dhe të gjithë këto grupe interesi do të ndiqnin vetëm qëllimet e tyre, si dhe u interesuan vetëm për pushtetin, pasurinë dhe kënaqësinë e vet.

Askush nuk u interesua për të mirën e përbashkët dhe, kapaciteti për të bërë politikë të gjërë shoqërore, mbeti i gjithi i vdekur.

Nga fundi i luftërave të Napoleonit, shteti i pavarur kombëtar kishte triumfuar kudo në Europë dhe i vetmi përjashtim ishin Shtetet e Bashkuara, ku pluralizmi mbijetoi. Në SHBA, pluralizmi fetar u privua nga pushteti me ndarjen e kishës nga shteti.

Nga mesi i shekullit të 19 – të, teoricienët shoqërorë dhe të politikës, duke përfshirë këtu Hegelin dhe filozofët politikë liberalë të Anglisë dhe Amerikës, proklamuan me krenari se pluralizmi vdiq përtej shpërblimit.

Por, në një moment të vërtetë, ai u kthye prap në jetë dhe organizata e parë që dukej se do të kishte pushtet thelbësor dhe pavarësi thelbësore ishte sipërmarrja e re e biznesit.

Pra, sfida e mijëvjeçarit të ri do të ishte ruajtja e pavarësisë së institucioneve (dhe, në disa raste, si bizneset ndërnacionale, pavarësinë mbi dhe përtej sovraniteteve kombëtare) karakterizuar si e tillë në të njëjtën kohë, njëherazi restaurimin e unitetit të sistemit politik (qeverisjes).

Pak do të ishte të thuhej se ishte fjala për gadishmërinë dhe aftësinë e secilit prej institucioneve të sotme për të ruajtur dhe për t’u perqendruar në funksionin e ngushtë si dhe të veçantë që u jep atyre kapacitetin për të performuar, ashtu si dhe gadishmërinë dhe aftësinë për të punuar sëbashku me autoritetet politike për të mirën e përbashkët

Sipas shumë analistëve politikë, liberalizmi kushtetues ka çuar në demokraci, por nuk dukej se demokracia kishte sjellë liberalizmin kushtetues.

Ka qenë e vështirë të njihej ky problem sepse, për pothuajse një shekull në Perëndim, demokracia ka nënkuptuar demokracinë liberale – një sistem politik i dalluar jo vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por gjithashtu nga sundimi i ligjit, ndarja e pushteteve dhe mbrojtja e lirive bazë të fjalës, tubimit, fesë dhe pasurisë.

Sot, për fat të keq, fijet e demokracisë liberale, të mpleksura në fabrikën politike të Perëndimit, janë duke ardhur në Shqipëri ndryshe, për arsye se as demokracia dhe as liberalizmi kushtetues nuk lulëzon.

Natyrisht, në spektrin e demokracisë iliberale, radhiten shkelës modestë të të drejtave bazë dhe lirive dhe, përgjatë një pjese të mirë të spektrit sot, zgjedhjet, rallë, kanë qenë aq të lira dhe të ndershme si në Perëndim

Më së pari dhe më së shumti, që nga koha e Herodotit, demokracia ka nënkuptuar sundimin e njerëzve, nëpërmjet proçesit të përzgjedhjes së qeverive, fillimisht e artikuluar nga Alexis de Toqueville, Joseph Schumpeter, Robert Dahl dhe, gjërësisht, e përdorur kohët e fundit, nga shumë shkencëtarë shoqërorë (ndër ta dhe nga një Profesor i yni i filozofisë).

Samuel P. Huntington ka thënë: “Zgjedhjet e hapura, të lira dhe të ndershme, janë thelbi i demokracisë, sine qua non i pashmangshëm.

Qeveritë e dala nga zgjedhjet deri më sot në Shqipëri kanë qenë inefiçente, të korruptuara, dritëshkurtëra, të papërgjegjëshme, të dominuara nga interesa të veçanta dhe të paafta për të adoptuar ato politika që ka kërkuar e mira publike.

Këto cilësi, i kanë bërë këto qeveri të padëshirueshme, por ende nuk i kanë bërë jodemokratike.

Në mënyrë subjektive, të kesh demokraci nënkupton një qeveri të mirë që, në mënyrë analitike, do ta kthente atë në të dobishme.

Shumë prej vendeve të Europës Juglindore, në mënyrë të suksesshme, kanë lëvizuar nga nga komunizmi në demokracinë iliberale, duke shkuar përmes së njëjtës fazë të liberalizimit pa demokraci të plotë, ashtu sikundër bënë vendet e tjera europiane gjatë shekullit të 19 – të

Tendenca e çdo qeverie demokratike, që besonte se kishte sovranitetin (pra pushtetin) absolut, ka rezultuar në qendërsimin e autoritetit, shpesh, me mjete ekstrakushtetuese dhe me rezultate që nuk janë mirëpritur në publik.

Gjatë dekadës së fundit, qeveritë e zgjedhura që kanë pretenduar se përfaqësojnë njerëzit, vazhdimisht, i kanë cënuar të drejtat dhe pushtetet e elementëve të tjerë në shoqëri, një uzurpim ky që është si horizontal (nga degë të tjera të qeverisë qendrore) ashtu dhe vertikal (nga autoritetet rajonale dhe vendore si dhe bizneset private dhe grupet e tjera joqeveritare).

Zakonisht, uzurpimi horizontal është më i dukshëm por, uzurpimi vertikal është më i përbashkët.

Dhe, qeveritë që janë dukur si legjitime, rendin e kanë mbajtur në mënyrë të ngadaltë, duke ndjekur politika të ashpra, ose me anë të ngritjes së koalicioneve; kësisoj, centralizimi i pakontrolluar është bërë armik i demokracisë liberale.

Përvoja në Shqipëri, tregon se kur qeveritë nuk i kanë mbrojtur të drejtat e individit, që përfshijnë ato të pronësisë dhe kontratës, nuk kanë krijuar një kuadër ligjor, administrim, kapitalizëm dhe rritje ekonomike në vazhdim.

Zgjedhje apo zgjidhje është dilema e vitit 2017.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: