Home KRYESORE Në vendin tim e në atdheun tënd / Një i çmendur, një...

Në vendin tim e në atdheun tënd / Një i çmendur, një vend po çmënd

Nga Kreshnik Spahiu*

Kësaj i thonë “Liri Fjale”?! A ju kujtohet Agon Channel dhe Begetti? U harruan dhe u zbuan nga Shqipëria me akuzën e pastrimit parave a thua sikur Top Channel ka investuar me djersën e ballit. Por sot Top Channel, A1 Report dhe shumë gazeta qeveritare rrezikojnë të humbin çdo audiencë sepse lajmet merren nga rrjetet sociale të cilat japin ushqim të shpejtë dhe pa censurë për publikun.

Sot kur portalet online janë ndër të paktat organe mediatike ku mund të shprehet fjala e lirë dhe që qeveria nuk ka asnjë kontroll mbi to, vjen propozimi nga kampi i majtë për mbylljen e disa prej portaleve online! Kjo është një nga masat më drastike që do mund të merret kundra fjalës së lirë në rast miratimi. As më shumë e as më pak ky amendament na kthen jo pak por 20 vite pas (1997), kohë kur qeveria demokrate kërkonte autorizim paraprak për botimin e organeve të shtypit të shkruar. Sipas propozimit që i është dorëzuar BIRN thuhet ndër të tjera:

“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritetet marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”.

Ekziston një nen në kodin zgjedhor, që mund të gjobisë deri në vlerën e 3 milionë lekëve çdo organ mediatik (kanale televizive publike dhe private) në rast se nuk i japin kohë të barabartë mediatike partive politike sipas kuotave të për caktuara në kodin zgjedhor, por kjo nuk përbën kërcënim në mbyllje të kanalit televiziv gjatë periudhës zgjedhore në rast të shkeljes së këtij neni.

E pse u dashka që për portalet online të veprohet ndryshe?! A mos vallë nuk quhen organe mediatike dhe informuese njëlloj si kanalet televizive?!

Por me siguri duhet vepruar njëlloj si me Top Channel ku i diktohet politika e shprehjes dhe përkatësisë partiake. Jo më larg se si disa javë më parë u tronditën themelet e fjalës së lirë me shkarkimin e disa prej drejtuesve të departamentit të informacionit në këto media.

Kujt i druhet vallë e majta shqiptare që mendon të ndërmarrë të tilla kauza?!

Sa profesionistë mund të jenë anëtarët e këtij bordi monitorimi kur janë emëruar nga vetë qeveria?! A thua kjo është liria e fjalës që qytetarët meritojnë?Apo kryeministri i trembet sulmeve të kundërshtarëve politik në zgjedhjet e qershorit 2017 dhe e ndjen veten të pafuqishëm kundër tyre dhe portaleve online?

Mos o Zot t’u shkojë ndërmend dhe mbylljen e rrjeteve sociale si Facebook dhe Youtube, ashtu siç kërcënoi dhe Erdogan turqit, pasi mbylli portalet dhe disa prej mediave opozitare.

Në vendin tim e në vendin tënd /Një i çmendur, një vend e çmënd

Share: