Dy janë arsyet që Ingrid Betancourt, politikanen dhe aktivisten e të drejtave të njeriut e sollën në Tiranë. Për ti thënë faleminderit vendit tonë për mikpritjen e më shumë se 2 mijë muxhahedinëve iranianë, ndërsa priten të tjerë të vijnë, dhe për ti takuar ata, disa prej të cilëve janë miq të saj. Një nga personalitetet më të njohura në botë, që synoi të ishte gruaja e parë presidente në Kolumbi, por që u bë gruaja e parë që u morr peng për 6 vite nga Forcat e Armatosura Revolucionare, e sheh Shqipërinë me admirim, në angazhimin e saj për të strehuar refugjatët.
“Ndihem e nderuar që jam këtu. Qeveritë e partive të ndryshme ishin të parat që mirëpritën refugjatët iranianë, kur ata po përndiqeshin dhe persekutoheshin. Kjo e ka bërë vendin tuaj të njohur, një shembull në arenën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Si një nga mbështetëset e opozitës iraniane, për rikthimin e demokracisë, barazisë gjinore, lirisë në një vend ku Ingrid Betancourt thotë se ekzekutimet kryhen në publik dhe gratë sulmohen me acid në fytyrë se nuk mbajnë shami, Shqipëria është modeli ku fanatizmi nuk gjen shprehje pavarësisht qasjeve politike.
“MEK, është partia e vetme opozitare në Iran. Ata janë myslimanë, por demokratë, që vriten, torturohen e përndiqen. Vendi juaj është më shumicë myslimane, por këtu nuk ekziston fanatizmi. Pra në këtë ide është një tjetër shembull i mirë”.
Për ti thënë stop dhunës që forma e saj më e ashpër është terrorizmi, Betancourt, ka një recetë të saj.
“Të flasim për të, të kuptojmë se ata janë të fuqishëm dukë shpërndarë frikën, siç janë ekzekutimet publike, të mos biem në dëshpërim, historia na tregon se betejat për demokraci i kemi fituar, të mos përçahemi dhe veçanërisht mos kemi dyshime, të jemi të qartë në qëndrimet tona sepse nëse ka diçka që ISIS e bën mirë është dezinformomi” – shkruan tvklan.
Emri i saj nga 23 shkurti i vitit 2002 e deri më sot, vijon të jetë në vëmendjen e mediave botërore. Ajo u mbajt peng për më shumë se 6 vite nga rebelët e FARK në Kolumbi. Në atë kohë Ingrid Betancourt ishte kandidate për Presidente, një mision i lënë në mes, por jo vendosmëria e saj për të luftuar korrupsionin./Lapsi.al