Home KRYESORE Video-Lajm / Si e ‘grabiti’ Organizata Politike protestën e banorëve të Zharrzës

Video-Lajm / Si e ‘grabiti’ Organizata Politike protestën e banorëve të Zharrzës

Nga Hashtag.al

Mediat dhe TV kryesore në vend kanë raportuar të shtunën se protestuesit-marshues të Zharrzës, kanë përzënë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa ky i fundit shkoi për t’i takuar në Bulevard.

Por detajet e kësaj historie ka gjasa të jenë keqinterpretuar nga media dhe episodi është përdorur politikisht në favor të qeverisë.

Për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur realisht, le të bëjmë një kronologji të kontekstit të ngjarjes.

Disa ditë më parë nisi marshimi i protestuesve të Zharrzës, nga Fieri drejt kryeqytetit.

Ky marshim u nxit dhe u mbështet nga ‘Nisma Thurje’.  Anëtarë të kësaj nisme ishin që në hapat e parë të marshimit pranë qytetarëve të Zharrzës dhe ‘Nisma thurje’ ishte i vetmi mjet informimi që ofronte në kohë reale, hap pas hapi informacione mbi marshimin tri ditor.

Kur marshuesit e Zharrzës kanë hyrë në Tiranë, tek ‘Zogu I Zi’ marshuesve u kanë janë bashkuar dhe disa anëtarë të ‘Organizatës Politike’.

Madje solidarizimi dhe pritja që i’u bë marshuesve në Tiranë, u shpall në Facebook dhe nga kreu i OP-së, Arlind Qori:

Pasi banorët e Zharrzës kanë mbërritur para Ministrisë së Energjitikës, ata kanë zhvilluar një takim me zv/kryeministrin Peleshi, kanë marrë prej tij garancitë për plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre ekonomike. Një për një.

Peleshi kërkoi kohë dhe u tha se kërkesat e tyre do të plotësoheshin deri ditën e mërkurë dhe ata mund të ktheheshin në Zharrzë e të prisnin atje deri të mërkurën.

Por protestuesit kanë njoftuar zv/kryeministrin se do të prisnin me çadra para ministrisë deri të mërkurën dhe nuk do të lejonin që plotësimi i kërkesave të tyre të orkestrohej si shfaqje nga qeveria në Zharrzë.

Protestuesit kanë hapur çadrat para ministrisë. Pak më vonë,  disa përfaqësues të Partisë Demokratike kanë komunikuar me protestuesit e Zharrzës dhe i kanë pyetur nëse kishin dëshirë të takoheshin me kreun e opozitës Lulzim Basha.

Protestuesit nga Zharrza kanë thënë se takoheshin me cilindo politikan pa asnjë problem për të shprehur shqetësimet e tyre, duke bërë të qartë se ishin aty për hallin e tyre dhe jo për ndonjë kauzë politike.

Basha u nis drejt takimit, por në momentin kur  Basha po afrohej anëtarët e Organizatës Politike (në mënyrë të organizuar dhe në kundërshtim të plotë me marrëveshjen që Basha kishte bërë me vetë grevistët),  nisën të shfrynin ndaj Bashës dhe të kërkonin largimin e tij.

Një video e shpërndarë sot në rrjet tregon se ishin posaçërisht anëtarët e kësaj organizate ata që kërkuan largimin e Bashës.

Situata për momentin doli jashtë kontrollit, por episodi u filmua dhe u paraqit në media sikur ishin grevistët e Zharrzës ata që përzunë Bashën.

Besjan Pesha i ‘Nismës Thurje’ dhe Altin Goxhaj (i cili ndërhyri në favor të PD-së), negociuan për sqarimin e episodit dhe më pas grevistët e Zharrzës i kërkuan anëtarëve të ‘Organizatës Politike’ që të largoheshin nga greva pasi kishin abuzuar me protestën e tyre.

Ky është episodi i konsumuar, më pas përfaqësuesi i ‘Nisma Thurje’, Besjan Pesha ka shfaqur hapur acarimin e tij me gjestin e ‘Organizatës Politike’  në reagimet në rrjetet sociale:

Akuzat e ndërsjellta kanë vijuar në rrjetet sociale, Altin Goxhaj, publikoi një video ku ekspozoheshin anëtarët e OP-së si shkaktarë ekskluzivë të incidentit, ndërsa nga ana e saj OP-ja publikoi një faqe gazete të disa viteve më parë, ku paraqitej një shkrim i Goxhajt në mbështetje të Sorosit.

Në portalet e majta nuk kanë munguar shigjetimet ndaj Besjan Peshës së ‘Nisma Thurje’ të cilit i kujtojnë faktin se ka qenë dikur drejtor i AKBN-së për LSI-në.

Përtej gjithë kësaj historie të konsumuar në 24 orët e fundit, rezulton se ‘Organizata Politike’ ka shkaktuar një incident që më pas u përdor mediatikisht kundër opozitës.

Anëtarët e kësaj organizate ishin aty të ftuar për solidaritet, ata nuk ishin organizatorë të marshimit por prezentë vetëm orët e fundit pasi banorët e Zharrzës hynë në Tiranë.

Nëse do bënim një analogji hipotetike dhe protesta do ishte një dasmë, rezulton se anëtarët e Organizatës Politike ishin të ftuar në dasmë, por pasi mbërritën në dasmën e dikujt tjetër, vendosën se kush duhej të ishte i pranishëm aty dhe kush duhej të largohej, pra ishin të ftuar që u përpoqën të silleshin si të zotët e shtëpisë duke shpërfillur vendimet e të zotit të shtëpisë (marshuesve nga Zharrza), në mënyrë arbitrare, arrogante dhe të dyshimtë. / Hashtag.al

Share: