Home KRYESORE Nisën armatimet/ Durimi mbaroi, a po nis lufta SHBA-Kore e Veriut?

Nisën armatimet/ Durimi mbaroi, a po nis lufta SHBA-Kore e Veriut?

Pak kohë pasi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, deklaroi se “koha e durimit strategjik” ndaj Koresë së Veriut “ka marrë fund”, sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë tha se duhet pasur tolerancë edhe për pak durim.

“Mendoj se do të vazhdojmë të punojmë me Kinën, për të na ndihmuar që të gjejmë një rrugë përpara”, tha Sean Spicer në konferencën për shtyp.

Ai shtoi se administrata do t’i japë Pekinit kohë për të shfrytëzuar ndikimin e tij ekonomik dhe politik mbi Phenianin.

Koreja e Veriut ka shpeshtuar provat e saj bërthamore dhe raketore, viteve të fundit, pavarësisht dënimeve nga komuniteti ndërkombëtar dhe sanksioneve nga Kombet e Bashkuara.

Qëllim i saj është të ketë kapacitet për të vënë kokat bërthamore në raketa balistike ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë në gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe ka rritur presionin mbi Phenianin.

Ai ka dërguar aeroplanmbajtëse drejt Gadishullit Korean, ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut kanë nisur të vendosin një sistem të mbrojtjes raketore.

Zëvendësambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong, tha se SHBA po e shtyn Gadishullin Korean “në prag të luftës” dhe paralajmëroi se “lufta bërthamore mund të shpërthejë në çdo moment”.

Retorika e tillë agresive, megjithatë, është e zakonshme nga media shtetërore e Koresë së Veriut dhe vetë zyrtarët koreanoveriorë.

Por, vëzhguesit thonë se, pavarësisht tensioneve, Koreja e Veriut mund të kryejë së shpejti testin e gjashtë bërthamor. Ajo ka bërë përpjekje të testojë një raketë të dielën, por ka shpërthyer vetëm pak sekonda pas nisjes.

Kina ka përsëritur thirrjet e saj për Phenianin që të ndalojë të gjitha provat dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, tha se Gadishulli Korean është “shumë i ndjeshëm, i komplikuar dhe me rrezik të lartë” dhe se të gjitha palët “duhet të shmangin veprimet provokuese që hedhin benzinë mbi zjarr”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, tha se shpreson se SHBA nuk do të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake kundër Koresë së Veriut, ashtu siç ka bërë së fundmi në Siri.

“Lëshimet aventureske raketore të Phenianit i shohim si të papranueshme, sepse shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, kjo nuk do të thotë se të tjerët mund të shkelin ligjin ndërkombëtar dhe të përdorin forcën ushtarake”, tha Lavrov.

Zv/presidenti amerikan, Mike Pence, ka thënë se “Koreja e Veriut do të bënte mirë” nëse nuk do të testonte vendosmërinë e presidentit Trump ose fuqinë e forcave të armatosura të SHBA-së./360grade.al

Share: