Vdekja e 15-vjeçares Blerta Pepa ka prekur zemrat e mijëra qytetarëve, që kanë shprehur dhimbjen dhe revoltën e tyre në rrjete sociale.
Mes tyre kanë qenë edhe dhjetëra artistë që kanë shprehur ngushëllimet për largimin nga jeta të vogëlushes, që ka marrë pjesë dikur te “Gjeniu i Vogël”.
Blerta nuk është e vetmja e familjes së saj që merret me muzikë, pasi edhe i vëllai, Ermal Pepa, prej vitesh është i angazhuar në botën e artit.
Këta janë disa prej artistëve që kanë reaguar dhe statuset e tyre përkatëse. Gjithashtu, edhe faqja zyrtare e “Gjeniut” ka shprehur ngushëllimet më të ndjera.
Klea Huta
Shpirti i vogël, pa fjalë!
U prehsh në paqe me engjëjt, dritë e vogël!
Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjarëve!
Frederik Ndoci
Përlotim për vajzën artiste, që mjekët e spitalit privat ia prenë jetën… e paharrueshme. RIP Ermal, ngushëllimet e mia për ju dhe gjithë familjarët!
Anxhela Peristeri
Kafshët që bënë këtë të keqe duhen ekzekutuar një nga një. E lexoj dhe nuk arrij ta besoj dot. Para ca muajsh kisha edhe vetë një problem të ngjashëm me gjurin dhe kur e mendoj që Blerta humbi jetën prej gjurit më vjen t’i çaj në dysh ata plehrat që ia bënë këtë vajzës. Turp, turp, turp për vendin ku jetojmë! Ermal Pepa, nuk kam fjalë për të ngushëlluar dhimbjen tënde!
Aurel Thëllimi
Shumë shpejt për t’i thënë lamtumirë kësaj fëmije engjëll! Fjalët nuk e lehtësojnë dhimbjen e familjes suaj Ermal Pepa. I lutem Zotit të jetë pranë jush në këto ditë të vështira! Motra jote është pranë Zotit sepse aty e ka vendin një engjëll që i merret jeta nga burokracia e këtij vendi, ku nuk u ngopën kurrë së lënduari njerëzit e mirë duke u marrë lekun për t’u dhuruar dhimbje.
Aurela Gaçe
Dhimbje, dhimbje…
Një engjëll u shtua në parajsë.
Një shpirt u shkëput nga familja e vet e nuk mund ta imagjinoj dot dhimbjen që mund të lërë pas për prindin humbja e fëmijës kaq papritur.
Blerta, e vogla që këndonte kaq bukur, motra e vogël e @ermalpepa, mikut tim talent.
Në këto raste edhe fjalët mbarojnë.
Shpirti yt u ktheftë në engjëll mbrojtës për fëmijë të tjerë ?♂️?♂️?♂️?♂️?♂️?♂️.
Këndofsh atje lart me engjëjt!
Gjeniu i Vogël
Të nderuar miq! Sot, si asnjëherë, ndajmë me ju një lajm shumë të dhimbshëm!
Blerta, një nga talentet e “Gjeniut”, që i ka dhënë nur skenës së televizionit “Klan”, tani është me engjëjt e qiellit. Me zërin e saj, karakterin e saj, temperamentin, buzëqeshjen, ajo u bë pjesë e spektaklit tonë, duke fituar duartrokitjet dhe simpatinë e publikut. Me talentin e saj të padiskutueshëm ajo arriti të depërtojë në zemrën e të vegjëlve e të rriturve.
Blerta nuk do të vrapojë më, por do të këndojë gjithmonë…Zëri i saj i bukur do të kumbojë dhe do të mbetet në shpirtin e gjithkujt prej nesh.
Jemi me zemër e mendje pranë familjarëve, shoqeve dhe shokëve të Blertës në momentet e tyre më të vështira.
Me shumë dhimbje, producentët artistikë të “Gjeniu i Vogël” Pandi e Bledi Laço, Adrian Hila konkurrentët e pjesëmarrësit e “Gjeniut”, si dhe stafi artistik./360grade.al