Home KRYESORE Ja kush janë biznesmenët në listat e PD dhe PS

Ja kush janë biznesmenët në listat e PD dhe PS

Biznesi dhe politika nuk janë kundërthënëse ndaj njëra-tjetrës dhe madje futja e biznesmenëve në sallën e Kuvendit është shndërruar tashmë një praktikë pragamatiste e partive shqiptare në dekadat e fundit. Kështu po ndodh dhe këtë fushatë, ku sëmundja e PS-së së Ramës, për të cilën është akuzuar rregullisht, i ka kaluar dhe akuzatores kryesore, PD-së…

Në vitin 2009 në listën e deputetëve të Partisë Socialiste kishte kaq shumë njerëz nga bota e biznesit saqë mund ta ngatërroje me listën e ndonjë partie konservatore të djathtë.  Tentativa dukej qartësisht për interesa elektorale. Duke qenë në opozitë PS-së i duheshin sa më shumë njerëz me influencë dhe para për të fituar. Ishte koha kur kjo parti përfaqësohej nga Tom Doshi në Shkodër duke marrë mandat të majtë në një zonë që votonte vetëm djathtas.  Marrëdhënia mes PS-së dhe biznesmenëve nuk ishte një marrëdhënie natyrale, ideologjike. Doshi dhe biznesmenë të tjerë i lidhte interesi i fijeve të nëndheshme mes biznesit e politikës, ku njëra ndihmon tjetrën dhe të dyja bashkë krijojnë më shumë pushtet.

Sot që është në pushtet dhe nuk e ka më Doshin në listën e saj, PS e ka reduktuar ndjeshëm numrin e biznesmenëve në lista duke e zëvendësuar me mjekë, juristë dhe prefektët dhe drejtorët e administratës së fundit, shkruan tesheshi.

Në krahun e djathtë shohim fenomenin e listave të dikurshme të PS-së. Partia Demokratike ka plot 20 biznesmenë në listat e saj të kandidatëve për deputetë në raport me 12 të tillë që ka gjithsej PS-ja në këto zgjedhje.

Mbështetja tek biznesi në zonat e pasigurta

Partitë i duan biznesmenët ose njerëzit me influencë në zonat ku ndihen të pasigurta për votën; fjalën e kanë zëvëndësuar me forcën e parasë.

Po të shohësh listat e 25 qershorit, PD-ja ka vendosur më shumë biznesmenë në Vlorë në tentativë për të rritur numrin e mandateve. Vlora është një zonë elektorale kryesisht e majtë dhe vetëm paraja mund të ndikojë në forcimin e PD-së në elektorat. Listën e kryeson ai që njihet si “mbreti i call-centerave”, Agron Shehaj, një biznesmen i ri që vjen nga Italia dhe që ka hapur mijëra vende pune në sektorin më të madh të punësimit në vend për të rinjtë këto vitet e fundit.

Në qarkun e Beratit, ku beteja është e fortë mes PD-së, PS-së dhe LSI-së për mandatet e deputetëve Lulzim Basha ka vënë në lista jo pak por tre biznesmenë lokalë: Astrit Veliajn, Bujar Hoxhajn dhe Myslim Haxhin.

Në Durrës dhe  Fier po ashtu ka nga 4 kandidatë që vijnë nga bota e biznesit dhe janë një suport i madh financiar për fushatën elektorale të partisë edhe kur nuk janë në listat fituese.

Nga ana tjetër, PS-ja e cila i ka me kursim emrat e biznesmenëve në listat e saj, në qarkun Shkodër ka 4 kandidatë që vijnë nga bota e biznesit. Është pikërisht Shkodra bastioni blu ku e majta synon të krijojë elektorat me anë të njerëzve me influencë dhe me pushtet në zonë.  Po ashtu në Kukës ku garon me emrin e Safet Gjicit, president i ekipit të futbollit të qytetit.

Nuk e bën këtë as në Fier dhe as në Vlorë, apo në Elbasan, ku futet me sigurinë e bastionit të majtë që nuk e ka lënë asnjëherë në baltë. /360grade.al/

Share: