Home KRYESORE Në këto kohë trushpëlarje, njeriu çoç ëndërron. Nga Ilir Kalemaj

Në këto kohë trushpëlarje, njeriu çoç ëndërron. Nga Ilir Kalemaj

Ëndërron një shtet që nuk do të renditet më në bisht të Europës. Ku të ardhurat për frymë sot janë sa 30 përqind të një Europiani mesatar. Ku distanca jonë me mesataren e vendeve të BE-së është më e largët se në kohën kur timonier ishte Ismail Qemali.

Njeriu shpreson ta jetojnë atë ditë kur vendi bën jehonë pozitive në mediat ndërkombëtare dhe nuk shquhet vetëm për cilësinë e hashashit dhe trafikun mizor të prostitucionit.

Ku individë të spikatur falë punës së tyre mbizotërojnë në numër ndaj atyre që vrasin gratë në mënyrë makabre.

Njeriu normal i këtij yrti të shkretë, ëndërron që të rinjtë e këtij vendi të kenë besim te ardhmja, të mësojnë shumë dhe të përpiqen fort, që falë talentit dhe aftësisë së tyre të kenë një vend që i shpërblen.

Që ata mos të përdoren dhe të mësojnë hilet para zanatit, skthullëkun para dijes, lëpirjet para punës me nder.

Që mos të keqpërdoren nga politikanë çakej dhe të hidhen tej si leckë njëpërdorimshme pasi kanë mbaruar punë me ta. Që të kenë respekt për më të moshuarit se fibrat socialë duhen ushqyer dhe jo këputur.

Që fëmijët të rriten në një ambjent të shëndetshëm dhe të arrijnë të kenë kujtime të bukura fëminore. Jo të skllavërohen mes alternativës së kullave dhe shesheve betoni të blerë nga lidhjet e rrezikshme të oligarkisë me parinë politike ku i nxjerrin prindëri nga halli dhe ndenjes brenda katër mureve e të bien pre e “balenave blu”. Që të ketë çerdhe dhe kopshte me drekë për ta dhe shteti t’u lehtësoj barrën prindërve të stërmunduar.

Kemi të drejtë të ëndërrojmë që krimi nuk godet forcat e rendit ditën për diell, ku e drejta e jetës është e shenjtëruar dhe jo e vjedhur nga cilësia e ajrit, ushqimeve të helmuara me pesticide, kontrabandës së prodhimeve skarco dhe pasigurisë ligjore që të përplas në muret e heshtura të pallatit të drejtësisë.

Duhet të guxojmë të ëndërrojmë se nuk do ngelemi gjithnjë “delja e zezë” ku votimi është thjesht një formalitet një herë në katër vjet dhe pafuqinë tonë e derdhim si përrua psiqik rrugëve virtuale, ndërkohë që kakistrokratët qeverisin për ne, në emrin tonë dhe për familjet tona.

Shpresojmë shumë mos të ngelen si ëndrrat e një nate vere!

Share: