Home KRYESORE Mandija: Ikim në shtator, nuk i lëmë zyrat. Ja kush e kërkoi...

Mandija: Ikim në shtator, nuk i lëmë zyrat. Ja kush e kërkoi raportin

Ministrat e dorëhequr teknikë do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në shtator duke mos lënë zyrat bosh deri në formimin e qeverisë “Rama 2”. Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija deklaroi dje se do të mbajnë postet e tyre ashtu siç e parashikon Kushtetuta deri në zëvendësimin e tyre nga parlamenti.

“Kushtetuta e përcakton qartë që edhe në rastin e dorëheqjes është detyrimi i çdo ministri apo edhe zëvendëskryeministri të qëndrojë në detyrë, derisa të përmbushen kërkesat ligjore, që janë dekreti i Presidentit dhe votimi në parlament. Detyra nuk braktiset në asnjë rast, puna vijon derisa të çlirohemi nga përgjegjësia që e kemi marrë nga votëbesimi në parlament”, u shpreh ajo.

Mandija nuk pranon që ajo dhe 6 ministrat teknikë kanë dështuar në misionin e tyre për të garantuar zgjedhjet e lira, pasi sipas saj, me përfshirjen e tyre në qeveri gjatë procesit zgjedhor janë frenuar shumë fenomene që cenonin standardet e zgjedhjeve edhe pse shprehet së janë minimale. “Zv/ kryeministrja e dorëhequr teknike hedh poshtë akuzat e kryeministrit sipas të cilit raporti përmbledhës i të propozuarve të Bashës në qeveri për zgjedhjet, është hartuar pikërisht në zyrën e këtij të fundit. “Fakti që të dhëna apo raportime, apo edhe zhvillime të ndryshme gjatë procesit elektoral mund te mos jenë të pëlqyeshme nga subjekte të ndryshme elektorale, kjo nuk e bën këtë raport të anshëm apo edhe jo legjitim”, u shpreh ajo.

Qëndrimin për 3 muaj në postet e tyre, edhe pse marrëveshja politike parashikonte që detyra e tyre përfundonte me përfundimin e zgjedhjeve, Mandija e justifikon zvarritjen e raporteve monitoruese nga ministri dhe institucionet e tjera. Pavarësisht se shprehet se gjatë mandatit të tyre monitorues në qeveri, u janë vendosur një sërë barrierash, Mandija e cilëson si eksperiencë të vlefshme përfshirjen e ministrave teknikë që sipas saj teknikisht mund të vleje për t’u aplikuar edhe në të ardhmen. Zëvendëskryeministrja e PD në detyrë, Ledina Mandija, deklaroi se ministrat teknikë janë penguar për të realizuar punën e tyre. “Ministrat janë penguar në punën e tyre nga zyrtarë të lartë në hierarkinë shtetërore apo edhe persona të tjerë politikë. Ky konkluzion u arrit jo vetëm në këtë raport, por edhe nga vetë zhvillimet e përditshme që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor”, theksoi ajo. Sipas zëvendëskryeministres raporti final i task-forcës do të shërbejë për institucionet e drejtësisë.

“Task- forca nuk mund të mblidhej më në fund të procesit zgjedhor. Informacionet mendojmë se do të shërbejnë për institucionet e drejtësisë. Unë kam bërë takime me partnerë ndërkombëtarë, dhe u kam dorëzuar raportin në fjalë. Partnerët ndërkombëtarë pas zgjedhjeve kërkuan që të përmblidhen të gjitha informacionet dhe ngjarjet e ndodhura në një raport final. Misioni i ministrave nuk ishte komplet i dështuar, ndoshta ishte i dështuar për të garantuar totalisht një proces të lirë zgjedhor për votuesit” “, theksoi zonja Mandija.

GSH.al

Share: