Nga Mentor Kikia
Mund të mos jeni shumë dakord me këtë që po them që në titull, apo më poshtë, por para se të formuloni ndo një akuzë, lexojeni deri në fund. Bëhen 25 vjet nga rënia e komunizmit. Atëkohë isha student, një nga ata që dolën në protestë. Jam vërtet i lumtur që e përjetova atë kohë të magjishme e isha mes asaj turme. Por mendoj se ka një mitifikim të “Dhjetorit” dhe dhjetorizmit, i cili u shndërrua në profesion më vonë, apo te disa peronazheve.
Pas cerekshekulli, na lejohët ta shikojmë pak ndryshe atë kohë, në ftohtë. Shkurt, a e rrëzuam ne realisht komunizmin? Po guxoj të them: Jo! Ne thjeshtë e shtymë dhe ishim të fundit që e bëmë këtë. Pasi ishte shembur në tërë Europën Lindore, ne ishim sërish të vonuarit e Europës. Por komunizmi kishte rënë, ai regjim ishte kalbur, po qelbej erë. Ishim populli i vetëm në Europë që ishim zyrtarisht në kushtet e urisë. Ai po lutej ti jepnim një arsye të binte, te ikte pa i terhequr zvarre. Sepse, si shpjegohet që diktatura më e egër në Europë u dorëzua me vetëm dy ditë protesta?
Si ka mundësi që regjimi më gjakatar në Europë u dorëzua pa shkrepur asnjë armë? Kur studentët shkuan tek Ramiz Alia të kërkonin krijimin e shoqatave politike, Ramizi u tha: Krijoni parti. Ai e kishte marrë vendimin për lejimin e pluralizimit disa orë përpara se tja kërkonin studentët. A ishte Ramiz Alia demokrati i parë? Padyshim që jo. Por ai e kishte parë ci bënë Çausheskut në Rumani, dhe nuk ishte cmendur të merrte mendjen e pleqve të rrjedhur të “Birosë” që sugjeronin të kapnin armët.
Ka një mjegull që nuk do të zbardhet asnjëherë, ndoshta, se si u gjend Sali Berisha në mbledhjen themeluese të PD-së, apo si u bë ai kryetar i saj? Shumë kanë shkruar, por më shumë e kanë mjegulluar këtë histori. Ka nga ata që kanë bërë libra e thonë se e dërgoi Ramiz Alia.
Por kjo është historia, që në Shqiëri shpesh është shkruar ndryshe nga c’ka ndodhur. Duket se Berisha vuan nga ky kompleks ndaj dhe për 25 vjet flamurin e antikomunizmit e tundi më fort se cdo udhëheqës tjetër lindor dhe pikërisht Ramiz Alinë e bëri objektin kryesor të sulmeve për vite me radhë. Edhe pse asnjëherë nuk dënoi krimet e vërteta të komunizmit, por udhëheqjen e aj e coi në gjyq se kishin ngrënë 3 kg mish në javë.(Berisha president ishte edhe prokurori edhe gjykatësi).
Mos më akuzoni se po dua të rehabilitoj Ramiz Alinë. Por ama duhet ta themi se, nga frika apo jo, kjo nuk ka shumë rëndësi, ai e bëri tranzicionin e tij, e dorëzoi pushtetin e një partie të kalbur e zhytur në krime(nuk do të bënte dallim nëse do të vriste edhe ca të rinj më shumë pasi kishte vrarë mijëra), pra e dorëzoi fronin 45 vjecar pa asnjë viktimë. A është kjo meritë? Me c’na panë sytë më pas, duhet të themi që po.
Besoj e mbani mend se cfarë kostoje pagoi Shqipëria për të larguar presidentin e parë demokrat në 1997? Besoj po e shikojmë edhe sot se sa lehtë ia vëmë flakën vendin e madje vrasim, për të marrë e mbajtur pushtetin. Besoj e kujtoni qe vleresimi me i madh i nje procesi zgjedhor ne Shqiperine “demokratike”, nga te huajt, eshte se “kalimi i pushteti u be pa dhune”. A thua jam zhgënjyer kaq shumë nga politikanët e tranzicionit sa të më duket Ramiz Alia më i mirë?
Shpresoj që jo akoma! Por gjithësesi, tani, cerekshekulli pas rënies së komunizmit, nëse do të më pyesnin, pikërisht për këtë kohë, ndryshimin e regjimit, se kujt do t’ia ngrije një përmendore(nëse do të duhej), presidentit të fundit komunist apo presidentit të parë demokrat, do të thoja për të parin.
PS: Që të mos lindin keqkuptime, këtu e kam fjalën vetëm për fazën e ndryshimit të sistemit.