Home KRYESORE Dash Shehi përplaset me Paskal Milon për datën e negociatave me BE

Dash Shehi përplaset me Paskal Milon për datën e negociatave me BE

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, kryetar i PDS-së, dhe deputeti Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, janë përplasur mes tyre në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Të ftuar në studion e Report tv, Paskal Milo beson se në qershor Shqipëria do të hapë negociatat me Shqipërinë.

“Knut Fleckenstein e theksoi se vendimi i takon KiE, ka matur pulsin që rreh në Bruksel. Suksesi i Shqipërisë, llogaritet edhe një meritë edhe e raportuesit.

Knut Fleckenstein ishte i kujdesshëm, duke pasur parasysh edhe një kombinim të rrethanave dhe dëshirës së tij. Unë besoj dhe uroj që negociatat të hapen brenda vitit të ardhshëm. Shpresoj nëse do të shkojnë mirë punët në Shqipëri, besoj nga qershori i 2018 do të hapen” deklaroi Milo.

Ndërsa Dashamir Shehi shikon si problemin kryesor, drogën dhe krimin, por shprehet se edhe opozita ka pjekurinë e duhur që të urojë që procesi të hapet.

“Negociatat lidhen me situatën. Natë për natë kapet nga një skaf me drogë që kapet nga shërbimet e huaja, shqiptarët në krye të bandës, janë kapur nga shërbimet amerikane, droga doli nga brigjet tona. Situata është e rëndë.

Hapjen e negociatave mund ta pengojë vetëm krimi. Uroj që të hapen negociatat, kam shpresë. Unë gjykoj që opozita e ka të gjithë pjekurinë që të urojë që të hapen negociatat, pasi është një avantazh edhe për Shqipërinë, pasi në mos nesër apo pasnesër do të vijë në pushtet. Po qe për detyra ne nuk hyjmë edhe për nja 20 vite, por për arsye politike po. Shpresoj që në Bruksel të mbyllin një sy dhe të hapin negociatat”, tha Shehi.

Share: