Home KRYESORE Qeveria njofton falimentin e kompanisë së mikut të Ramës: Naftëtarët të dalin...

Qeveria njofton falimentin e kompanisë së mikut të Ramës: Naftëtarët të dalin në asistencë!

Kompania IRTC që mori me koncension rafinerinë e naftës në Ballsh dhe Fier në shtator 2016 me bekimin e kryeministrit Rama ka falimentuar. Pas protestave të vazhdueshme të naftëtarëve për pagat e prapambetura dhe rikthimin e punës në rafineri, Ministri i Financave Arben Ahmetaj doli para mediave duke deklaruar se naftëtarët duhet të regjistrohen si të “papunë” dhe të marrin asistencën.

ARMO ishte e falimentuar në fakt prej muajsh por u desh pak kohë që ta pranonte qeveria. Në fund të vitit që lamë pas kompania “CO GM Holding LTD” njoftoi se kishte shitur aksionet tek partnerët shqiptarë. “Nuk jemi përfshirë në asnjë vendim të bordit, të gjitha vendimet janë marrë nga kompania IRTC, administrator i së cilës është Mitat Sulaj”, thuhej në njoftimin e kompanisë së huaj.

Administratori i IRTC është vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiwan’ Besnik Sulaj. Ky i fundit është përfolur në media si mik i kryeministrit Rama.

Duke mos e përmendur me emër kompaninë e falimentuar IRTC, ministri Ahmetaj deklaroi sot se “qeveria është e gatshme për të mbështetur çdo investitor serioz që do të vijë për zhvillimin e biznesit në rafineritë e Ballshit dhe Fierit”.

Po kaq Ahmetaj tha se punonjësit e rafinerisë së naftës në Fier dhe në Ballsh që nuk kanë marrë rrogat e prapambetura, do të marrin statusin e të papunit për të përfituar asistencë.

“Është marrë angazhim nga qeveria që zyra e punës në qarkun e Fierit të jenë në ndihmë të punonjësve të dy rafinerive për t’i ndihmuar për aplikimin e statusit të papunësisë në mënyrë që ata punonjës që sot janë papunë të përfitojnë menjëherë në bazë të ligjit pagesën e papunësisë”, u shpreh ai.

Naftëtarët e Fierit dhe Ballshit zhvilluan në fund të muajit dhjetor 2017 një protestë në Tiranë, ku kërkonin marrjen e pagave të prapambetura nga kompania që po shfrytëzon këto dy rafineri. Ata iu rikthyen protestave në Janar duke kërkuar kthimin në punë. Por gjithçka tashmë ka marrë fund. Dy rafineritë do qendrojnë të fikura për një afat të pacaktuar…
/Opinion.al

*Video: Rama në Ballsh në shtator 2016 duke prezantuar tek naftarët investitorin sipas tij serioz Besnik Sulaj që do conte përpara punën në rafineri dhe do paguante rrogat/opinion.al

Share: