Home KRYESORE Në SHBA ka 3.5 milionë myslimanë, por një gazetare vëndos shami në...

Në SHBA ka 3.5 milionë myslimanë, por një gazetare vëndos shami në ekran

Nga Kane Farabaugh, VOA

Qendra Kërkimore Pew përllogarit se në Shtetet e Bashkuara ka rreth 3.5 milionë myslimanë, një numër që po rritet. Parashikohet që deri në 2040 myslimanët do të bëhen grupimi i dytë më i madh fetar në vend. Por për një gazetare në zonën qendrore të vendit, këto janë thjesht statistika. Ajo është e përqëndruar në punën e përditshme në një stacion televiziv, por me punën e saj ajo ka hapur një shteg unik për përfaqësuesit e besimit të saj.

Në zonën qendrore që përfshin Ijovan dhe Ilinoin është ora gjashtë e mbrëmjes. Banorët që ndjekin kanalin televiziv WHBF shohin në lajme një fytyrë të re:

“Më pëlqen puna për të përgatitur lajmin televiziv. Çdo gjë shprehet në gjuhën e teleshikueshit,” thotë gazetarja Tahera Rahman.

Gazetarja Tahera Rahman del për herë të parë në televizor. Vetë pamja e saj e jashtme e bën këtë një fakt unik:

“Më dukej diçka normale, po ndiqja shembullin e nënës,” thotë Tahera.

Rruga që zgjodhi e solli tek redaksia e kanalit WHBF ku ajo tani është një prani unike, e vetmja prezantuese e lajmeve në Shtetet e Bashkuara që del në televizor me shami koke.

“Mendoj se me kalimin e viteve kam bërë një zgjedhje më të ndërgjegjshme, që të lidhesha me të kaluarën time. Në fis kam plot kushërira që nuk vënë shami koke, por disa nga tetot vishen me shami. Feja islame na mëson që ne vetë mund ta bëjmë këtë zgjedhje”.

Prindërit e Taheras janë nga India dhe Pakistani. Ajo vetë ka lindur në një qytezë pranë Çikagos. Por puna si gazetare nuk bazohet tek trashëgimia apo besimi i saj, por tek dhuntitë profesionale, thotë shefi i saj. “Tahera e meriton këtë rol,” shprehet drejtori i lajmeve në këtë stacion, i cili thotë se as nuk e kishte çuar ndonjëherë në mendje t’i thoshte vajzës të hiqte shaminë e kokës.

“E dinim që ajo do të ishte e para. Por edhe po të kishte qenë e 30-ta, e 300-ta apo e 3000-ta nuk do të kishte rëndësi. E zgjodhëm Taherën pasi e fitoi me aftësi”.

Komuniteti mysliman e priti me habi shfaqjen e Taherës në ekran:

“Në fakt më shokoi,” thotë Mohamad El-Zain, president i komunitetit mysliman të zonës. Ai e sheh daljen e saj në ekran me shami koke si një moment kritik për të gjithë myslimano-amerikanët.

“U jep zemër fëmijëve të komunitetit kur shohin dikë me atë paraqitje në televizor, pasi ata janë në mëdyshje kur shkojnë në shkollë me shami koke”.

Prezantimi para telespektatorit nuk është gjithmonë i lehtë:

“Vetëm gjatë dy-tre ditëve të fundit kam marrë emaile që shprehen se feja ime është feja e djallit dhe duhet ta mendoj këtë zgjedhje,” tregon Tahera.

Mike Mickle thekson se komentet pozitive janë shumë më të shumta se ato negative dhe shton se problemi më i madh tani është si të përballojnë interesimin e madh të medias tek Tahera.

“Taherës i është dhënë mundësia të ndajë me të tjerët përvojën e saj. Ne e mbështesim plotësisht, por ajo ka në radhë të parë detyrat e punës që duhet t’i përmbushë”.

“Mendoj se është një moment kritik, por gjithashtu në jetën time të përditshme asgjë nuk ka ndryshuar. Fakti që kam arritur atë që dëshiroja nuk nënkupton se nuk do të punoj më aq fort,” thotë Tahera.

Ajo shpreson se puna me përkushtim do të japë fryte jo thjesht me avancimin në karrierën e gazetares, por edhe duke hapur dyert e mundësisë për vajza që ndjekin shembullin e saj, në fusha të tjera karriere në të gjithë vendin.

Share: